Në qytetin e paqes dhe sigurisë, në Meke, aty ku ndodhet Qabeja e shenjtë, gjithmonë kanë jetuar njerëz, mbase të ndarë në fise, por që gjithmonë i ka bashkuar besimi, tradita dhe rendi shoqëror. Me Qabenë e shenjtë në të dhe me rrethinën e bekuar, qyteti i Mekës gjithmonë ishte vend pelegrinazhi për popujt e ndryshëm anekënd botës. Prej se ekziston ky qytet, koha e pelegrinazhit gjithmonë ka qenë në muajin e caktuar. Sa herë që vinte ky muaj, qyteti i Mekës mbushej me vizitorë. Ishte muaji ku lufta dhe gjakderdhja ishin të ndaluar, madje edhe njerëzit që udhëtonin për në Qabe, nuk ndiheshin të kërcënuar. Një objekt katërkëndësh, që kishte mbijetuar nga përmbytjet dhe nga grabitja e gurëve të mureve të saj, Qabeja, mbase e ruante shenjtërinë e saj, dhe do të vazhdojë ta ruajë këtë shenjtëri përgjithmonë…
Mëkëmbësi Ebreha i Jemenit me ushtrinë e tij do t`ia mësynte këtij qyteti jo si një vizitor, kur me urdhër të tij u ndërtua një tempull i madh në kryeqendrën e tij, e që e kishte emërtuar “El-Kul-lejs” me qëllim që ta zbehte famën e Qabesë dhe t`i tërhiqte vizitorët e Qabesë drejt qytetit të tij. Por, njerëzve nuk i bëri përshtypje tempulli i ndërtuar nga Ebreheja dhe asnjëherë nuk e devijuan rrugën për ta vizituar qytetin e tij. Ai e përgatiti ushtrinë të hipur mbi disa elefantë dhe u nis për në Meke, me qëllim që ta shkatërronte Qabenë. Ishte kjo një ushtri e fortë që nuk mundi ta ndalte askush. Ishte kjo një ushtri aq e tmerrshme, saqë banorët e Mekës, kur dëgjuan se kjo ushtri po i afrohej qytetit, kishin ikur në kodrat përreth qytetit. Ushtria e Ebrehesë kur ishte gjendur afër Mekës, kishin ngritur një kamp të pushimit dhe të përgatitjes. Derisa aty pushonin dhe përgatiteshin, njëkohësisht plaçkitnin pasurinë e Kurejshëve, e ndër të tjera edhe 200 devetë e Abdulmutalib ibn Hashimit. Prijësit Kurejsh e panë këtë ushtri me bindjen se nuk kishte gjasa për t`i dalë përballë, prandaj vendosën që të largoheshin përkohësisht në kodrat përreth për të pritur dhe shikuar se çfarë do të ndodhë me Qabenë e Shenjtë. Para se të niste shkatërrimin e Qabesë, Ebreheja urdhëroi që të fliste me të parin e kurejshëve për t`i treguar qëllimin e tij. Për të folur me të, kurejshët zgjodhën Abdulmutalib Ibn Hashimin, që ishte një burrë me tipare fisniku. Kur u takuan, Ebreheja e pyeti Abdulmutalibin se çfarë kërkesa kishte? Ai me thjeshtësinë më të thellë dhe me guximin më të lartë burrëror i tha që t`ia kthente prapa 200 devetë e plaçkitura nga ushtarët e tij. Ebreheja me habi iu drejtua duke i thënë se „ti a nuk po kërkon nga unë që të heq dorë nga rrënimi i Qabesë-Shtëpisë suaj të shenjtë, por po kërkon devetë e tua?!“ Abdulmutalibi ishte i bindur në atë që po ia thoshte, dhe u tregua shumë mendjehollë dhe brilant kur i tha Ebrehesë se po i kërkonte t`ia kthente devetë sepse ishte pronar i tyre, ndërsa Qabeja e ka Zotin-Pronarin e vet, i Cili do ta mbronte nga rrënimi që ai po e synonte…
Kur ushtria po i afrohej qytetit, njerëzit po prisnin me trishtim dhe po vëzhgonin prej lartësisë së kodrave çastin e hyrjes në qytet të kësaj ushtrie, disa prej ushtarëve të hipur mbi ca elefantë, ushtri që kurrë nuk kishte qenë më e përgatitur dhe më afër shkatërrimit të Qabesë. Por, ndodhi ajo që njerëzit nuk e prisnin. Për një çast, mbi këtë ushtri ra një hije zezë. Mbi ta po fluturonin tufa zogjsh, të cilët lëshonin gurë mbi trupat e ushtarëve. Çdo gurë që binte në trupat e ushtarëve ishte shkatërrues. Edhe Ebrehaja u godit nga gurë të tillë dhe nga trupi i binte mishi copë-copë.
U detyruan të tërhiqeshin dhe të arratiseshin, dhe rrugës për në kthim në drejtim të Jemenit shumë ushtarë vdiqën, ndërsa trupi i Ebrehesë ishte rrjepur e bërë copa-copa dhe vdiq posa arriti në Jemen.
Abdulmutalib Ibën Hashimi nuk ishte një njeri i rëndomtë, ndonëse mbahej si i tillë. I shtyrë në moshë, ai e mbante mbi supet e tij krenarinë e rihapjes dhe gjetjes së burimit të Zemzemit, kur bashkë më djalin e tij Harithin bënë të pamundurën që pusi i Zemzemit sërish të hapej, ndonëse kishin kaluar thuajse njëqind vite prej se pusi i Zemzemit ishte mbuluar dhe ishte harruar vendi i burimit të tij. Në kohën kur ai e vendosi të hapte pusin e Zemzemit, ai e kishte vetëm një djalë, Harithin, me të cilin ishin të vendosur që të gropojnë në vendin ku iu kishte dëftuar në ëndërr Abdulmutalibit. Njerëzit ironizonin me guximin dhe vendosmërinë e tij për ta hapur pusin për të cilin ai ishte i bindur se ishte mu në vendin ku iu kishte dëftuar në ëndërr. Ironizonin me të duke i thënë se me vetëm një djalë nuk mund ta hapësh e as ta gjesh burimin e Zemzemit. Sepse në atë kohë krenar dhe i fortë ishte ai njeri që kishte shume djem dhe pasuri. Në një moment, ai zotohet se nëse Zoti i falë dhjetë djem, ai do ta bënte njërin kurban për këtë burim. Abdulmutalibi e vazhdonte punën e tij në hapjen e pusit të Zemzemit, dhe duke gropuar ai gjente gjëra të çmueshme, të cilat pastaj i vendoste në Qabe. Dhe ashtu duke gropuar me vendosmëri, ai e hapi dhe e gjeti burimin e ujit të Zemzemit, duke e bërë gjithë qytetin e Mekës të gëzohej…
Disa vjet pas rihapjes së pusit të Zemzemit, Zoti ia fali Abdulmutalibit dhjetë djem. Më i vogli quhej Abdullah, i cili ia kujtonte Abdulmutalibit premtimin e dhënë për ta bërë kurban, nëse Zoti do t`ia faltë dhjetë djem. Kur djali më i vogël Abdullahu u rrit, Abdulmutalibi i lajmëroi banorët e Mekës se ishte gati ta realizonte premtimin e dhënë: do ta bënte kurban njërin prej djemve të tij. Se cilin djalë do ta bënte kurban, ketë do ta vendoste shorti në Qabe. Hyri në Qabe dhe aty shorti i ra djalit të vogël Abdullahut. Mekasit e kundërshtuan këtë short si të tillë, dhe në vend të Abdullahut, ata vendosën që të hedhin short ndërmjet Abdullahut dhe dhjetë deveve. Sa herë që do t`i binte shorti Abdullahut për tu bërë kurban, ata e përsërisnin shortin, derisa t`i binte deveve. Dhe kjo vazhdoi dhjetë herë, derisa shorti i ra deveve, e që në fund epilogu ishte që të bëheshin kurban njëqind deve…
Por, edhe pse i kishte shpëtuar premtimit të babait të tij për tu bërë kurban, pas disa viteve, Abdullahu duke qenë i martuar me Eminen, derisa po e shoqëronte një karvan tregtar, ai vdiq gjatë udhëtimit. Në kohën kur ai vdiq, gruaja e tij Eminja ishte shtatzënë. Vdekja e Abdullahut e pikëlloi Abdulmutalibin, ashtu siç pikëllohet një baba për vdekjen e djalit të tij. Abdullahu ishte biri më i vogël i Abdulmutalibit, dhe kjo ia shtonte edhe më shumë pikëllimin atij…
Kur kishin kaluar shumë vite nga hapja e pusit të Zemzemit, disa vite nga shorti me Abdullahun, pak javë nga vdekja e Abdullahut dhe rreth një muaji nga ngjarja me elefantë, Abdulmutalibi tashmë ishte një burrë i moshuar, i cili përveç modestisë dhe krenarisë, po e përjetonte pikëllimin dhe ndjenjën e mërzisë për djalin e tij të vdekur, gruaja e të cilit po priste lindjen e foshnjës…
Me padurim, edhe Abdulmutalibi po e priste lindjen e foshnjës, që për të ishte i vetmi ngushëllim, që do t`ia lehtësonte pikëllimin dhe mërzinë që e kishte për Abdullahun. Dhe, ai shkonte në Qabenë e shenjtë, që për të ishte vendi i vetëm ku ai gjente qetësi shpirtërore. Aty ai qëndronte më orë të tëra, se vet qëndrimi në Qaben e shenjtë është qetësim, është adhurim, është çlirim, është shpëtim nga barrët dhe sprovat e jetës…
Në një ditë të zakonshme për të, derisa ai po qëndronte nën hijen e Qabesë së shenjtë, drejt tij vjen një njeri dhe ia jep lajmin se Eminja, gruaja e Abdullahut kishte lindur djalë. Lajmi për lindjen e nipit, ishte lajmi që konsiderohet prej çasteve më të gëzueshme në jetën e Abdulmutalibit, ishte një lajm që i solli shkëlqimin në fytyrë, e ku nga sytë e tij rridhnin bashkë lotët e pikëllimit dhe të gëzimit: të pikëllimit për vdekjen e djalit, dhe të gëzimit për lindjen e nipit. U nis drejt shtëpisë së Emines me fytyrë dhe duar të ngritura kah qielli, me shumë lutje, falënderim dhe bekim. Kur arriti te Eminja, ai ishte i mahnitur me pamjen që iu shfaq para syve të tij. Ai po e shihte foshnjën e porsalindur, nipin e tij, i cili ia lehtësoi mërzinë dhe pikëllimin që po përjetonte…
Nëna e foshnjës, Eminja, dhe gjyshi i tij Abdulmutalibi, pra që të dytë ishin të frymëzuar se si do ta quanin këtë foshnje…
Gjyshi i tij duke e mbajtur në krah, shkoi bashkë më të në Qabe për të bërë tavaf, ashtu siç ishte tradita dhe zakoni i asaj kohe. Kur njerëzit e pyetën se si quhet nipi i tij, ai me krenari iu përgjigj se Muhamed është emri i tij, dhe kështu e quajta që ta lavdërojnë toka dhe qielli.
Lindja e Muhamedit, i biri i Abdullahut dhe nënë Emines, nuk ishte një lajm i shumëpritur vetëm për gjyshin e tij Abdulmutalibin. Në biografinë e njerëzve, rëndom shkruhet dhe përmendet lindja. Por, kur përmendet lindja e Muhamedit, rëndom thuhet se lindi me emër të frymëzuar dhe me shenjë të vulës së profetësisë. Muhamedi, i biri i Abdullahut lindi, u rrit dhe u bë burrë në Meke. Halimja ishte gruaja që u kujdes për fëmijërinë e tij të shëndetshme. Në moshën gjashtë vjeçare i vdes nëna dhe mbetet jetim pa asnjërin prind. Në moshën tetë vjeçare i vdes edhe gjyshi i tij. Axha i tij Ebu Talibi deri në fund të jetës së tij, u kujdes për Muhamedin. U martua me Hatixhën, me të cilën pati edhe fëmijë. Rreth moshës katërdhjetë vjeçare, me urdhër të Allahut, përmes melekut Xhibril, i erdhi shpallja e pejgamberllëkut. Ai është udhëtari i Israsë dhe Miraxhit. U shpërngul prej Mekës në Jethrib. Shokët e tij ishin Ebu Bekri, Bilali, Umeri, Uthmani, Talha, Ammari, Ubejdi, Suhejbi, e mijëra mijëra të tjerë. Ai jetoi si rob dhe i Dërguar i Allahut të Madhërishëm.
Për ta thënë më shkurt e më qartë, Muhamedi a.s. lindi në Mekë, vdiq në Jethrib, por ai jetoi, jeton dhe do të jetojë në zemrat e miliarda njerëzve deri në ditën e fundit të kësaj bote. Ne myslimanët e falënderojmë Allahun e Madhërishëm që na ka bërë prej ndjekësve të rrugës dhe mësimeve të Muhamedit a.s.. Sa herë që e falënderojmë Allahun e Madhërishëm, ne i dërgojmë salate dhe selame Muhamedit a.s., dhe sa herë që e përmendim emrin e Muhamedit a.s, ne e falënderojmë Allahun që Muhamedi a.s. është prijësi ynë.
„Falënderimet tona janë për Allahun e Madhërishëm, ndërsa salatet dhe salavatet ia dërgojmë Muhamedit a.s robit dhe të dërguarit të Allahut“ L.M /mesazhi.com