Gjashtë palestinezë humbën jetën dhe 35 të tjerë u plagosën në një sulm që ushtria izraelite kreu me mjet ajror pa pilot ndaj kampit të refugjatëve palestinez në Jenin, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë thuhet se 6 palestinezët që u vranë në sulmet e nisura nga Izraeli në Jenin u transferuan në spitalet Ibn Sina, Al-Amal dhe Shifa në rajon.
Sipas deklaratës, numri i palestinezëve të plagosur si rezultat i sulmeve izraelite është 35.
Ndërsa në një deklaratë të bërë nga ushtria izraelite u theksua se ushtria dhe agjencia e saj e brendshme e inteligjencës Shin-Bet (Shabak) nisën një sulm në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor.
Një burim ushtarak që foli për shtypin izraelit ka thënë se pritet që sulmet të vazhdojnë disa ditë.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Kryeministrisë izraelite, bëhet e ditur se sulmet ndaj Jeninit janë nisur me vendim të kabinetit të sigurisë së Izraelit.
Dëshmitarët që folën për AA-në deklaruan se forcat speciale izraelite bastisën edhe lagjet e kampit të refugjatëve Jenin dhe se në kamp u dëgjuan sirena që paralajmëronin një sulm.
Ndër të tjera dëshmitarët thanë se ushtria izraelite ka dërguar forca ushtarake në kamp dhe se dronët izraelitë shënjestruan dy pika në kamp.