Ballina Ekonomi Nëntë masat e parapara në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike pas...

Nëntë masat e parapara në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike pas pandemisë COVID-19

Rishikimi i buxhetit, lehtësimi i qasjes në financim, mbështetja për punësim dhe bujqësia janë disa nga nëntë masat e parapara të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike që janë prezantuar në Programin Qeverisës 2020-2023 të Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtij programi, pritet të mobilizohen mbi 1 miliard euro për dy vite, duke themeluar Fondin për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19.

“Këto masa do të përmblidhen në kuadër të ‘Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19’, i cili program do të mobilizojë mbi 1 miliardë euro gjatë vitit 2020 dhe 2021 që do të futen në ekonomi. Do të themelohet Fondi për Rimëkëmbjen Ekonomike pas pandemisë COVID-19, ku do të grumbullohen mjetet që do të dedikohen për qëllime të mbështetjes ekonomike dhe sociale për të tejkaluar pasojat e pandemisë”, thuhet në program, shkruan Telegrafi.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në takimin e fundit që kishte pasur me përfaqësuesit e shoqatave të biznesit, përfaqësuesit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kishte thënë se, këto masa do të krijojnë mundësi për ta vendosur ekonominë e Kosovës në një trajektore të zhvillimit ekonomik afatgjatë.

“Do të punojmë bashkë për përgatitjen e planit detaj për zbatimin e këtyre masave dhe pasurimin e këtyre masave për t’u realizuar në praktikë. Ne i kemi bërë disa analiza paraprake, dhe është një vlerësim i përgjithshëm se ekonomia e Kosovës ka pësuar rreth 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto si rezultat i pandemisë COVID-19. Masat që i kemi paraparë në periudhën afatshkurtër do të koncentrohen që ne sa më parë që është e mundur të kompensojmë këtë rënie ekonomike dhe ta kthejmë ekonominë aty ku ka qenë para pandemisë”, kishte thënë Hoti

Ai ka shtuar se do shihet mundësia e funksionalizimit të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku do të jenë të përfshira të gjitha palët me interes dhe shtoi se orientimi i qeverisë është krijimi i bazës ligjore përmes Ligjit të Buxhetit, për krijimin e një fondi në të cilën bëhen bashkë një pjesë e konsiderueshme e mjeteve nga Buxheti i Kosovës përmes identifikimit të kursimeve të ndryshme ose nga projekte që nuk kanë pasur mundësi të zbatohen për shkak të pandemisë dhe mjete të tjera për të cilat është dhënë zotimi nga partnerët zhvillimor, duke filluar nga Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe partnerë të tjerë zhvillimor që do të kontribuojnë në fondin për rimëkëmbjen ekonomike.

“Orientimet tona janë që deri në vjeshtë të këtij viti ne të kompensojmë bizneset dhe familjet së paku për pjesën që kanë pësuar si rezultat i pandemisë dhe pastaj t’i vëmë në praktikë masat që na mundësojnë që në pjesën e mbetur të këtij viti dhe në veçanti gjatë vitit 2021 të hyjmë në projekte zhvillimore të natyrës më afatgjate”, ka shtuar ai, përcjell Telegrafi.

Nëntë masat që janë paraparë në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike:

1. Lehtësimi i qasjes në financim

Qëllimi: Lehtësimi i qasjes në kredi për ndërmarrjet private, për të financuar projekte investive dhe vazhdimin e operimit

a. Rritja e mbulueshmërisë së kredive të reja përmes Fondit për Garantimin e Kredive

b. Riprogramimi i kredive bankare ekzistuese, ku koston e riprogramimit e merr qeveria

c. Subvencionimi i normave të interesit për sektorë të caktuar bazuar në një plan strategjik të përgatitur nga akterët relevantë

2. Zvogëlimi i barrës tatimore

Qëllimi: Lehtësimi i barrës tatimore të bizneseve, për të përmirësuar likuiditetin e tyre afatshkurtër

a. Shtyrje e pagesës së tatimeve bazuar në nevojat e bizneseve

b. Mbulimi i 5-përqindëshit të kontributit pensionale që biznesi paguan për punëtorë

c. Pushimet tatimore për firmat për sektorë të caktuar bazuar në një plan strategjik të përgatitur nga akterët relevantë

d. Lirimet për parapagimet e obligimeve tatimore nga ana e bizneseve

e. Lirimi i bizneseve nga ndëshkimet tatimore për vonesa në pagesën e tatimeve për shkak të pandemisë bazuar në kritere të qarta dhe transparente

f. Ofrimi i mundësisë për riprogramim të borxheve tatimore të mëparshme, duke përfshirë edhe zbritjet për pagesën e menjëhershme të borxhit.

3. Masat për mbështetje të punësimit

Qëllimi: Rritja e punësimit, në veçanti e grupeve specifike të punëtorëve me gjasa më të ulëta për punësim

a. Subvencionim i pagës për punëtorët në biznese të prekur nga pandemia

b. Subvencionim i pagës për punëtorët e rinj që marrin bizneset në punë bazuar në një plan që identifikon sektorët dhe kategorinë e punëtorëve më në nevojë

c. Përkrahja profesionale për biznese për funksionim në kushte pandemie, siç është puna nga shtëpia, puna online, transformimi digjital, etj.

4. Bujqësia

Qëllimi: Rritja e prodhimit bujqësor vendor, për të rritur punësimin në zonat rurale, për të zvogëluar importin e produkteve bujqësore dhe rritur sigurinë e ushqimit sipas standardeve të BE-së

a. Dyfishimi i buxhetit për bujqësi bazuar në Programin për Zhvillim Bujqësor,

b. Rritje e ndjeshme e subvencionimit për hektarë dhe për kokë të bagëtive

c. Mbështetje për shitje të produkteve bujqësore, në veçanti qumështin e freskë, pemët dhe perimet e freskëta, d. Zhvillimi i tregjeve lokale bujqësore dhe digjitalizimi i tyre

e. Mbështetje specifike në përpunimin e produkteve bujqësore dhe në ngritjen e kapaciteteve deponuese

f. Subvencionimi i normave të interesit të kredive në bujqësi

5. Masat për stimulim të kërkesës agregate

Qëllimi: Rritja e shpenzimeve të konsumatorëve, e cila nxit prodhimin dhe punësimin me efekte multiplikuese në ekonomi

a. Kthimi i një përqindjeje të mjeteve të kursyera në Trustin Pensional për kontributpaguesit, bazuar në nevojat e tyre, e cila mundësi mund të shfrytëzohet për një periudhë 3-mujore, e cila shumë kompensohet nga shteti brenda 5 viteve

b. Mbështetje për zgjatjen e greis periudhës për blerje të banesave dhe shtëpive bazuar në kritere të të ardhurave.

6. Mbështetje për ndërmarrje publike për operim të rregullt dhe investime kapitale të rëndësisë strategjike

Qëllimi: Mbështetje e operimit dhe investimeve kapitale të ndërmarrjeve publike, në veçanti ato investime që janë të natyrës strategjike, që të përballojnë uljen e të hyrave nga inkasimi dhe investimet e nevojshme kapitale që duhet të ndërmarrin

a. Mbulimi i kostove minimale operative të ndërmarrjeve publike

b. Rishikim i planit dinamik të investimeve kapitale të ndërmarrjeve publike dhe vlerësimin i investimeve të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e ndërmarrjeve publike

c. Mbështetje e investimeve të ndërmarrjeve publike përmes subvencionimit nga buxheti, huadhënies nga buxheti dhe lëshimit të garancioneve sovrane për kreditë që ndërmarrjet publike marrin institucionet financiare

7. Rishikimi i Buxhetit për 2020 dhe relaksimi i kufizimeve fiskale dhe i borxhit publik

Qëllimi: Rishikimi i buxhetit për vitin 2020 duhet të ndodhë për të marrë në konsideratë ndikimin e pandemisë në të hyrat buxhetore dhe rishpërndarjen e shpenzimeve bazuar në prioritetet e reja. Krahas ndryshimit të ligjit të buxhetit, duhet ndryshuar edhe Ligjin e Financave Publike për të pezulluar përkohësisht rregullat e deficitit buxhetor prej 2 për qind për tre vite, si dhe Ligjin për Borxhin Publik për të rritur kufirin e borxhit publik nga 40 për qind në 50 për qind të PBB-së

a. Identifikimi i hendekut tatimor

b. Identifikim i kursimeve

c. Rishpërndarja e shpenzimeve sipas prioriteteve

d. Pezullimi i rregullës fiskale të deficitit prej 2 për qind për tre vite

e. Rritja e kufirit të borxhit publik nga 40 për qind në 50 për qind të PBB-së

8. Masa mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar

Qëllimi: Në konsultim dhe në dakordim me sektorin financiar, do të shikohet mundësia se cilat masa mund të ndërmerren nga BQK-ja për të mbështetur ekonominë, përmes rritjes së kredidhënies dhe depozitave, por në të njëjtën kohë duke siguruar qëndrueshmërinë e sektorit financiar si tërësi. Në veçanti do të shikohet sektori i sigurimeve për të rritur pjesëmarrjen e tij në sektorin financiar, për të marrë përsipër ofrimin e një game më të gjerë të shërbimeve siguruese që mbështesin zgjerimin e bizneseve, investimeve dhe transaksioneve biznesore në vend dhe jashtë

a. Rishikimi i nivelit të kapitalizimit të nevojshëm për akterët financiar

b. Rishikimi i rezervës minimale të likuiditetit detyrueshme

c. Mbështetje për kompanitë e sigurimeve për diversifikim të gamës së shërbimeve siguruese

9. Mobilizimi për financimin e masave

Qëllimi: Mobilizimim i fondeve për financim të masave për rimëkëmbje ekonomike, përmes: buxhetit, duke rishikuar projeksionet buxhetore, deficitin buxhetor dhe borxhin publik; financimit nga donatorët; nga borxhi publik i brendshëm nga letrat me vlerë dhe kreditë e jashtme; financimit të projekteve përmes partneritetit publiko-privat

a. 180 milionë euro kursime nga buxheti i vitit 2020

b. 51.6 milionë nga FMN

c. 100 milionë nga Komisioni Evropian

d. 120 milionë nga Banka Botërore

e. 60 milionë nga mjetet e privatizimit

f. 100 milionë nga emetimi i letrave me vlerë

g. 20 milionë nga emetimi i letrave me vlerë nga diaspora

h. 300 milionë euro kredi ndërkombëtare për financim të projekteve kapitale të ndërmarrjeve publike, komunave dhe të nivelit qendror

i. 100 milionë euro garancione kreditore për projekte investive prodhuese

j. 170 milionë euro kthime të kursimeve pensionale për kontribut-paguesit nga Trusti Pensional

Exit mobile version