“Në Partinë Demokratike mbizotëron mendimi se Biden duhet të tërhiqet nga gara presidenciale”

Gazeta amerikane “New York Times” raporton se në takimin e mbajtur me pjesëmarrjen e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Partisë Demokratike, u tha se presidenti i SHBA-së, Joe Biden “duhet të tërhiqet nga gara presidenciale”, transmeton Anadolu.

Burime që folën për gazetën dhe nuk donin të zbulonin identitetin e tyre thanë se në takimin e djeshëm online mes demokratëve janë diskutuar “shqetësimet për moshën e Bidenit dhe mundësinë e rizgjedhjes së tij”.

Sipas burimeve, në takim u tha se në seancën e organizuar nga kongresisti i Partisë Demokratike, Hakeem Jeffries, doli një “opinion” për ndryshimin e kandidatit presidencial me qëllim që partia “të mbajë Shtëpinë e Bardhë dhe të ruajë epërsinë e saj në Kongres”.

Burimet thanë se mes atyre që shprehën mendimin se Bideni duhet “të tërhiqet patjetër nga gara presidenciale” ishin figura të larta të Partisë Demokratike që kryesojnë me komisione të ndryshme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së ndërsa disa anëtarë të Kongresit shprehën mbështetjen e tyre për Bidenin.

Zyrtarët demokratë deklaruan se mes atyre që vazhdojnë të mbështesin Bidenin, mbizotëron mendimi se “presidenti duhet të bëjë më shumë përpjekje për të fituar garën”. Gjithashtu u tha se edhe takimi i organizuar nga Jeffries ishte tregues i “mjedisit të panikut” brenda partisë.