Në Turqi mbahen protesta kundër sulmeve në xhaminë Al-Aksa

Një numër i organizatave joqeveritare turke sot do të mbajnë protesta në mbarë Turqinë me rastin e ndërhyrjes dhe sulmeve nga policia izraelite në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke filluar në Stamboll dhe në kryeqytetin Ankara, organizatat joqeveritare në qytete anembanë Turqisë sot kanë paralajmëruar protesta dhe konferenca për media në të cilat do të dënojnë sulmet e policisë izraelite në xhaminë Al-Aksa.

Kryetari i organizatës humanitare turke IHH, Bulent Yildirim sot në Stamboll, në prezencën e dhjetëra imamëve, profesorëve dhe akademikëve, do të lexojë një deklaratë në lidhje me ngjarjet e fundit në Jerusalem.

Para kosullatës së përgjithshme të Izraelit në Stamboll në ora 11:00 është paralajmëruar protestë, kurse në ora 12:00 marsh protestues me moton “Zgjohuni muslimanë, është pushtuar kibleja juaj e parë”.

Programe të ngjashme për sot, por edhe gjatë fundjavës, janë paralajmëruar edhe në Ankara, Adana, Antalia, Bursa, Çanakala, Eskisehir, Bilecik, Dijarbakir, Bingol, Edirne, Erzurum, Ardahan, Erzincan, Tuncel, Kars, Igdir, Gaziantep, Kilis, Malatja, Izmir, Kajseri, Konja, Sakaria, Samsun, Trabzon, Van, Hakkari, dhe shumë qytete të tjera.

Popullata lokale muslimane në kompleksin Al Aksa nuk ka mundur të hyjë nga e premtja deri të hënën, kurse forcat izraelite të dielën në hyrje të kompleksit ngritën pika kontrolli shtesë me detektorë metalikë.

Palestinezët protestojnë ndaj këtyre masave dhe refuzojnë të hyjnë në kompleks, por lutjet i bëjnë para kompleksit.

Kriza u përshkallëzua të premten në mëngjes, kur policia izraelite vrau tre palestinezë para dhe në kompleksin Al-Aksa, ku e gjitha rezultoi me trazira të përgjithshme në të cilat u plagosën disa njerëz, përfshirë dy policë izraelitë të cilët ndërruan jetë rrugës për në spital.

Policia izraelite më pas urdhëroi mbylljen e kompleksit Al-Aksa ndërsa palestinezët për herë të parë që nga pushtimi i vitit 1967 namazin e xhumasë e falën jashtë mureve të qytetit të vjetër.