Drejtori i Ambulancës dhe Emergjencave të Gazës, Hani al-Jafarani ka humbur jetën në sulmin e ushtrisë izraelite që synonte qendrën shëndetësore Al-Durj në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.
Në deklaratën me shkrim, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha: “Me keqardhje njoftojmë për vdekjen e drejtorit të Ambulancës dhe Emergjencave të Gazës, Jafarani, si rezultat i avionëve luftarakë pushtues izraelitë që synonin dje klinikën Al-Durj në pjesën qendrore të Rripit të Gazës”.
Në deklaratë thuhet se sa ishte gjallë Jafarani, ai dhe kolegët e tij ditë e natë pa hezitim bënë përpjekje të mëdha për evakuimin e viktimave dhe të plagosurve nën bomba.
“Ministria e Shëndetësisë, së bashku me të gjithë ofruesit e kujdesit shëndetësor, konfirmon vendosmërinë e saj për të vazhduar misionin humanitar dhe mjekësor, pavarësisht nga shënjestrimi sistematik dhe vrasja direkte e 500 personelëve shëndetësorë deri më sot dhe ndalimi i më shumë se 310 personelëve shëndetësorë në kushte të rënda dhe çnjerëzore”, theksohet në deklaratë.
Në sulmet e kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës që nga 7 tetori janë vrarë 37.598 palestinezë, përfshirë të paktën 15.694 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa 86.032 persona u plagosën. Ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.