Të paktën 6 civilë janë plagosur në sulmet e grupeve terroriste nën kontrollin e regjimit të Asadit dhe mbështetësit të tij Iranit ndaj vendbanimeve civile në shkelje të armëpushimit në zonën e de-eskalimit në Idlib të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA)
Forcat e regjimit, të përbëra nga ushtria e regjimit të Asadit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani, të vendosura në qarkun Serakib në verilindje të Idlibit, shkelën armëpushimin duke sulmuar rrethin Binnish në verilindje të Idlibit.
Sipas informacioneve të marra nga burime të Mbrojtjes Civile, 6 civilë kanë mbetur të plagosur, nga të cilët 2 në gjendje të rëndë. Të plagosurit u dërguan në spitalet e afërta.
Situata në Idlib
Qyteti Idlib në veriperëndim të Sirisë, njihet si fortesa e opozitarëve pothuajse që nga fillimi i luftës së brendshme. Me migrimin e brendshëm, Idlibi arriti në 4 milionë banorë ndërsa në mars 2015 ai kaloi nën kontrollin e opozitarëve. Idlibi ndodhet në krye të rajoneve që regjimi vendos në shënjestër në mënyrë intensive.
Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit në Astana më 4-5 maj 2017, Idlibi dhe zonat përreth u shpallën “zona të deeskalimit”. Turqia dhe Rusia arritën marrëveshje shtesë pasi forcat e regjimit shkelën shpeshherë armëpushimin.
Forcat e regjimit me ndihmën e mbështetësve të tyre vazhdojnë sulmet pavarësisht marrëveshjes që u nënshkrua në qytetin Soçi të Rusisë më 17 shtator 2018.
Përafërsisht 2 milionë civilë që ikën nga sulmet gjatë periudhës 2017-2020 u detyruan të migrojnë në rajonet afër kufirit turk. /aa