Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-SHBA

Nëpërmjet një memorandumi bashkëpunimi, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) angazhohen të rrisin bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, investimeve dhe tregtisë, transmeton Anadolu Agency(AA).

Memorandumi i bashkëpunimit ekonomik u firmos në Tiranë për palën shqiptare nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe për palën amerikane nga nënsekretari i Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.

Në lidhe me këtë memorandum, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një deklaratë së bashku me Krach publikuar në rrjetet sociale tha se “Kjo është një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe partneritetit të paçmueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që hap një kapitull të ri në rrugën e bashkëpunimit dhe mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë”.

Sipas kryeministrit Rama, memorandumi “faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e një kapitulli të ri për investimet e drejtpërdrejta jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri, do të rrisë eksportet shqiptare duke përmirësuar ndejshëm bilancin tregtar dhe do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50-vjeçare që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës”.

Duke iu referuar edhe letrës së presidentit amerikan, Donald Trump, Rama theksoi se “Dua t’i rikthehem letrës shumë dashamirëse që mora nga presidenti Trump dhe dua të rikonfirmoj atë që kam thënë në mënyrë të përsëritur që Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjesht si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimit të dialogut, por edhe si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G. Rrugët e pastra të teknologjisë 5G në këndvështrimin tim janë rrugë të pastra për fëmijët tanë. Ne jemi absolutisht të lumtur që nuk jemi vetëm dhe që jemi në krahun e atyre që janë miqtë tanë më besnikë dhe më të besueshëm”.

Zyrtari amerikan, Keith Krach, në lidhje me memorandumin tha se është një hap i rëndësishëm për rritjen e tregtisë dhe të investimeve. “Mirëpres që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të nënshkruajnë edhe një memorandum mirëkuptimi mbi sigurinë 5G”, theksoi Krach.

Ndërkohë, sipas një njoftimi zyrtar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ky memorandum i bashkëpunimit ekonomik është i pari që firmoset mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992.

Sipas njoftimit, sektorët me përparësi në kuadër të këtij bashkëpunimi janë eksplorimi dhe zhvillimi i burimeve energjitike, infrastruktura, energjia, transporti, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, turizmi dhe bujqësia.

Më tej theksohet se nëpërmjet këtij memorandumi, SHBA angazhohen të promovojnë partneritete midis bizneseve me përfitim reciprok të kompanive amerikane dhe aktorëve vendas në Shqipëri, duke përfshirë zhvillimin e fuqisë punëtore, fuqizimin ekonomik të grave dhe mundësitë për inovacion.