Neni 95 dhe pika 5 e Kushtetutës, pikënisje për formimin e Qeverisë së re

Mocioni i Mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, javën që lamë pas, sipas Nenit 95, pikës 5 të Kushtetutës së Kosovës konsideron Qeverinë të rënë, duke bërë që të mos vlejnë rregullat e njëjta sikurse në situatat ligjore dhe politike paszgjedhore.

Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në kushte anonimiteti i ka thënë Periskopit se meqë ka pasur votim të suksesshëm të Mocionit të Mosbesimit, Qeveria aktuale konsiderohet qeveri në dorëheqje.

Sipas të njëjtit burim, kjo nuk është situatë ligjore dhe politike paszgjedhore, prandaj nuk vlejnë rregullat e njëjta. Pikënisja kësaj radhe, sipas tij, duhet të jetë Neni 95 dhe pika 5 e tij në Kushtetutën e Kosovës, që potencon nëse kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

“I takon presidentit të vendit të vendosë për shpërndarjen e Kuvendit dhe caktimin e datës së zgjedhjeve apo ta mandatojë një të kandidat të ri, pas konsultimit me partitë parlamentare, për formimin e Qeverisë së re”, ka thënë ai.

“Në këtë rast, pra nëse presidenti vendosë për shmangien e zgjedhjeve dhe formimin e Qeverisë së re, Kushtetuta dhe Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 janë udhërrëfyesit e vetëm. Orientimisht, në situatë të tillë, presidenti mund ta caktojë si mandatar cilindo lider politik që vlerëson se mund ta ketë shumicën e deputetëve në Kuvend”, ka shtuar më tutje ky burim.

Ai ka thënë se procesi nuk kthehet në pikën zero, siç po deklarojnë disa analistë, pasi që fituesi i zgjedhjeve e ka konsumuar të drejtën e tij dhe e ka humbur legjitimitetin.

“Nuk mund të kthehet në pikën zero, sepse ajo Qeveri ka prodhuar efekte me vendimmarrjen e saj. Sipas kësaj logjike juridike edhe të gjitha vendimet e saj do të duhej të ktheheshin në pikën zero”, ka thënë ai.

Sido që të jetë, për të vendosur rreth mandatarit të ri, Thaçi i ka përmendur edhe disa kritere mbizotëruese të cilat do t’i diskutojë me partitë parlamentare. Ai duhet t’i thërrasë të gjitha partitë parlamentare për konsultime dhe varësisht nga rezultati i atyre konsultimeve duhet t’i marrë edhe hapat e radhës në pajtim me Kushtetutën.