Fjalimi nga përfaqësuesi i Bashkësisë Islame Shqiptare në Glarus me rastin e organizimit të djeshëm për festën e 28 Nëntorit
Të nderuar pjesëmarrës
Të nderuar vëllezër dhe të nderuara motra
Të dashur fëmijë, dhe nxënës të Shkollës Shqipe të Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar (LAPSh) “Naim Frashëri” – Kantoni Glarus
Faleminderit të gjithë ju që sonte e keni zgjedhur këtë vend për të kaluar bashkë çaste shoqërore dhe vëllazërore.
Në emër të Kryesisë dhe anëtarësisë së Bashkësisë Islame Shqiptare (BISH) Kantoni (Kt) Glarus shpreh mirënjohje të sinqertë për të gjithë të ftuarit që ftesës sonë iu përgjigjën pjesëmarrje në këtë mbrëmje.
Jemi të vetëdijshëm se mbrëmjet si kjo e sotmja, duhet të na gjejnë sa më të përgatitur për çaste dhe hapësirë festive. Si sonte, në vitin 1912, i gjithë populli shqiptar ishte në çastin më vendimtar për të ardhmen e tij, derisa më 28 nëntor 1912, ditë e premte, Shqipëria u shpall shtet i pavarur dhe sovran, pra e vehte, e lirë dhe e mosvarme.
Duke e ditur se muaji i nëntorit është muaji kur shqiptarët bëhen bashkë dhe festojnë, Kryesia e BISh-Kt.Glarus dhe LAPSh “Naim Frashëri“-Kt.Glarus u dakorduan që festa e 28 Nëntorit të organizohet bashkërisht, me qëllimin që mbrëmja e sotme të jetë sa më festive dhe argëtuese. Ngjarja tragjike e vdekjes së 45 shqiptarëve në autobusin që po udhëtonte prej Turqisë nëpër Bullgari me destinacion kthimin në shtëpi, në familje, ishte lajmi që na tronditi të gjithëve, sikundër të gjithë shqiptarët kudo në botë. Kishim dilema dhe diskutime se a duhet të realizojmë programin e paraparë për sonte, apo ta anulojmë këtë në shenjë pikëllimi dhe mërzie që na shkaktoi kjo tragjedi. U dakorduam që pjesët argëtuese t`i largojmë nga programi, dhe tubimi jonë i sotëm të ketë më shumë karakter familjar, shoqëror dhe solidar. Jemi nën çatinë e xhamisë ku takimet dhe tubimet tona bëhen gjithnjë duke i pasur parasysh rrethanat dhe gjendjen shpirtërore të secilit prej nesh.
I shprehim ngushëllime të sinqerta të gjithë familjarëve që i humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Ngushëllime të gjithë shqiptarëve.
Gjithashtu, nuk mund të mos e përmendim edhe rastin tragjik të ndodhur dje, që në mënyrë fatale dhe kriminale u shuan 3 jetëra të pafajshme. Nuk ka rrugë më të bereqetshme dhe më të sigurt se sa rruga që ndiqet prej shtëpisë deri në shkollë dhe anasjelltas. Që çmenduria nuk ka kufij dhe njerëzillëk, atë mund ta shohim kur jeta e të riut ndërpritet, pikërisht në moshën kur dëshira për të jetuar dhe për tu përgatitur për të ardhmen, vihen në shënjestrën e të pabesëve. Është e rëndomtë këshilla e prindërve kur fëmijëve të tyre i thonë se të gjithë jemi udhëtarë në jetë dhe gjatë udhëtimit na bie të takojmë njerëz të urtë. Porse, këshilla duhet të vazhdojë edhe duke i thënë fëmijëve se gjatë udhëtimit mund të gjendemi në situata kur na dalin në pritë njerëz të pabesë. E jona është që të lutemi për të vdekurit, që ata Zoti i Madhërishëm t`i mëshirojë dhe t`i shpërbleje me xhenet, që familjarët të bëjnë durim, dhe që kurrë më mos të ketë raste të vdekjeve tragjike dhe aksidentale.
Jemi sonte këtu bashkë, për të shprehur solidarizim dhe pikëllim, por jo edhe për ta lënë anash pa e përmendur angazhimin e BISh-Kt.Glarus dhe LAPSh “Naim Frashëri“-Kt.Glarus
BISh-Kt.Glarus angazhohet të arrihen suksese në fushën e emancipimit, integrimit dhe prezantimit të drejt të vlerave kombëtare dhe fetare të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.
Dhe shih për këtë BISh-Kt.Glarus në muajin tetor të këtij viti ka pranuar që nën hijen e KMShZ-së të jap kontributin e vet, sikundër edhe jemi në rrugë të mbarë që bashkë me LAPSh-Kt.Glarus të forcojmë komunikimin dhe të gërshetojmë të gjitha idetë dhe përpjekjet, që ndër synim kryesor e kanë kultivimin e ruajtjes së kulturës dhe traditës shqiptare me të gjitha tiparet e saja.
Tashmë është e qartë dhe e ditur botërisht se edhe BISh-Kt.Glarus ndër synimet e saja e ka ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare. Ajo është shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve me banim në Kt.Glarus dhe rrethinë, të cilët vijnë nga të gjitha trojet etnike shqiptare. BISh-Kt.Glarus është e mirëinformuar për të gjitha sfidat me të cilat shqiptarët jetojnë dhe përballen në mërgatë. Sfidat e shqiptarëve të Kt.Glarusit janë të njëjtat sfida me të cilat ballafaqohen shqiptarët në mërgatë. Ruajta dhe kultivimi i identitetit kombëtar padyshim është sfida për të cilët vazhdimisht na tërhiqet vëmendja. Tashmë janë bërë 30 vite prej se Shkolla Shqipe nën çatinë e LAPSh-it, me shtrirje gjithandej Zvicrës, zhvillon aktivitet arsimor dhe edukativ në funksion të ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe ndjenjës kombëtare. Krahas kësaj, janë bërë 30 vite që shoqëri shqiptare të organizuara në Bashkësi Islame, tash në KMShZ-ë, të cilat me vetkontribut dhe vetorganizim angazhohen që shqiptarët të jenë të mirëorganizuar. Konsiderojmë se LAPSh “Naim Frashëri“ në Zvicër dhe KMShZ-ë janë dy faktorë kryesor shoqëror që bashkërisht ose veç e veç ndikojnë në përcaktimin dhe formimin human dhe shoqëror të shqiptarit në Zvicër, të atij shqiptari të vetëdijshëm, të ndërgjegjshëm dhe krenar për ta ruajtur, kultivuar dhe shfaqur identitetin e tij. Nuk ka datë më të përshtatshme se sa 28 nëntori që ne shqiptarëve na frymëzon për ta ndjerë krenarinë e të qenit shqiptar. 28 nëntori nuk është vetëm datë e shënuar në historinë shqiptare për ta na kujtuar se dikur në këtë datë është marrë një vendim historik dhe shoqëror për kombin shqiptar. Sot dhe gjithherë 28 nëntori ka qenë dhe është thirrje dhe ftesë për bashkim për ta ruajtur, mbrojtur dhe sendërtuar identitetin shqiptar. Pra, ruajtja, mbrojtja dhe sendërtimi i identitetit shqiptar sot është kauza dhe sfida edhe e shqiptarit i cili jeton në mërgim. Është kauzë sepse është porosi, është amanet i të parëve që Shqipëria, vendlindja, atdheu dhe gjuha të mos harrohen, por të trashëgohen dhe të transmetohen brez pas brezi. Është sfidë, sepse duke jetuar në vend të huaj, të rrethuar me kulturë dhe rend shoqëror tjetërfare, aq sa përshtatja dhe integrimi, edhe rritja dhe edukimi i fëmijëve në frymën kombëtare kërkon më shumë përkushtim, këmbëngulje dhe qëndrueshmëri. Por, ne mund të bëjmë hapa para vetëm atëherë kur rreth kauzës sonë bëhemi bashkë, kontribuojmë dhe marrim pjesë në të, qoftë në mënyrë individuale, qoftë në mënyrë të përfaqësuar. Ne mund të bëjmë hapa para kur rreth kauzës sillemi me ndërgjegje, pa e pasur në mendje arritjen e përfitimit të privilegjeve, favoreve apo imponimeve ideologjike që e dëmtojnë dhe e pamundësojnë arritjen e qëllimeve të synuara. Kanë kaluar 30 vite, apo edhe 100 vite që jetojmë dhe punojmë të ndarë, dhe ndarja apo veçimi nuk duhet të jetë referencë dhe arsyetim për çalimin dhe ngecjen në arritjen e synimeve. Nuk mund të luftohet ndarja me ide dhe qëllime ndarëse dhe përçarëse.
E djeshmja është dëshmitare se largimi nga shoqëritë përkatëse, apo qëndrimi nënçmues dhe injorues ndaj shoqërive të organizuara, e më e keqja, përkrahja ndaj formimit të paralelizmave, dhe përpjekja për të shantazhuar veprimtarinë shumëvjeçare të shoqërive shqiptare dhe të personaliteteve me kontribut, hap vetëm hendeqe të cilat e bëjnë të pamundshme mbajtjen gjallë të frymës shqiptare të të jetuarit dhe të vepruarit.
Mërgimtari shqiptar nuk ka kapacitet moral dhe as njerëzor që të mbajë anën e askujt që në mënyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë e dëmton përpjekjen dhe veprimtarinë shoqërore të dëshmuar me dekada.
Pra, në raport me shoqëritë shqiptare, përkatësisht në raport me BISh-Kt.Glarus dhe LAPSh-Kt.Glarus janë mërgimtarët shqiptarë ata të cilët me pjesëmarrje aktive dhe vullnetare, me anëtarësim dhe kontribut të përhershëm angazhohen që këto dy shoqëri të zhvillojnë aktivitetin e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e kulturës dhe identitetit shqiptar.
Fatkeqësisht, kemi edhe mërgimtarë të cilët mbajnë qëndrime mospërfillëse ndaj çdo veprimtarie që organizohen nga LAPSh-Kt.Glarus dhe BISh-Kt.Glarus.
Falënderim dhe mirënjohje të sinqertë për të gjithë anëtarët e BISh-Kt.Glarus dhe të LAPSh-Glarus për kontributin e tyre njerëzor, shoqëror dhe financiar, në ndërtimin e tempujve dhe kalave të ruajtjes së identitetit shqiptarë, veçanërisht në ruajtjen dhe kultivimin e ndjenjës shqiptare dhe fetare të shqiptarëve të Kt.Glarusit.
Përjetësisht mirënjohës për anëtarët e BISh-Kt.Glarus dhe donatorët joanëtarë të cilët me kontributin e tyre financiar kanë bërë që ne, edhe sonte të jemi këtu, nën çatinë e xhamisë për të organizuar këtë tubim të përbashkët.
I inkurajojmë të gjithë që të vazhdojnë me kontributin dhe pjesëmarrjen e tyre, në mënyrë që e ardhmja jonë e përbashkët të jetë më e suksesshme. I inkurajojmë të gjithë prindërit shqiptarë të kontribuojnë dhe të ndikojnë te fëmijët e tyre në ndjekjen e mësimit të gjuhës shqipe që organizohet dhe mbahet nga LAPSh-Kt.Glarus.
I inkurajojmë të gjithë, qoftë individualisht a familjarisht, të vijnë në xhami për lutje dhe adhurime, se xhamia është vendi ku shpirti dhe zemra gjen qetësi, është vendi ku ne frymëzohemi dhe marrim forcë për të jetuar dhe vepruar në bashkësi.
Faleminderit të gjithëve!
Gëzuar festën e Flamurit Kombëtar!
Netstal, 27.11.2021
Bashkësia Islame Shqiptare-Kt.Glarus