Në nderim të Enver Zymberit, 26 korriku shënohet si Dita e policëve të rënë në detyrë

Qeveria e Kosovës ka vendosur që 26 korriku të shënohet si Dita e policëve të rënë në krye të detyrës, në nderim të rënies së Enver Zymberit në veri të Kosovës, më 26 korrik të vitit 2011.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook të martën, se Zymberi i cili ishte ushtar edhe i UÇK-së, ra dëshmor i veshur me unifomën e policisë, në krye të detyrës.

Kurti ka thënë se Zymberi u vra nga strukturat kriminale serbe, që asnjëherë deri sot nuk janë zbuluar dhe nuk janë nxjerrë para drejtësisë.

“Andaj, Enver Zymberi është dëshmor i sovranitetit dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës, për çka shteti ynë asnjëherë nuk do ta harrojë, sepse Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heq dorë nga sovraniteti i saj dhe as nga shteti ligjor dhe i së drejtës. Dikur, për dekada rresht, shqiptarët kanë rënë dëshmorë për një Republikë të Kosovës që e synonim por që nuk e kishim, kurse tani që e kemi Republikën e Kosovës, ajo ka edhe dëshmorët e përplotësimit dhe ruajtjes së saj, sikur Enver Zymberi. Çdo përvjetor i rënies së Enver Zymberit, rikthen britmat e kujtesës tonë institucionale, për t’i çuar para drejtësisë ata që e vranë dhe për t’i rimenduar mësimet e mësuara nga aksioni i filluar më 25 korrik 2011, aq të nevojshme në rrugën tonë për forcimin e rendit e ligjit dhe për ruajtjen e sovranitetit të plotë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Zymberi u vra gjatë një aksioni të policisë në veri për të sjell rend dhe ligj në atë pjesë të vendit.

Gjatë shënimit të kësaj dite, do të zhvillohen disa aktivitete nga Policia e Kosovës.

Derisa Njësia Speciale e Kosovës po shkonte për t’i futur nën kontroll dy pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, në vendin e quajtur Varrak të Zubin-Potokut, rreth orës 14 e 20 minuta, pjesëtari i Njësisë speciale operative Enver Zyberi, u qëllua me armë zjarri. Dyshohet se u qëllua nga strukturat paralele të Serbisë, të vendosura në veri të Mitrovicës.

Zymberi vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në orën 22 e 5 minuta. Vrasja e 32-vjeçarit nga Dubovci i Vushtrrisë, baba i tre fëmijëve, ishte konfirmuar në një konferencë të jashtëzakonshme për media pak minuta pas vrasjes.