Projekti “Pelegrinët e Shkencës”, që ka për qëllim rritjen e interesit të popullit në shkencë dhe që jep mundësinë e të mësuarit përmes praktikimit, sot pas aplikimit dy vjeçar në Turqi, filloi të realizohet edhe në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Projekti në fjalë i cili me përkrahjen e Institutit të Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik të Turqisë (TÜBİTAK) po zhvillohet në medresenë Kartal Anadolu të Stambollit, këtë vit me mbështetje të Drejtorisë për Turqit Jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB) për herë të parë po realizohet edhe në shtetet e Ballkanit.
Vendi i parë ku projekti u realizua në Ballkan ishte kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica, kurse sot në bashkëpunim të Medresesë Alauddin filloi të realizohet edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.
Në hapjen e evenimentit “Festivali i Shkencës”, i cili po realizohet në kuadër të projektit “Pelegrinët e Shkencës”, morën pjesë ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim(TIKA) në Kosovë, Necip Özay Özütok, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, si dhe nxënës të shumtë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Gjatë fjalimit të saj në hapjen e këtij aktiviteti, ambasadorja turke Kılıç tha se projekti i “Pelegrinëve të Shkencës” ka rëndësi të madhe si në ndarjen e njohurive dhe të eksperimenteve, ashtu edhe në krijimin e një ambienti shoqëror mes nxënësve kosovarë dhe atyre turq.
“Të ardhmen e këtij shteti të ri shumë të bukur do ta ndërtojnë të rinjtë tanë të ndritshëm dhe në këtë proces udhëzuesit tanë do të jenë rruga e njohurive dhe e shkencës”, tha Kılıç.
Drejtori i Medresesë Kartal Anadolu në Stamboll, Mitat Tekçam, duke theksuar se me këtë projekt po i bashkojnë komponentët e “leximit” dhe të “shëtitjes” së të mësuarit, tha se “Nxënësit me eksperimentet e nxënësve dhe të mësimdhënësve të Medresesë Alauddin do të udhëtojnë në botën argëtuese të shkencës”.
Kurse drejtori i Medresesë Alauddin, Jakup Çunaku duke theksuar rëndësinë si në shkencat fetare ashtu edhe në ato ekzakte, falënderoi stafin e Medresesë Kartal Anadolu të Stambollit, si dhe Ambasadën e Turqisë në Prishtinë, TIKA-n dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë për kontributin e dhënë në realizimin e këtij projekti në Kosovë. “Vetëm duke mësuar, studiuar dhe punuar shumë e shumë e ndihmojmë vendin tonë dhe shoqërinë tonë kosovare”, tha Çunaku.
Projekti “Pelegrinët e Shkencës” ka për qëllim njoftimin e fëmijëve dhe të rinjve me botën argëtuese të shkencës. Në kuadër të tij në hapësirat e medresesë Alauddin u hapën punëtori të fushave të ndryshme shkencore, si të kimisë, teknologjisë, fizikës e matematikës dhe u realizuan eksperimente të shumta.