Në përgjithësi, në Velipojë nuk i kalojnë pushimet djemtë me makina të shtrenjta që ua kanë blerë baballarët e tyre të pasur. Këtu nuk vijnë të pushojnë as bukuroshet e ‘dubait’, pra as gocat e pasura që në trup kanë më shumë silikon dhe botoksë se sa muskuj dhe të cilave, si të tilla, as nënat e tyre nuk ua kujtojnë dukjen e natyrshme.
Shumica e pushuesve të Velipojës janë baballarët që i mbikëqyrin fëmijët e tyre të vegjël dhe djemtë që kujdesen për prindërit e tyre të moshuar. Si dhe vajzat që mbajnë për dore nënat e veta plaka, e të cilat nëna nuk i freskon gjithaq uji i detit, sa kujdesi dhe dashuria e pasardhësve të tyre.
Në Velipojë nënat u bërtasin fëmijëve shqip, fëmijët lazdrohen dhe gëzohen shqip, bashkëshortët qortohen mes veti shqip, mysafiri i hidhërohet kamarierit shqip… Shkurt, në Velipojë pushohet ‘shqip’ dhe aty gjen pushues nga të gjitha viset e shqiptarisë, shumica e të cilëve mbase nuk janë të pasur, por kanë aq sa për të paguar një dhomë dhe tre vakte ushqim.
Dhe ndoshta Velipoja kurrë nuk duhet të hekë dorë nga ky lloj turizmi, sepse përndryshe do mund t’i ndodhë ajo që është duke i ndodhur Ulqinit: të shtohet numri i turistëve boshnjak e serb, por nga dita në ditë të pakësohet ai i atyre që e mbajtën gjallë turizmin e këtij qyteti edhe atëherë kur aty nuk vinte thuajse askush – shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë.
Pra do mund t’i ndodh që, duke dashur të ndjellë sa më shumë turistë të huaj, të mos arrijë asgjë më shumë se sa ‘varfanjakët’ shqiptarë t’i zëvendësojë me pushuesit e huaj që sjellin me vete jo vetëm domatet, por edhe bukën.
Ndërkohë duhet pranuar: Velipoja e kësaj vere është më e organizuar, më mikpritëse dhe me e pastër se kurdo qoftë më parë. Ajo është edhe me më pak qenë endacak dhe për çudi – thuajse pa mushkonja.
Disa thonë se e tëra kjo ka të bëjë me administratën e re që e drejton Bashkinë e Shkodrës. Administratë e cila dëshiron t’u dëshmojë drejtuesve të mëparshëm sa nuk janë kujdesur për këtë margaritar të bregdetit shqiptar.
Por edhe nëse është ashtu atëherë njeriu s’ka pse mos thotë: dhashë Zoti u shtohet inati që të tregohen edhe më të mirë seç janë. Më në fund, njeriu duhet të jetë i padrejtë e të mos pranojë se e majta e Shqipërisë nuk është ajo që shpërfaq klubi i ‘Rilindjes’, klub të cilin, siç duket, e dominojnë zhvatësish e Shqipërisë, klub i cili burgjet e vendit i furnizon me ‘lëndën’ e tyre të parë – me qeveritarë hajdutë.
Nga: Kim Mehmeti