Shkolla Fillore “Halit Geci” në Llaushë të Skenderajt, ishte ndërtuar në vitin 2002 nga Banka Islame për Zhvillim, pasi që ajo ekzistuesja u dogj gjatë luftës në vitin 1998.
Mirëpo, si duket dikend në këtë shkollë e ka penguar ky investim i Bankës Islame, e cila ua mundësoi qindra nxënësve të marrin diturinë në kushte të përshtatshme shkollore.
Burime të Mesazhi.com nga kjo shkollë bëjnë të ditur se pllaka e investitorit që ishte e vendosur në hyrje të shkollës është larguar disa ditë më parë.
Siç shihet edhe në fotografinë e siguruar nga Mesazhi.com, aty më nuk figuron pllaka e cila tregonte investitorin e kësaj shkolle.
Sipas burimeve të portalit tonë kjo u bë “për shkaqe të urrejtjes së disa zyrtarëve të lartë të kësaj shkolle, por edhe atyre komunalë ndaj myslimanëve, konkretisht botës arabe, nga vjen edhe investitori”.
Kjo shkollë ishte djegë nga policia dhe ushtria serbe më 3 gusht 1998.
Pas mbarimit të luftës mësimi u mbajt në tenda dhe kontenjerë, ku numëroheshin 16 paralele me 460 nxënës dhe 25 punëtorë.
Në vitin 2002 u ndërtua shkolla e re e financuar nga Banka Islamike për Zhvillim.
Shkolla e re tani mori edhe emrin e ri, emrin e mësuesit dëshmor ”Halit Geci”.
Banka Islame për Zhvillim ka 56 vende anëtare. Qëllimi kryesor i bankës është dhënia e kredive e granteve për projekte të ndryshme, që do të sigurojnë zhvillim ekonomik dhe social.