Të paktën 6 palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet e Izraelit në të cilat u shënjestruan shtëpitë e civilëve në qytetin e Gazës dhe në kampin e refugjatëve Nuseirat, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate të bërë nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile në Gaza, avioni luftarak izraelit kreu sulm ndaj shtëpisë së familjes Sahvil në kampin e refugjatëve Al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës. Në sulm humbën jetën 4 palestinezë dhe u plagosën shumë të tjerë.
Edhe burimet shëndetësore konfirmuan se avioni luftarak izraelit shënjestroi shtëpinë e familjes Abid në kampin e refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ku si pasojë e sulmit humbën jetën 2 palestinezë dhe u plagosën shumë të tjerë.
Po ashtu mësohet se një palestinez u plagos si pasojë e bombardimit nga avionët luftarakë izraelitë ndaj një tende në të cilin ishin të strehuar njerëz të zhvendosur në afërsi të parkut që i përket bashkisë së kampit të refugjatëve Al-Maghazi.
Dëshmitarët okularë kanë transmetuar se automjetet ushtarake izraelite hapën zjarr ndaj pjesës veriore të kampit të refugjatëve Nuseirat, ndërsa anijet izraelite hapën zjarr drejt kampit të refugjatëve Al-Shati.