Nënshkruhet marrëveshja për grurin mes Ukrainës dhe Rusisë – VIDEO

Marrëveshja që lejon eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi është nënshkruar në Stamboll të premten, pas muajsh negociatash midis Ukrainës dhe Rusisë të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, shkruan CNN.

Marrëveshja synon rifillimin e eksporteve të grurit nga portet ukrainase, të cilat janë bllokuar nga konflikti pesëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Moskën për bllokim të furnizimeve ushqimore, ndërsa OKB-ja, liderët dhe ekspertët kanë paralajmëruar për një krizë katastrofike ushqimore pasi dërgesat e drithërave nuk kanë arritur në tregun global.

Rreth 20 milionë tonë drithë mbahen në Ukrainë, ku korrja e verës tani është duke u zhvilluar.

Marrëveshja do të përfshijë tre porte ukrainase, duke përfshirë Odesën. Është krijuar një Qendër e Përbashkët Koordinuese në Stamboll dhe korridore të sigurta të dakorduara për transportin tregtar.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka thënë se me këtë marrëveshje do të lehtësohet kriza globale e ushqimit. /koha