Dy ditë para afatit për tërheqjen e saj nga Libani jugor, ushtria izraelite sot ka hyrë në qytetet jugore Aitaroun dhe Qantara, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se “një patrullë izraelite hyri në lagjen Zaqaq të qytetit jugor libanez Aitaroun, duke u përfshirë në operacione me buldozerë dhe duke i vënë flakën disa shtëpive”.
“Forcat izraelite hynë gjithashtu në qytetin jugor Qantara, duke i vënë zjarrin automjeteve dhe duke dëmtuar një xhami lokale”, raportoi agjencia, duke shtuar: “Forcat izraelite kryen gjithashtu një shpërthim të dhunshëm në qytetin jugor Rab’ Thalathin”.
Sipas agjencisë, patrulla izraelite vazhdon të ruajë pozicionin e saj në zonë.
Shpërthimi i dhunës ështëi ngjashëm me vrasjen e dhjetëra palestinezëve në Gaza vetëm disa orë përpara fillimit të marrëveshjes së armëpushimit të së dielës së kaluar.
Të paktën 11 shkelje izraelite të marrëveshjes së armëpushimit të 27 nëntorit 2024 u raportuan të mërkurën, duke e çuar numrin total të shkeljeve në 633 që nga zbatimi i marrëveshjes.
Një armëpushim i brishtë ka qenë në fuqi që nga 27 nëntori, duke i dhënë fund një periudhe të bombardimeve të ndërsjella midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah që filluan më 8 tetor 2023 dhe u përshkallëzuan në konflikt të shkallës së plotë më 23 shtator 2024.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, ushtria izraelite duhet të përfundojë tërheqjen e saj nga Libani jugor brenda kornizës kohore 60-ditore, e cila përfundon të dielën.