Ballina Autorë Opinione Në një vijë me “të madhin”, në kohën e duhur!

Në një vijë me “të madhin”, në kohën e duhur!

Daut Dauti

Me rëndësi për popujt e vegjël është që të përputhen me interesat e shteteve të mëdha dhe mund të thuhet se shqiptarët kanë pasur një fat dekadat e fundit… Por, kohëve të fundit po dëshmohet se vonesa e proceseve, vërtet, më shumë se aleancat me partnerët strategjikë, u tregua si aleati më i keq i rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës dhe tash Kosova është në disavantazh në gjithçka, ndërkaq alternativa të tjera nuk ka.

Daut DAUTI, Shkup

1. ALEANCAT E NJË SHTETI TË PËRZIER

Nëse shikojmë konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, aty është ngjizur një mendësi te maqedonasit se Amerika u ndihmoi shqiptarëve, njësoj si dy vjet më parë edhe atyre të Kosovës. A është thyer diçka thellë në ndërdije te maqedonasit kundrejt Amerikës, nga një episod i historisë së tyre të keqkuptuar, ndryshe me shqiptarët, që proamerikanizmin nuk e heqin nga goja. Tezat e politikanëve dhe mediave, sikur e gjithë bota është çuar për ta shkatërruar Maqedoninë, duke forcuar tezën se agresioni ka ardhur nga Kosova, e dihet se Kosovën e kanë në dorë amerikanët dhe forca të NATO-s, e kanë pjekur këtë bindje e cila nuk shqitet as sot e kësaj dite. Edhe pse SHBA-ja ka qenë ndër përkrahësit e mëdhenj të pavarësisë së Maqedonisë që nga fillimi, se madje një president amerikan (Bushi i ri) në vitin 2008 e kishte vënë gjithë autoritetin e tij për ta pranuar në NATO, ajo ndjenjë mosbesimi ndaj amerikanëve ka mbetur. Aleatë po, por disi prej zori! Ka mbetur dhe është përforcuar edhe me një rritje euroskepticizmi, por ende jo në përmasa kritike. Kundrejt kësaj ka pasur dhe ka ende politikanë që kanë një sentiment tjetër ndaj pansllavizmit dhe, së këndejmi, edhe ndaj Rusisë, ndonëse historikisht Moska e ka mbështetur “botën serbe”, e cila realisht ka qenë kundrejt synimeve shekullore maqedonase! Për shkak të tri dekadave “përplasje” midis konceptit egoist për shtetin “Maqedonia e maqedonasve dhe Maqedonisë multietnike, si diçka të papërputhshme, ka mbetur edhe ai qëndrimi pak a shumë dyshues, ndaj dhe shumëkush në Maqedoni nuk e sheh më BE-në dhe NATO-n si përcaktime të përjetshme gjeostrategjike… Përmenden, madje, grupimi i shteteve në BRICS, Rusia, Kina… Aleancat e një shteti ose një populli duhet parë nga këndvështrimi i interesit të tyre nacional, çka u përgjigjet më së shumti nga këndvështrimi i interesave përtej politike, ndaj dhe ka raste, si Turqia, anëtare e NATO-s dhe aleate e Perëndimit, e cila pas një incidenti me rrëzimin e aeroplanëve rusë në Siri (zyrtarisht përmendej se ka ndodhur në hapësirën ajrore të Turqisë), u gjet në hall të madh pas bojkotit të qendrave turistike dhe mallrave turke nga Rusia, gjë që u desh një lëvizje e re për ta tejkaluar këtë situatë. Prej kohësh kemi një aleancë të deklaruar të Turqisë me Perëndimin, por dhe një bashkëpunim në fusha tjera me Rusinë. Gjithë bota i frikësohet Kinës, porse të gjithë investojnë atje ose tregtojnë me mallrat e saj…, ndaj dhe shumë qartë bëhen distinksionet e partneriteteve politike dhe marrëdhënieve tjera.
Te ne, euroskeptikëve e skeptoamerikanëve që nuk deklarohen gjithnjë publikisht, ua ka vështirësuar vetë Rusia përcaktimin “alternativ” me agresionin në Ukrainë dhe pakkush do të dilte haptas për ta përkrahur shtetin që shkel të drejtën ndërkombëtare dhe cenon një shtet sovran.
Te bota shqiptare nuk ekziston një dilemë e tillë, sepse përveç ndonjë konspiracionisti që beson se Putini është luftëtar ndërmjet Kaballës dhe Komitetit 300 ose nga grupi i atyre që janë joshur nga paratë ruse, pakkush mendon se shqiptarët duhet të kthehen në “Paktin e Varshavës” (ku dikur ka qenë edhe Shqipëria), të vdekur bashkë me Brezhnjevin, por në tjetër formë, të reinkarnuar në xhandarin e ri, Rusinë e Putinit.
Përpëlitja midis aleancave të mëdha për një shtet multietnik edhe mund të jetë problem serioz, sepse nuk mund të ketë një bashkësi të madhe etnike, e cila do ta ndërronte aleatin, ndërsa një bashkësi e dytë, me 30 për qind, të kërkojë një partner tjetër. Tema që u hap në këto zgjedhje nuk ishte naive, jo pse dikush deshi ta trajtojë si çështje gjeostrategjike midis Perëndimit (integrimi në BE) dhe Rusisë, por sepse pas agresionit rus në Ukrainë, pretendimet e Rusisë për Ballkanin u bënë një çështje reale, sepse në rrjetin e saj, përveç Serbisë si aleate historike, pretendon të futë edhe popuj tjerë ortodoksë (maqedonasit, bullgarët), me çka seriozisht krijon përplasje në shoqëritë e përziera. Maqedonia mund të jetë e para në këtë sfidë. Kjo vjen edhe nga vlerësimet gjithnjë e më të theksuara se bota po shndërrohet në multipolare, se popujt nuk kanë vetëm një alternativë. Nëse mund të ketë zëra margjinalë të politikës në Maqedoni që preferojnë një aleancë tjetër (kësaj mund t’i kontribuojnë edhe qëndrimi, shpesh joparimor nga BE-ja, për vendet pretendente, e në rastin e Maqedonisë, pas Greqisë, historia përsëritet edhe nga kushtëzimet e Bullgarisë), tash për tash kursi euroatlantik nuk ndryshon, të paktën subjektet kryesore mbeten në të.
Nuk duhet përjashtuar që në një kohë të ardhme, ndonjë qeveri e cila do të kishte orientim ndryshe nga ky i tashëm dhe do të ishte një sfidë serioze për kohezionin e brendshëm shoqëror, kur dy bashkësitë e mëdha do të shikonin në dy anë të ndryshme të botës.

2. HISTORIA SI MËSIM

Nëse dëgjon politikanët shqiptarë, ata nuk kanë as më të voglën dilemë se kush janë aleatë strategjikë. Amerikanët. E thonë aq shpesh dhe ndonjëherë edhe aq pa takt, sa ndoshta edhe vetë amerikanëve u duket një servilizëm që ata nuk duan ta shohin te partnerët e tyre më të vegjël. Doemos se shqiptarët nuk kanë aleatë më të mirë se amerikanët – edhe kur falë faktorit kohë, duket se sikur kanë ndryshuar gjërat ose, të paktën, nuk është ai idili i vjetër – nuk ekziston ai besimi i pakufishëm i ndërsjellë. Të paktën kështu duket nga prizmi i Kosovës – shqiptarët nuk kanë alternativë, edhe kur shohin një ndryshim të Uashingtonit kundrejt Serbisë në relacion me Kosovën. Zelli i madh i dikurshëm, sikur është zbehur, po ku mund të mbështetet Kosova për ta rrumbullakuar shtetësinë e vet? A ka rrugë tjetër?
Kthimi në histori na i jep edhe përgjigjet. Odiseada e pavarësisë së shtetit shqiptar e tregon gjithë kompleksitetin e të bërit aleanca, kur nevoja për mbështetje mund të dukej sikur ujkun ta ftosh të ta ruajë kopenë, sepse fuqitë e mëdha në plan të parë i kanë interesat e tyre! Nga Shën Stefani e Kongresi i Berlinit, nga Lidhja e Prizrenit e kryengritjet e fillimit të shekullit të 20-të, e gjer Konferenca e Ambasadorëve në Paris, për shqiptarët nuk ka qenë lehtë të gjejnë mbështetje. Turqia (Perandoria Osmane), që do të duhej të ishte njëmbështetëse e natyrshme për t’ua mundësuar shqiptarëve t’i qeverisnin territoret e tyre, nuk ishte më në gjendje t’ia bëjë qarën vetes, e lëre më shqiptarëve. Plus që paraqitja e nacionalizmit etnik turk me xhonturqit do ta bëjë të veten për ta thelluar hendekun me shqiptarët. Pra, aleati i parë që do të duhej të vendoste themelet e një autonomie e pastaj edhe shteti shqiptar në trojet etnike, nuk mund të bënte më shumë seç bëri, që t’i lëshojë territoret në duar të shqiptarëve, por nuk mund t’i mbronte më tutje. Fati i tyre ra në duart e fuqive të mëdha, ku popujt e vegjël ishin si monedha për kusuritje, ndaj dhe u lanë që të merrte kush çka të mbërrinte. Për shkak të interesave të tyre në rajon, si një mbështetje e natyrshme vinte nga Italia e, sidomos, nga Austro-Hungaria, por gjithnjë duke pasur përballë fuqitë aleate të Serbisë dhe Greqisë, që i pretendonin tokat shqiptare. Kur shpupuritim nëpër biografitë e udhëheqësve të kombit të asaj kohe, e shohim atë luhatje te ata midis këtyre dy shteteve, si sponsorues të tyre. Aleanca, madje, ka pasur edhe nga shtetet që drejtpërdrejt i kanë rrëmbyer tokat shqiptare, si ajo e mbretit Zog me Mbretërinë e Jugosllavisë. Por, jo vetëm ai. Edhe kryengritjet e mëhershme antiosmane në fillim të shekullit të 20-të ishin të ndihmuara nga serbët, e më vonë ata edhe i rrëmbyen frytet e tyre! Goditjen më të madhe shqiptarët do ta marrin me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, për shkak se mbështetësi kryesor, Austro-Hungaria, do të shpërbëhet dhe në këto rrethana të reja fati e deshi që të paraqitet në skenë presidenti amerikan Uidrou Uilson, i cili nuk lejoi që të rrudhej e copëtohej edhe më shumë Shqipëria. Kosova do të duhej të priste ndonjë shans tjetër të historisë, më shumë se një shekull më vonë, kur pati dhe një lëvizje aleancash perëndimore në favor të Kosovës: Amerika, Franca, Anglia, Gjermani, Italia…, u gjetën në anën e së drejtës së popullit të Kosovës për t’u çliruar nga regjimi i Millosheviqit. Në vitin 2008, po me ndihmën e aleatëve perëndimorë, do të shpallet dhe njihet pavarësia. Rrugëtim i mbarë, në dukje.

3. SHQIPTARËT PA ALTERNATIVË

Përse Kosova nuk mund ta arrinte më parë, me gjithë ato lëvizje çlirimtare, atë që e bëri në vitin 1999? Sepse mungonin aleancat e forta që do ta mbështetnin, por sigurisht edhe raporti i forcave në botë do ta ketë bërë të veten. Por, me faktorin kohë u përputhën shumë katrorë të mozaikut, u arrit çuditërisht një solidaritet ndërkombëtar me një popull të rrezikuar në zemër të Ballkanit dhe Europës. Shqiptarët, falë këtij episodi të fundit të Kosovës, u janë falënderues vendeve perëndimore, mbi të gjitha, SHBA-së, që mbeten aleatët kryesorë, pa të cilët duket se asnjë hap nuk mund të bëhet.
Preferoj të përdor termet aleancë ose partneritet, para fjalës “miqësi”, pasi stërpërsëritja e saj bëhet patetike, kurse Kisinxheri ka thënë se “Amerika nuk ka miq dhe armiq të përjetshëm, por ka interesa”. Pikërisht përputhja e interesave të një shteti të madh me ato të një populli të vogël e përbën formulën magjike frytdhënëse. Por, se nuk ka miqësi absolute as në relacionin shqiptaro-amerikane këtë e kanë shijuar vetë qeveritë shqiptare, të cilat nuk kanë qenë të përkëdhelura, por vazhdimisht u është kërkuar të bëjnë më shumë në ngritjen e institucioneve dhe sundimin e së drejtës, qeverisje të mirë… Andaj dhe disa prej tyre janë marrë në thumb personalisht. Berisha, për shembull, edhe pse fitorja e PD-së në vitin 1992 në sheshin e Tiranës ishte bërë me prezencë të ambasadorit amerikan, do të merret në thumb për çështjen e drejtësisë së pavarur (rasti Zef Brozi…) që nga fillimi, por edhe më vonë. Me gjithë miqësinë shtet me shtet, ambasadorët amerikanë për çdo kryeministër shqiptar kanë qenë personat më të padëshiruar, sepse gjithë kohën u rrinin mbi krye duke u “pëshpëritur” çka të bënin.
Aktualisht kemi një situatë interesante pikërisht kundrejt kësaj “miqësie”. Opozita kosovare, gjithë pushteti dhe opozita e Shqipërisë, të gjitha partitë shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi e kudo qoftë, vazhdojnë të betohen në Amerikë, të bindur se nuk ka alternativë tjetër. Vetëm kryeministri i Kosovës qëmoti është deklaruar se aleanca me Amerikën i takon së kaluarës dhe se tash është koha për lidhje me shtetet e BE-së. Çështja e thënë si opozitar është ngritur në filozofi politike dhe me veprime konkrete, e cila nuk është pa reperkusione. Duke e anashkaluar faktorin kohë, kur Kosova ka mundur të bëjë më herët disa gjëra që tash i kërkohen në formë më të vrazhdë, e ka vënë në sprovë edhe aleancën me Amerikën, ndërkaq Albin Kurti duket se me përpjekjet për t’u afruar me Europën (sidomos me Gjermaninë), ka hyrë aty ku nuk duhej të hynte, në “sandviç” midis SHBA-së dhe partnerëve të saj europianë. Edhe pse ata janë aleatë, duhet të dihet kush është kush! Është gabim serioz, sepse një herë është shprehje mosbesimit dhe ndoshta edhe mosfalënderimit ndaj rolit udhëheqës të Amerikës në botë dhe kundrejt Kosovës dhe, e dyta, harron se nuk ka vendim të rëndësishëm për Kosovën kundrejt Serbisë, duke u mbështetur vetëm në shtetet europiane, që janë të paafta të bëjnë diçka të hajrit pa Amerikën.
Tash kur por vërehen lëvizje “të çuditshme” të politikës së Uashingtonit kundrejt Ballkanit (bie fjala, Amerika më parë kërkonte njohjen e Kosovës nga Serbia, kurse tash vetëm normalizim të padefinuar!), shumëkush mund të thotë, hë, nga t’ia mbajmë tash?
Kur kërkohet alternativë për amerikanët, përjashtohet çdo mundësi për aleancë me Rusinë, sepse kjo do të ishte çmenduri, duke e ditur se interesat ruse lidhen me interesat serbe, që janë në kundërshtim me ato shqiptare. Aleanca me shtete të kalibrit më të ulët se i këtyre dy superfuqive, vetvetiu do të ishte një pasiguri më e madhe. Normalisht se mund të ketë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet europiane, si dhe me Turqinë ose cilindo vend të planetit, por për një Kosovë me shtetësi të papërfunduar ky lloj aleancash nuk e zëvendëson rolin amerikan. Shumëkush thotë se në një moment kyç, atë vitit 1997, Turqia i është kërcënuar Greqisë të mos prekë territorin e Shqipërisë dhe kjo ka mbetur enigmë nëse ka qenë ashtu apo jo ose nëse vërtet Turqia do ta mbronte Shqipërinë. Turqia është një shtet mik i dëshmuar i shqiptarëve, por, realisht, as kjo nuk do të bënte që të lëvizte me gishtin e vogël për Kosovën në vitin 1999, po të mos kishin qenë SHBA-të.
Në situatën që gjendemi tash për shkak të vatrave të krizës në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, për shqiptarët zor se mund të gjenden aleatë të tjerë që do të ishin më përkrahës të kauzave të tyre, e as që mund të kthehet koha për dhjetë vjet prapa për t’i korrigjuar gabimet e bëra, kur me presionet që ka bërë Lëvizja Vetëvendosja dhe vetë Kurti, ka penguar zgjidhje shumë më të favorshme për Kosovën sesa këto që i ka në tavolinë.
Vonesa e proceseve, vërtet, më shumë se aleancat me partnerët strategjikë, u tregua si aleati më i keq i rrumbullakimit të shtetësisë së Kosovës dhe tash Kosova është në disavantazh në gjithçka.
Për ironi të fatit, por edhe për fatin e mirë ose të keq të Kosovës, për ecjen e mëtutjeshme qeveria e Kurtit e ka shansin e mirë që ta dëshmojë gjithë vizionin dhe kreativitetin dhe, kuptohet, edhe mënyrën se si ta rrumbullakojë procesin e shtetësisë, edhe pse në kushtet më të pafavorshme gjeostrategjike, e bile edhe të zgjedhë aleatët që ajo mendon se është më mirë. Ku të dish, edhe pse humbja e kohës deri tash e ka vënë Kosovën në pozitë më të rëndë, ndoshta Albin Kurti ka formulë më fitimprurëse për të ardhmen, në stilin pikërisht të emrit të partisë së tij – VETË-VENDOSJE.
Ka një rrethanë që nuk duhet nënçmuar: partnerët strategjikë, ndonjëherë, duke shikuar edhe interesat më të gjera, u shkojnë deri në fund punëve dhe nuk lejojnë që ato interesa të cenohen nga veprime të papërgjegjshme të qeverive të vendeve që janë në sferën e tyre të interesit.

Exit mobile version