Në Klinikën e Gjinekologjisë s’ka gel për ultrazë, përdoret sapun i lëngshëm

Klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tash e dy muaj përballet s’ka gel që përdoret për kontrollime me ultrazë.

Sipas doktor Jakup Ismajlit nga kjo klinikë, për zëvendësim po përdoret sapuni i lëngshëm.

Ai thotë se kërkesën për furnizim me gel, që kushton vetëm 1 euro për litër, e kanë bërë tash e sa kohë në Ministrinë e Shëndetësisë, njofton Radio Dukagjini.

“Me thënë të drejtën, ballafaqohemi me mungesën edhe të gjërave elementare. Mund them se në vend të gelit, përdoret sapuni i thjeshtë për ultrazë. Dihet sa sapuni e dëmton sondën, e cila është mjaft e ndjeshme. Do të thotë nuk kemi as gjel në ambulancën e pranimit dhe repartet tjera, e që një litër kushton 1 euro. Mos të flasim që nuk ka as sapun për të larë duart”, tha ai

Pas lajmit të publikuar në “Magazinën” e Radio Dukagjinin, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili premtoi angazhim të menjëhershëm për tejkalimin e problemit.

Ai për Radio Dukagjinin, tha se menjëherë ka urdhëruar furnizimin me gel në këtë klinikë, duke shtuar se problemet e mëdha, që ka QKUK mund të zgjidhen vetëm me bashkëpunimin e gjithë akterëve.

“… besoj që për një orë, një orë e gjysmë, aty do të kenë materialin e nevojshëm, për arsye se kontrata ka qenë, është mungesë e furnizimit. Natyrisht, kam kërkuar nga drejtori ta sheh përgjegjësinë e atij apo asaj që ka pas detyrë ta bëjë këtë furnizimin dhe nuk e ka bë”, tha ai.