Disa postera janë vendosur në pjesë të ndryshme në Mitrovicë të Veriut të premten.
Këtë e kanë konfirmuar për KOHËN nga Policia e Kosovës.
“Një grup i grave i ka vendosur këta postera, janë vendosur në disa vende në Mitrovicë të Veriut, si një lloj aksioni ose proteste e tyre”, ka deklaruar shefi i operativës rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë.
Në njërin nga posterat, fotografitë e të cilave i ka publikuar radio Kontakt Plus paraqitet një zyrtar policor duke kontrolluar një fëmijë, afër të cilit shihen biskotat serbe “Plazma”.
Në një tjetër shihet një pastruese me logo të Lëvizjes Vetëvendosje duke i fshehur biskotat “plazma”. Dhe në një tjetër një person i maskuar, duke gjuajtur një kuti të këtyre biskotave.