Në kujtim të Hasan Çengiqit (1957-2021)

Hasan Çengiq (r.a)

Më 7 nëntor 2021 në orën 7 të mëngjesit më lajmëruan se kishte ndërruar jetë shoku im nga ditët studentore në Sarajevë, Hasan Çengiq.

Arsyeja për afërsinë tonë ishte ngaqë kishim të njëjtin dert, të njëjtën “filozofi” të të menduarit dhe të jetuarit: pse Islami dhe muslimanët të jenë kështu siç janë?; pse ata nuk i shfrytëzojnë mundësitë, qofshin edhe të ndaluara, që duhet ta ketë çdo fe e Zotit, e sidomos feja islame, e cila ka një thellësi/afërsi të madhe për shpëtimin si fenomen metafizik, po pse jo edhe si proces metafizik në tokë? Metafizika fetare muslimane ishte e zbehur, saqë edhe institucionet e krijuara nga sistemi i atëhershëm i kishte bërë që t’i shërbenin atij, e jo ai atyre. Kësaj i thuhet institucion i vetvetes kundër vetvetes ose, metafizikisht, ta kërkosh vetëdënimin. Kjo bëri që edhe unë, natyrisht, me fuqinë metafizike edhe të shokëve të mi që nuk i kisha pranë, por që kishin të njëjtin dert, të njihem drejtpërsëdrejti dhe të afrohem me një shok si Hasan Çengiqi. Pas njohjes me të, natyrisht, filloi një afërsi edhe më e thellë, që zhvillohej duke biseduar për çështjet tona, ndër të cilat ishte çështja e muslimanëve shqiptarë edhe si fetarë, por edhe si laikë, sepse disa momente shqiptare të “asaj” kohe dëshmonin një pakuptimësi, të mos them naivitet, me një fjalë shqiptarët fetarë ishin diku atje të panjohur as për veten. Kjo nuk duhet të konsiderohet si fyerje, nënçmim, sepse dy shqiptarë, njëri në Shqipëri e tjetri në Kosovë, ishin “kundërshtarë” të njëri-tjetrit.
Mendësia e tillë edhe e Hasanit ishte një mendësi që bëri që edhe disa të rinj dhe të moshuar, qofshin të medresesë, fakultetit, por edhe të Universitetit të Sarajevës, që sot janë emra të njohur, t’u bashkoheshin kërkesave që i prezantonte rahmetli Hasani. Ai ishte njëri ndër nismëtarët për hapjen e mesxhidit të njohur të Tabakëve (Tabački Mesdžid), që ishte “qendra” ku etiketoheshin anti-komunistët, anti-jugosllavët. Faktikisht, kjo ishte e drejtë, sepse me të vërtetë kemi qenë anti-komunistë, por jo edhe anti-jugosllavë, sidomos me ndarjen e tashme të shteteve kjo i jep akoma më shumë kuptim një mendësie të tillë. Ishte padrejtësi e madhe që për të tilla gjëra të akuzohej ai mesxhid, iniciator i të cilit ishte Hasani me disa shokë të tjerë, dhe ku frekuentonin edhe disa emra shumë të njohur, edhe pse intelektualist e fetarish e tejkalonin nivelin intelektual të mesxhidit. Pjesëmarrës me ligjërimet e tyre në atë mesxhid ishin Reshid Hafizoviqi, por edhe anëtarë të familjes Gavrankapetanoviq, Behmanët, Skakat, Përgudat, Mehtiqët, Zhivaljët, Latiqët dhe shumë të tjerë. Këtu edhe jam njohur me personat në fjalë. Kjo forcë e mbledhur në këtë xhami, iniciator i së cilës ishte rahmetli Hasani, ishte larg nacionalizmit dhe larg fundamentalizmit, e të mos flas për “fenomenet” e krijuara dhe të emërtuara në kohën e tashme, si “dhuna” në Islam. Sikur ajo kërkesë ekzistuese brenda asaj xhamie të kishte pasur përkrahje pak më të madhe nga vetë komuniteti musliman, do të ishte një ndihmesë e madhe për një shoqëri më moderne anti-luftarake, anti-urrejtje nacionale (këtë e them për serbët, shqiptarët, kroatët e sllovenët)!. Pastaj, ne e dinim vrazhdësinë e komunizmit dhe tmerrin e anti-metafizikës. Këtë na e kishin bërë të njohur shumë autorë, sidomos ata që patën mundësi të takohen me ideologët e marksizmit, e më vonë të komunizmit, i cili i solli kob njerëzimit. Faktikisht, besimtari në Zot, respektivisht myslimani, është i rrezikshëm për arsye se e lufton rrezikun fetar, rrezikun nacional dhe rrezikun ekonomik-shoqëror. Ky është shkaku kryesor që sot tmerrohen anti-muslimanët. Aty në atë qendër dëgjohej zëri i Zotit, i dashurisë dhe i njerëzisë, por për fat të keq edhe koha post-komuniste, respektivisht e pluralizmit politik, i harxhoi disa shokë në fjalë, duke i harruar muslimanët që kanë qenë shpirtërisht me ta e u afruan me muslimanët që materialisht ishin më të fuqishëm. Një numër i madh i tyre këtë e dëshmuan me heshtjen, e më vonë edhe me harresën. Hasani nuk e bëri as njërën e as tjetrën.
Rahmetli Hasani u akuzua dhe dënua për arsye se kishte vizion, ndërsa më vonë ishte njëri ndër pjesëmarrësit dhe themeluesit më kryesorë në proceset demokratike dhe themelimin e Partisë së Aksionit Demokratik. Ai u mundua ta shpëtojë hapësirën e Bosnjës edhe përkundër nacionalizmave të ndryshëm. Ai u dënua me 10 vjet burg. Pastaj u lirua për t’u dënuar dhe varfëruar shpirtërisht, me qëllim që t’ia humbin fuqinë e “rebelit”, që dëshmonte për zjarrin ndaj së vërtetës dhe për të vërtetën, që ishin besimi në Zot dhe liria për të besuar në Zot. Në fakt, ky është edhe kuptimi kryesor i fesë, i besimit në Zot, diçka që është larg parasë, larg pushtetit, larg fuqisë. Ne si besimtarë e kemi pasur dhe e kemi këtë përgjegjësi. Me këtë fuqi është i ngjyruar imani, besimi në Zot, që për mendësinë filozofike të filozofisë së përditshme, edhe asaj politike, është diçka qesharake. Por, zëri i imanit ishte kjo përgjegjësi dhe këtë përgjegjësi rahmetliu e përjetonte dhe mundohej ta praktikonte në jetën e përditshme. Këtë e fliste në tokë e në aeroplan. Ai e përjetonte me dhimbje varfërinë e kërkesave të vetë muslimanëve, mosshfrytëzimin e mundësive, injorancën politike e të mos flas për injorancën fetare, që kishte bërë që besimtarët muslimanë të bëhen harrestarët e gjithçkaje që mund të jetë. Shqetësimi i madh i tij ishte kur shihte se komuniteti musliman i shfrytëzon mundësitë fetare për ta izoluar muslimanin, për ta larguar muslimanin edhe nga jomuslimani me besim tjetër, e të mos flas për vetë muslimanët. Ishte shumë qesharake për mua kur shihja se ata nuk ia kishin haberin se çka është duke ndodhur me muslimanët në Maqedoni, Kosovë, se çfarë po ndodhte me shqiptarët. Natyrisht, që kjo nuk vlente për Hasanin, por për mendësinë ekzistuese në atë kohë. E të mos flas për këtë kohë kur prijësit fetarë ishin fshehur, duke u mbështetur vetëm në ndihmën materiale për vendin, që çdoherë është përballë përsëritjeve të mëparshme, që edhe vetë rahmetliu në çdo bisedë, në çdo konferencë, e paraqiste si rrezik dhe varfëri të gjuhës dhe mendësisë që i përkiste.
Rahmetliu kishte një familje shumë besimtare, sidomos e ëma Merjeme, të cilën për herë të parë takova kah viti 1981: një grua shumë e bukur, që për çdo ditë edhe pleqëria e bënte që atë nurin e imanit ta vërejë edhe tjetri përballë saj, pa marrë parasysh kombin dhe fenë. Ajo ishte e thelluar dhe e ngjyruar me ngjyrën e dashurisë së hazreti Muhammed Mustafasë (a.s.), ndërsa leximi i Kur’anit e bënte akoma më të lartë metafizikisht. Ajo e dinte rrezikun e nacionalizmit serb dhe e luste Zotin që t’u ndihmojë njerëzve dhe t’i mbrojë nga zullumi i tyre, sepse vendi i tyre ishte përplot varreza të viktimave të çetnikëve serbë dhe të ustashëve kroatë. Nganjëherë thoshte: “Eh, biri im, ne jemi duke ecur mbi trupat e njerëzve që ju nuk i keni parë. Ju lutem, kini kujdes se nënat tuaja nuk kanë mundësi ta durojnë dënimin që mund t’u vijë nga xhelatët që fshihen edhe pas petkut fetar, e të mos flas për atë ateist”. I biri, rahmetli Hasani, i ngjante shumë asaj për nga imani dhe islami. Ata e përjetonin familjarisht edhe dramën e shqiptarëve, që e kishin në hapësirën e shtetit inekzistent si shtet, kurse si zullum akoma të pranishëm.
Ja, tani rahmetli shoku im Hasani prehet në haremin e Xhamisë së Husrev Beut, ku pas namazit të drekës do t’i falet namazi i xhenazes dhe pastaj do të përcillet në varrezat familjare në Oxhak, në Foçë. I lutem Zotit që t’ia mundësojë realizimin e kërkesave që ka pasur si i gjallë për jetën e amshuar. Ai ishte besimtar, mbeti besimtar dhe sot varroset në tokë si besimtar që të takohet me dëshirat dhe aspiratat e veta që Zoti i ka garantuar në Shpalljen, kurse Pejgamberi a.s. i ka përshkruar në thëniet e veta, se për besimtarët nuk ka frikë dhe brengë, se ata janë të shpërblyer që të jenë mbi gjithçka, kjo për arsye të imanit që e kanë. E Hasan Çengiqi kishte iman dhe islam.

Ismail Bardhi

Shkup, 8 nëntor 2021


Hasan Çengiq (r.a)