Në su’lmet iz’raelite në Khan Younis vr’iten 38 pa’lestinezë, përfshirë 10 fëmijë

Në sulmin që ushtria izraelite kreu në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, humbën jetën 38 ​​palestinezë, mes të cilëve 10 fëmijë, raporton Anadolu.

Dëshmitarët okularë në deklaratën për AA thanë se ushtria izraelite shënjestroi shtëpinë që i përket familjes “Al-Fera” në Khan Younis dhe se shumë njerëz u vranë dhe u plagosën nga sulmi.

Dëshmitarët thanë se avionët luftarakë izraelitë dhe njësitë e artilerisë shënjestruan lagjet Al-Manara, Maan, Al-Sheikh Nasser, Giyzan al-Najjar në jug të qytetit dhe për këtë arsye, qindra familje palestineze u zhvendosën në perëndim të Khan Younis.

Ushtria izraelite kreu sulme të kufizuara tokësore në rajonet lindore të qytetit gjatë natës, thanë dëshmitarët duke shtuar se paralelisht me këtë u kryen edhe sulme ajrore. Dëshmitarët nënvizuan se ushtria izraelite shkaktoi dëme serioze në shtëpitë dhe pronat e palestinezëve në zonën ku hyri nga toka.

Në deklaratën nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza thuhet se të paktën 38 palestinezë u vranë ndërsa shumë të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë janë plagosur në sulmet izraelite ndaj Khan Younis.

Burime shëndetësore nga Khan Younus në një deklaratë për AA theksuan se trupat e 10 fëmijëve u sollën në spitalet “Nasser” dhe “Gaza-Europe” për shkak të sulmeve intensive të ushtrisë izraelite në lagjet në pjesët lindore dhe jugore të qytetit.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 42.847 palestinezë, përfshirë rreth 17 mijë fëmijë dhe 11.378 gra, ndërsa 100.544 të tjerë u plagosën. Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit janë strehuar.