Ballina Lajmet Kosovë Në QPS çdo ditë raportohen raste të dhunës në shkolla

Në QPS çdo ditë raportohen raste të dhunës në shkolla

Posedimi i armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta nga nxënësit në shkolla është një dukuri në rritje. Bëhet apel tek prindërit që të kontrollojnë më shumë fëmijët e tyre.

Dukuria e posedimit të armëve të zjarrit dhe atyre të ftohta nga nxënësit është shtuar.
Kështu, në Qendrën për Punë Sociale, thirrjet e këtij lloji për intervenim janë të përditshme.

“Pothuajse nuk ka ditë që nuk e kemi një telefonatë, nuk e kemi një email nga ndonjë prej shkollave të shumta të Prishtinës që nuk ka një rast që duhet të intervenojmë dhe sigurisht që ato raste që vijnë tek ne janë raste që nuk kanë mund t’u gjendet zgjidhje brenda shkollës dhe iu janë referu QPS”, thotë Vebi Mujku nga Qendra për Punë Sociale.

Ai poashtu kërkon nga prindërit që të kenë interesim më të lartë për fëmijët.

“Ne ju bëjmë apel të gjithë prindërve që në vazhdimësi fëmijëve t’u kontrollojnë çantat, t’u kontrollojnë xhepat, të shohin se çka posedojnë fëmijët e tyre. Posedojnë mjete të ndryshme; thika, boksa hekuri, shkopinj, substanca narkotike….dhe këtu është përgjegjësia kryesore e prindit”, ka thënë ai.

E për dhunën që shkaktohet në shkolla janë disa faktorë.

“Fillimisht duhet me pa, me analizu historinë e familjes, me pa nëse ka pasë histori të abuzimit, më pas duhet me pa historinë e bullizimit nëse ka qenë në raport me atë fëmijë nga bashkëmoshatarët ose në kontekste të tjera,më tutje duhet me pa nëse ekziston potencial për substanca narkotike, masanej vështirësitë e shëndetit mendor”, thotë Leotrim Edipi- psikolog

Sipas Policisë së Kosovës, për periudhën kohore janar-mars 2023 numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara në shkolla dhe përreth tyre është gjithsej 147 raste.

Exit mobile version