Me shfaqjen e filmit “Bal Kaymak” (Mjaltë dhe Kajmak), sot në Shkup u bë hapja e Javës së Filmit Turk të organizuar nga Instituti Yunus Emre Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen e organizuar në Kurshunli Han, monument historik i periudhës osmane në të cilin Instituti Yunus Emre në Shkup ka marrë të drejtën e shfrytëzimit, morën pjesë Irena Stefoska, ministrja e Kulturës në kabinetin e ri që do të votohet në ditët e ardhshme në Maqedoninë e Veriut, producenti i filmit, Sertaç Demirtaş, aktorja Sabina Toziya, drejtori i Institutit Yunus Emre Shkup, Serhat Kula, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, si dhe shumë filmdashës.
Duke folur para përfaqësuesve të mediave, Kula tha se Java e Filmit Turk do të zgjasë tri ditë, duke rikujtuar se filmi i parë ishte shfaqur në Festivalin Veror të Shkupit, ku kishte interesim të madh.
“Në vazhdim, po të mos ndodhte COVID-19, ne donim ta kthenim Kurshnli Hanin në një kinema verore këtë verë. Megjithatë, kjo periudhë na ka penguar pak, por të paktën po arrijmë ta realizojmë këtë provë me një program. Me këtë rast, kemi pjesëmarrje nga producenti i filmit nga Turqia, aktorët dhe kështu filmdashësit kanë mundësi të shohin filma në Kurshnli Han, këtë hapësirë historike”, tha drejtori i Institutit Yunus Emre në Shkup.
Ndërkaq, producenti i filmit “Bal Kaymak, Sertaç Demirtaş, tha se së bashku me regjistorin Onur Tan kishin vendosur që filmi të realizohej në këto troje pas vizitës së mëhershme që kishin zhvilluar dhe përshtypjes së mirë.
“Sepse në këto troje ka tregime të mira. Ka edhe në vendin tonë, ka edhe këtu tregime. Gjithsesi, këto janë gjëra që na afrojnë. Ne jemi njerëz me të njëjtën kulturë, njerëz me të njëjtën fe, historia jonë është histori e përbashkët. Rrjedhimisht, ishte një punë e mirë. Jemi shumë të kënaqur”, tha Demirtaş.
Në kuadër të Javës së Filmit Turk, e cila do të përfundojë më 29 gusht, krahas filmit “Bal Kaymak”, do të shfaqen edhe filmat “Ekşi Elmalar” (Molla të Tharta) dhe “Honeyland” (Toka e Mjaltit).
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, gjatë festivalit zbatohet protokoll i veçantë, si mbajtja e maskave, dezinfektimi dhe matja e temperaturës trupore.