Në kryeqytetet e rajonit me marshime dhe protesta shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve

Në kryeqytetet e vendeve të rajonit përmes marshimeve, protestave dhe tubimeve është shënuar 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, raporton Anadolu.

Punëtorët në kryeqytetet Shkup, Tiranë dhe Prishtinë kërkuan përmirësimin e kushteve të punës, kryesisht dinjitet për punëtorët, paga më të mira dhe kushte më cilësore të punës.

Maqedoni e Veriut, kërkohet rritje e pagave dhe pagesa e shpenzimeve të transportit dhe ushqimit

Në organizim të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), qindra punëtorë dolën për të protestuar nëpër rrugët e kryeqytetit Shkup me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punës.

Marshi protestues me moton “Ne, punëtorët” filloi para Shtëpisë së Punëtorëve, vazhdoi para Kuvendit, Odës Ekonomike dhe përfundoi para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Organizatorët ndër të tjera theksuan se kërkojnë rritje të pagave në sektorin privat dhe publik, si dhe pagesën e shpenzimeve të transportit dhe të ushqimit.

Ata kritikuan gjithashtu vendimin e vitit të kaluar për t’u dhënë zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar një rritje prej 78 për qind të pagave.

Demonstruesit marshuan duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Sot je zyrtar, nesër jo”, “Kërkojmë rrogë sa e jotja”, “A nuk ju vjen turp”.

Marshi protestues përfundoi i qetë dhe pa incidente.

Shqipëri, tubime në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve në çdo sektor

Me rastin e 1 Majit, Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë organizoi një tubim paqësor në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve të çdo sektori në vend.

Tubimi me moton “Dinjitet për punëtorët-Nuk ka demokraci pa sindikata”, është mbajtur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ku u theksua theksua se punëtorëve u “takon të trajtohen me paga të denja, me respekt, dinjitet e kushte te mira në punë”.

“Në një realitet kur gjithnjë e më shumë të rinj po largohen nga vendi, fuqia punëtore është në rënie e kapitali njerëzor mungon, ka shumë për të folur e dëgjuar nga sindikatat e nga punëtorët”, u theksua nga organizatorët e tubimit.

Ndërkohë, Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës (FSASH) dhe Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar (SPASH) ka organizuar përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sportit një manifestim me moton “Nuk ka arsim cilësor pa mësues të mirëpaguar”.

Pjesëmarrësit me pankartat me mbishkrimet “Stop burokracive shkresore në arsim”, “Na jepni shpërblimin e fundvitit”, “Teknologji bashkëkohore në çdo shkollë të vendit”, kanë kërkuar rritjen e pagave për mësuesit dhe masa për të përmirësuar cilësinë e arsimit.

Kosovë, kërkohet që qeveria të veprojë për kushtet e punëtorëve

Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK) mbështetur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) dhe Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat gjithashtu kanë protestuar me rastin e Ditës së Punëtorëve.

“Kërkojmë të ngritët vlera e koeficientit”, “Duam dialog social”, “Qeveri respekto pensionistët”, janë disa nga mesazhet që përçuan pjesëmarrësit në këtë protestë, e cila filloi nga Biblioteka Kombëtare në Ministrinë e Arsimit e më pas pranë Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kërkoi nga qeveria që të veprojë në mënyrë që të mos futen në greva disamuajshe, ashtu siç kishin bërë në vitin 2022. Ai kërkoi nga qeveria përmbushjen e kërkesave të tyre, në mënyrë që ata t’i parandalojnë veprimet tjera sindikale.

“Kemi menduar se liria do të na sjellë rrugëtim të qetë, kemi menduar se shkollat tona do të jenë sikurse ato të vendeve të Evropës. Kemi menduar se figura e mësuesit do të ruhet”, theksoi Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, nga ana e tij, tha se kryeministri Albin Kurti i ka mashtruar punëtorët kur ka deklaruar se do t’ua rrisë pagat. Ai tha se kryeministri po kujdeset më shumë për jetën e qytetarëve të komunitetit serb në veri të vendit se sa për punëtorët e sektorit publik dhe atij privat.

“Nëse kjo qeveri del dhe thotë se ka bërë diçka për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, unë jap llogari. Jo. Ka bërë edhe diçka tjetër, me politikat e veta e ka mbytur kapitalin e Kosovës”, theksoi Azemi, duke ngritur shqetësim edhe për ikjen e punëtorëve nga Kosova.

Edhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se prania e tyre në masë të madhe, tregon për fuqinë që e kanë punëtorët, derisa i bëri thirrje qeverisë që të angazhohet për dialog me sindikatat.