Në veri të Gazës pas disa muajsh mbërrijnë për herë të dytë ndihma humanitare

Pas një periudhe prej rreth 4 muajsh në qytetin Jabalia në veri të Rripit të Gazës ka mbërritur pjesa e dytë e ndihmës përmes rrugës Salah al-din i cili lidh pjesën jugore dhe veriore të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka siguruar nga burimet lokale, ushtria izraelite ka lejuar hyrjen e ndihmës humanitare të përbërë nga 9 kamionë në rajonin verior të Rripit të Rripit të Gazës i cili përfshin qytezat Jabalia, Beit Al-Hanoun dhe Beit Lahia.

Dërgesa e ndihmës e cila përmban miell, oriz, ushqim të konservuar dhe sheqer mbërriti në kampin e refugjatëve Jabalia nën kujdesin e shërbimit të sigurisë së qeverisë së Gazës në bashkëpunim me fiset palestineze si dhe u vendos në magazinat që i përkasin Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

Në një deklaratë të bërë dje nga “Fronti i Brendshëm” i formuar përmes medias sociale e lidhur me qeverinë për të ndjekur zhvillimet lidhur me luftën në Gaza, u theksua se autokolona e ndihmës humanitare me 12 kamionë ka mbërritur në veri të Gazës.

UNRWA në bashkëpunim me forcat e sigurisë të qeverisë së Gazës dhe fiset palestineze kreu dje shpërndarjen e parë të rregullt të ndihmës. Për të marrë këtë ndihmë e cila u realizua pas rreth 4 muajsh më vonë, qindra palestinezë u dyndën në një qendër shpërndarjeje të UNRWA-së dhe si pjesë e shpërndarjes së ndihmës çdo familjeje iu dhanë nga 5 kilogram miell.

Që nga fundi i nëntorit të kaluar e deri më tani asnjë ndihmë humanitare nuk ka mbërritur në veri të Rripit të Gazës. Për këtë arsye në rajonin u përjetua mungesë e madhe ushqimore. Sipas të dhënave të fundit nga uria dhe etja kanë humbur jetën 27 persona.