Të paktën 13 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet që ushtria izraelite kreu ndaj qendrës Al-Maghazi dhe kampit të refugjatëve Nuseirat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.
Zyrtarët shëndetësorë theksuan për gazetarin e AA-së se në spitalin “Dëshmorët e Al-Aksa”-së krahas trupave të 13 personave që humbën jetën janë sjellë edhe shumë të plagosur si pasojë e sulmit ajror që Izraeli kreu në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Zyrtarët informuan se në mesin e të vrarëve dhe të plagosurve ka edhe fëmijë dhe gra.
Dëshmitarët thanë se sulmet ajrore të kryera nga avionët luftarakë izraelite ndaj dy shtëpive në kampet e refugjatëve Nuseirat dhe Al-Maghazi shkaktuan shkatërrime dhe dëme të mëdha.
Ekipet e Mbrojtjes Civile dhe ato shëndetësore vazhdojnë punimet për kërkimin e personave që kanë mbetur nën rrënoja.