Në Shkup dhe Tiranë përkujtohet 15 Korriku

Ambasada e Turqisë në Tiranë, Ministria e Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) kanë organizuar një ceremoni përkujtimore me rastin e përvjetorit të dytë të tentativës për grusht shteti të organizatës terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e ceremonisë së organizuar në Tiranë ishin ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e Shqipërisë, Sonila Qato, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Ceremonia filloi me një minutë heshtje në nder të dëshmorëve të 15 Korrikut, dhe pas himneve kombëtare të të dy vendeve, u shfaqën edhe video gjatë momenteve të tentativës për grusht shteti.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, në fjalën e tij në ceremoni tha se tentativa për grusht shteti e FETO-s ishte sulmi më i rëndë kundër rendit kushtetues demokratik, të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve turq dhe sigurisë kombëtare.

Ai tha se “Gjatë kësaj tentative për grusht shteti që kishte vënë në shënjestër vullnetin, unitetin, tërësinë dhe demokracinë e vendit tonë, me thirrjen e presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan me miliona shtetas u bashkuan si një trup i vetëm”.

“Karakteristikat tipike të kësaj organizate janë pastrimi i parave, shpifjet, falsifikimi i dokumenteve zyrtare, evazioni fiskal, konspiracioni, mbyllja në vetvete, prodhimi i fakteve false në labirintin e obskurantizmit, organizimi në celula dhe larja e trurit. Organizata është e shkrirë me krimin. Kështu pjesëtarë të FETO-s të arratisur drejt Shqipërisë pas 15 korrikut janë kapur në Shqipëri me karta identiteti dhe pasaporta false”, tha ambasadori turk.

Duke folur për elementët e organizatës terroriste FETO në Shqipëri ambasadori Yörük tha: “Pastrimi i kësaj organizate nga Shqipëria para së gjithash është në të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kur ne themi se kjo organizatë duhet asgjësuar plotësisht në këtë vend, duam që ajo që na ndodhi neve në sytë e të gjithë botës të mos u ndodhë edhe vëllezërve tanë shqiptarë. Sepse organizata është e njëjta organizatë. Funksionimi i saj është i njëjtë me atë në Turqi ose në vendet e tjera të Ballkanit”.

Ndërkohë në kuadër të programit “Heronjtë mes nesh”, në pranishëm në ceremoni ishin edhe veteranët Abdullah İrgin, Erdoğan Demir dhe Mehmet Tahir İkiler të cilët ndanë për të pranishmit përjetimet e tyre gjatë tentativës për grusht shteti.

Të pranishëm ishin edhe të afërm të dëshmorëve të 15 Korrikut, mes tyre edhe Nihal Olçok, bashkëshortja e dëshmorit Erol Olçok dhe nëna e dëshmorit Abdullah Tayyip Olçok.

Kujtojmë se më 15 korrik shënohet përvjetori i dytë i tentativës për grusht shteti në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETO, ku 251 policë, ushtarakë dhe civilë ranë dëshmorë dhe më shumë se 2000 të tjerë u plagosën.

Me rastin e 15 Korrikut, “Ditës së Demokracisë dhe të Unitetit Kombëtar” organizohen aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë Turqisë.

Shkup, Ambasada e Turqisë ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun

Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, në bashkëpunimin e Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) dhe Institutit Yunus Emre u organizua “Ceremoni përkujtimore për 15 Korrikun”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar në Kurshumli An të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, morën pjesë ministri pa resor në Qeverinë Maqedonisë, përgjegjës për investimet e huaja Adnan Kahil, zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Gönül Bayraktar, deputetë, krerë të partive politike, shoqatave dhe fondacioneve, përfaqësues të institucioneve turke në vend si dhe shumë të ftuar.

Programi në të cilin u shfaq edhe videoja e përgatitur nga AA me temë “Çfarë ndodhi më 15 korrik?”, filloi me një minutë heshtje dhe intonimin e himneve kombëtare të Turqisë dhe Maqedonisë.

Gjithashtu në kuadër të ceremonisë u ekspozuan edhe fotografitë e 15 korrikut të realizuar nga AA.

Ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, në fjalimin e saj me rastin e ceremonisë përkujtimore, tha se janë mbledhur që të përkujtojnë 251 dëshmorët e rënë në tentativën për grusht shteti para 2 vitesh, të shprehin falënderimet ndaj veteranëve dhe të nderojnë unitetin kombëtar, integritetin dhe demokracinë.

Ajo rikujtoi se në natën e 15 korrikut një grup i fshehtë i cili ishte infiltruar brenda Forcave të Armatosura të Turqisë është përpjekur të përmbysë rendin kushtetues.

“Por, bijtë e mëdhenj të kombit tonë, historia e të cilëve është e mbushur me lavdi dhe nderime, ashtu si në Luftën e Çanakkalasë dhe Luftën e Pavarësisë, për të mbrojtur atdheun, flamurin, shtetin, demokracinë dhe ardhmërinë tonë edhe njëherë me besimin e tyre në zemrat e tyre ata kanë vendosur trupat e tyre si mburojë kundër puçistëve të pabesë”, tha ambasadorja e Turqisë, Kara.

Kara duke theksuar se organizata terroriste e cila nuk njeh asnjë kufi moral dhe ligjor jo vetëm për Turqinë por edhe për të gjitha vendet tjera ku ajo vepron, tha se organizata ndikimin politik dhe fuqinë ekonomike e përdor për interesat e veta.

Ajo tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të tregojë të njëjtën vendosmëri kundër të gjitha organizatave terroriste.

“Në këtë kuadër, me rëndësi të veçantë është që të gjitha vendet mike në krye me Maqedoninë të jenë në bashkëpunim dhe solidaritet me vendin tonë në luftën e saj kundër organizatës terroriste tradhtare FETO që nuk njeh kufi në infiltrimin e sistemeve shtetërore ku vepron, duke filluar nga mbyllja ose transferimin e shkollave, fondacioneve dhe shoqatave të lidhura me FETO-n, përcaktimin e kompanive të lidhura me organizatën dhe ekstradimin e personave të lidhura me organizatën në vendin tonë ku do të gjykohen. Jemi të kënaqur nga fakti se mikja jonë e vjetër Maqedonia ishte në mesin e shteteve të para që treguan solidaritet me vendin tonë pas tentativës tradhtare të grusht shtetit të 15 korrikut dhe vendimin e marrë më 23 gusht 2016 në lidhje me përfundimin e veprimeve të mediave, shkollave dhe kompanive të lidhura me FETO-n”, u shpreh Kara.

Më tej në fjalimin e saj ambasadorja turke rikujtoi se kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke 21 dhjetor i ka dhënë mbështetje Turqisë në luftën e saj me FETO-n dhe ka shprehur besimin e plotë se Maqedonia nuk do ta lë të vetëm Turqinë në luftën kundër organizatës terroriste tradhtare në fjalë.

Kara tha se me pikëllim e shohin që shkollat, mediat dhe kompanitë të lidhura me FETO-n ende vazhdojnë të veprojnë në Maqedoni. “Është e qartë se organizata terroriste në fjalë synon të dëmtojë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Turqisë dhe Maqedonisë. Besojmë se në periudhën e ardhshme shteti vëlla i Maqedonisë me hapat e saj konkretë në luftën kundër FETO-s, do të eliminojë synimin e saj tradhtar dhe do të kurorëzojë miqësinë tonë qindra vjeçare”, tha ajo.

Pas fjalimit, ambasadorja dha edhe deklarata për mediat, ku tregoi se FETO e cila ka lidhje globale dhe nuk ngurron në shkeljen e kufijve moral dhe ligjor, edhe në vendet tjera ku vepron, është duke u strukturuar me përpjekje për të krijuar pika të pushtetit ekonomik dhe politik, gjë e cila tashmë dihet nga çdokush.

Kara tha se organizata terroriste në fjalë jo vetëm për Turqinë por edhe për sigurinë kombëtare të të gjitha vendeve përbën rrezik. Sipas saj, me qëndrimin e vendosur të Turqisë në luftën kundër FETO-s janë shkatërruar arteriet kryesore të organizatës.

Ajo në fund shprehu besimin se me hapat konkretë që do të ndërmerren në periudhën e ardhshme edhe një herë do të nxirret në pah solidariteti i rrënjosur i të dyja vendeve. “Turqia gjithmonë do të japë mbështetjen e saj ndaj Maqedonisë e cila është duke kaluar nëpër procese të rëndësishme, ashtu siç ka bërë që nga pavarësia e vendit”, tha ambasadorja Kara.

Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore në fshatin Kocacik do të mbahet panel me temë “Reflektimi i Bashkimit Kombëtar dhe Demokracisë në Ballkan – Turqi e fuqishme, Ballkan i fuqishëm”.

Ndërsa aktivitetet do të përfundojnë me kujdestarinë për demokraci të organizuar nga Unioni i Demokratëve Ndërkombëtarë pranë ambasadës së Turqisë në Shkup.