Ballina Artikuj Në kërkim të një modeli…

Në kërkim të një modeli…

Imam – Hatib: Ferid Piku

Njerëzit e mirë
Është e vërtetë se sot njerëzit janë të lodhur nga kronika e zezë që mbush faqet e gazetave e të revistave, janë të lodhur ndoshta edhe nga njerëzit e tyre të afërt, për shkak të interesave, që më shumë i ndajnë sesa i bashkojnë, janë të lodhur ndoshta edhe nga vetet e tyre që jo rrallëherë janë cinike e të pangopura. Dhe shprehja që shpesh e dëgjojmë të gjithë është:
“Ehh… ikën njerëzit e mirë… Sot të gjithë po bëhen njësoj”…
Por jo! Njerëz të mirë ka patur dhe do të ketë.
Por ata duhen kërkuar, duhen vlerësuar, duhen marrë për shembull, duhen kujtuar se janë pak, sidomos në ditët e sotme.
Pranë këtyre njerëzve sikur ndihesh më i qetë, më i sigurt, më krenar.
Ata nuk nxitohen kur të tjerët humbin toruan, nuk bëhen “të vegjël” kur të tjerët bëhen “cinikë”, nuk tundohen kur të tjerët marrin të tatëpjetën duke shkelur çdo parim e moral. Ata janë të veçantë, sikur të mos jetonin aspak për veten e tyre por për të tjerët… Këta janë argumenti më i madh i Zotit, Ai i udhëzon dhe i lartëson…
Ata janë krenarë sepse vetë ata udhëhiqen nga njerëz edhe më të mirë, madje shumë më të mirë…e këta janë të dërguarit e Zotit.
Të gjithë këta njerëz të mirë dhe profetë u lodhën për të njëjtin mision: të lartësojnë shpirtin dhe mendjen e njeriut, të ngrenë standardet e kësaj krijese të veçantë, ta bëjnë atë që të meritojë statusin e nderit “mëkëmbësi i Zotit në tokë”.
Këtë mision ia kaluan njëri-tjetrit me besnikrinë më të madhe derisa radha i erdhi atij që e kurorëzoi me sukses, Muhamedit[sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Pejgamberi Muhammed është një dhuratë e vecantë
Të shikosh një lule të bukur në mes të një kopshti nuk është ndonjë habi, por të shikosh një lule të freskët në mes të një shkretëtire, kjo me të vërtetë është një mrekulli. E Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nuk ishte thjesht një lule, por një kopsht më vete, me lule e me pemë, nën hijen dhe aromën e të cilave do të ketë gjithmonë vend për të gjithë ata që janë lodhur nga mundi dhe shkretëtira e kësaj jete.
Lexoni jetën e tij dhe do të shikoni se ai i ka jetuar gati të gjitha rolet që mund të bëjë një njeri. Me një fëmijëri prej jetimi, me një djalëri prej punëtori, me një rini prej tregtari e pastaj një komandant strateg, një diplomat i rrallë, një politikan besnik… një shok zemërgjerë, një bashkëshort model, një prind i suksesshëm e një gjysh i rrallë.
Kush nga njerëzit ka pasur mundësi t’i bëjë të gjitha këto role së bashku e në të gjitha të ketë ketë qenë një model i paparë?!
Shikoni jetën e tij dhe do të gjeni se ai i ka përjetuar gati të gjitha “shijet” që jeta i ofron njeriut.
Përjetoi vetminë e një jetimi por dhe shoqërinë e mijëra e mijëra besimtarëve që e donin më shumë se sytë e ballit, presionin social nga njerëzit e afërt, por dhe mbështetjen e plotë nga të gjitha fiset e Gadishullit Arabik, lumturinë dhe humbjen e fëmijëve, pasurinë dhe varfërinë, fitoren dhe dështimin…Ai u kishte shitur plaçkë tregtarëve të vegjël, sikundër u kishte shkruar letra perandorëve dhe sunduesve më të fuqishëm të tokës duke i ftuar të pranonin fenë islame, por ai gjithmonë mbeti konstant, i pandikuar, sikur kishte ardhur të jetojë për të tjerët dhe jo për veten e tij. Është mjaft e qartë të mendosh se si ai njeri që udhëhoqi luftën e Bedrit dhe që më vonë sundoi mbi një segment të tërë të universit, do të përgjunej në dyshemenë e shtëpisë së tij, në mënyrë që nipërit e tij t’i hipnin mbi shpinë dhe të luanin me të.
Vetëm një pejgamber mund të arrijë këtë përsosje të madhështisë dhe përulësisë, pushteti dhe shpirtmadhësisë, por fakti që ai ia arriti kësaj, nxjerr në pah sesa i madh mund të jetë njeriu vetëm sikur ta dijë se cili është.
Tek Muhamedi a.s gjen shembull jetimi, punëtori i thjeshtë, tregtari i mirë, politikani dhe diplomati. Shkurt, gjen shembull ai që dëshiron të jetë i mirë.
“Ju kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut. Ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun”
Çfarë bëri Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]?
Është e vërtetë se çarja e hënës, uji që i gufonte nëpër duar, ushqimi i pakët që i mjaftonte një ushtrie etj… ishin mrekulli të tij, por jo më të mëdhatë. Mrekullia e tij më e madhe ishte reforma me njeriun.
Ai gjeti para vetes njerëz të ashpër, të vrazhdë, të rritur nën erërat e shkretëtirës dhe ata i bëri të butë, të thjeshtë e të ndjeshëm, aq sa kur ju kujtohej Zoti, sytë u rridhnin rrëke me lot.
Edhe pse vetë nuk dinte shkrim e lexim, ai me urdhrin kur’anor “Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi”, arriti të bëjë një revolucion të mirëfilltë shkencor, ndikimet e të cilit mbërritën dhe në Evropë duke i dhënë asaj një zhvillim që e çoi me dhjetëra e qindra vite përpara.
Ai dhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm në miliarda pasues që e ndjekin, në miliona të rinj që mbushin xhamitë për çdo ditë, në sa e sa njerëz që fjalët e tij i mësojnë përmendësh dhe i kanë udhëzues në çdo hap të jetës së tyre…
Kush është pra ai person përveç tij që mund të ndikojë kaq fuqishëm në zemrat e të gjithë këtyre njerëzve?!
Ai gjeti mbretër që e konsideronin veten për “zot” e njerëzit për “robër” të tyre, gjeti prijës fetarë që parajsën e Zotit e kishin shitur që në tokë pjesë-pjesë, gjeti njerëz që kishin luftuar ndaj njëri-tjetrit për qindra vite me rradhë (sepse deveja e njërit fis ia paskësh kaluar asaj të fisit tjetër).
E të gjitha këto probleme i zgjidhi në pak vite me një formë të habitshme.
U mësoi këtyre njerëzve thjeshtësinë njerëzore shpeshherë të pabesueshme për ditët tona, u mësoi se parajsa është kapital i shtrenjtë por secili mund ta fitojë atë me punë të sinqertë, u mësoi se çdo të thotë fjala “vëlla”…
Ai ishte reformator, por nga ata që dinë se dera e reformës është te mendja dhe zemra e njeriut. Prandaj ai arriti të hyjë thellë, “brenda njeriut”, në ndryshim nga shumë të tjerë që kanë mbetur dhe kanë për të mbetur “jashtë”, sepse nuk kanë gjetur derën e ndryshimit.
Reforma e tij mund të japë dhe ka për të dhënë rezultate edhe sot, në shekullin e 21-të, sepse edhe njerëzit e sotëm kanë mendje, shpirt e zemër, sado që të zhvillohen e të shkojnë përpara. Ai bëri reformë shpirtërore dhe kjo reformë është më e vështira por më e domosdoshmja.
Muslimanët kurrë nuk duhet të harrojnë se Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] gjithnjë buzëqeshte dhe kishte një rrezatim lumturie dhe gëzimi që përhapej nga ftyra e tij, gjë që sigurisht nuk përjashtonte edhe “zemërimin e përmbajtur pejgamberik” kur ai përballej me ata që kundërshtonin të vërtetën. Por ajo që spikat më shumë është se në shpirtin e tij ekzistonin krenaria dhe butësia, forca dhe pastërtia e shkretëtirës, flladi i këndshëm dhe aroma e një kopshti trëndafilash. Ai e tranfsormoi botën dhe përmbushi obligimin më të vështirë, nën vuajtje të pabesueshme, por gjithmonë i shoqëruar me butësinë dhe shpirtmadhësinë që i karakterizon miqtë e Zotit.
Me të vërtetë tek ai ishin përsosur virtytet. Ky ishte njeriu përpara të cilit engjëjt u urdhëruan të përgjunjeshin (Xhibrili [alejhi-selam] kur ulet para tij si nxënës).
Kjo është arsyeja përse Zoti dhe engjëjt e lëvdojnë dhe e begatojnë atë dhe ata që besuan janë të obliguar ta lëvdojnë dhe ta urojnë atë, edhe jetën e tyre duhet ta modelojnë sipas shembullit të tij.

Pjesë nga një shkrim i vjetër në lidhje me Profetin Muhamed a.s

Ferid Piku
2007
Exit mobile version