Një grup i mjekëve është ankuar se specializimet janë ndarë në baza nepotizmi dhe politike. Sipas tyre janë anashkaluar doktorë shkencash me notë mesatare 10, kurse u është ndarë specializim kandidatëve me nota shumë më të dobëta, shkruan sot, gazeta Zeri.
Procesi i specializimeve ka nxitur reagime të ashpra të një grupi të madh të mjekëve, të cilët me një letër-ankesë të përbashkët kanë ngritur akuza se në këtë proces ka nepotizëm dhe ndërhyrje politike. Sipas tyre konkursi, i cili është shpallur muajin e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë për specializime të reja për mjekë, stomatologë dhe farmacistë, si proces në tërësi është i paraporositur dhe i gatuar me direktiva politike dhe plotësisht nepotike.
Në ankesën që e ka siguruar gazeta “Zëri”, ky grup i mjekëve shkruan se 22 emra të mjekëve të cilët kanë fituar specializimin kanë lidhjet e tyre me politikën dhe persona që mbajnë pozita të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë.