Rrugët janë ‘damarët’ e tokës dhe asgjë më qartë se këto ‘damarë’ nuk tregon se cili shtet me cilin vend fqinje ndjehet më i afërt. Kështu për shembull, nëse e shikon RMV, thuajse të gjithë ‘damarët’’ që atë e lidhin me Shqipërinë dhe Bullgarinë, ose janë të mbyllur ose të dëmtuar, për dallim nga ato që e lidhin me Beogradin, që gjithmonë janë të hapur dhe të mirëmbajtur.
Këto ditë qeveritarët e RMV bënë të ditur se Korridori 8 – pra ai që i lidh shqiptarët e këtushëm me ata të mëmëdheut dhe Shkupin me Sofjen, e më tej me Stambollin dhe me Lindjen e Mesme – nuk do ndërtohet, ngaqë nuk është prioritet dhe nuk jep vlerë të shtuar. Pra se kot që iu gëzuan shqiptarët, sepse në vend të tij do rinovohet hekurudha që lidhë Shkupin me Beogradin!
Dhe ku ta dish. mbase edhe nuk ia VLEN ta përsëritësh atë që e dinë të gjithë, përpos pushtetarëve shqiptarë: se kësaj RMV që ishte dhe mbeti ‘protektorat’ i Serbisë, Beogradi kurrë nuk do ia lejojë që të investojë në afrimin e shqiptarëve të këtushëm më ata të mëmëdheut si dhe të Shkupit me Sofjen?
Siç nuk ia VLEN të merresh me shpjegimin e sjelljes së pakuptimtë të Kryeministrit të Kosovës, i cili as hanë as pinë gjë që vjen nga Serbia, por që e mbështet qeverinë e Shkupit e cila nuk e përkrahë ‘Ballkanin e Hapur’ ngaqë e dinë se RMV është pjesë e pandashme e ‘Botës Serbe’:
Ndërkohë për ata që harrojnë shpejt duhet rikujtuar: Korridori 8 është projekt i parë i VMRO-DPMNE’së, i asaj të viteve nëntëdhjeta, të cilës iu lejua ta drejtonin ‘Lubçot’ probullgarë, vetëm që të mos shihej se e kishin në duar dhe e kontrollonin ‘zmejkot dhe gollubovcat’ antishqiptarë e proserb.
Pra ky projekt është i viteve të largëta kur Bullgaria e ‘ndihmonte’ Maqedoninë që edhe më shumë ajo të serbizohet, duke i dhuruar me qindra tanke të prishur, për t’i luftuar ‘terroristët’ shqiptarë!?
Nga: Kim Mehmeti