Një imam në Kanada tha se ka marrë kërcënim me vdekje, ndërkohë që në një tjetër kërcënim tha ai, është bërë thirrje për djegien e xhamisë në afërsi të Torontos ku imami është i angazhuar, raporton Anadolu Agency (AA).
Kërcënime ka patur edhe në kryeqytetin Otava, ku të mërkurën u zbulua një letër me porosi të urrejtjes e vendosur nën derën e Qendrës së Kujdesit Islamik, në të njëjtën ditë kur godina u përfshi nga një zjarr i cili shpërtheu në pjesën anësore të ndërtesës.
Imami Ibrahim Hindy i tha të përdishmes kanadeze “Globe and Mail”, se kishte pranuar një e-mail në të cilin është kërcënuar me jetë, ndërkohë që të njëjtit i ishte bashkangjitur një fotografi e një njeriu të varur në litar.
Hindy është anëtar i këshillit shkollor të një grupi multi-fetar në Mississauga, qytet ky shumë afër Torontos.
Muajin e kaluar, mbledhja e Këshillit ishte shndëruar në një protestë të dhunshme kundër vendimit të shkollës e cila lejon nxënësit muslimanë të vijojnë namazin e xhumasë.
Gjatë protestës janë grisur faqet e Kur’anit dhe të njëjtat u hodhën në dysheme.
Hindy ka folur në mbrojtje të bordit të shkollës, por tha se kurrë nuk priste që ai të shndërrohet në objekt të një urrejtjeje të tillë.
“Ka qenë e paimagjinueshme për mua se njerëzit do të më sulmojnë me një urrejtje të tillë”, tha Hindy për Global News, duke shtuar se është sulmuar edhe përmes internetit ku ka marrë kërcënim me vdekje.
“Kërcënime ka patur edhe në mediat sociale, ku njerëzit flisnin hapur për djegien e xhamisë ku punoj”, tha Hindy sipas të cilit policia ka shpeshtuar patrullimet rreth xhamisë.
Ndërkohë në Ottawa, policia tha se dikush i vuri zjarrin mbeturinave të grumbulluara pranë portës së Qendrës së Kujdesit Islamik, por nuk zbuloi përmbajtjen e letrës së vendosur nën derën e saj.
“Jemi duke e trajtuar si krim nga urrejtja”, deklaroi drejtori ekzekutiv i Qendrës, Omar Mahfoudhi.
Javën e kaluar, Qendrës iu thyen dritaret si dhe një xhamie të Otavës.