Në Katar nisin bisedimet e paqes mes qeverisë afgane dhe talebanëve

Në kryeqytetin e Katarit, Doha, sot filluan bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes ndërmjet qeverisë afgane dhe talebanëve me qëllim për t’i dhënë fund luftës që ka vazhduar për vite, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së bisedimeve morën pjesë Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, komandanti i forcave amerikane në NATO dhe në Afganistan, gjenerali Austin Scott Miller si dhe delegacione përfaqësuese të qeverisë afgane dhe talebanëve.

Abdullah Abdullah, kryetari i Këshillit të lartë kombëtar afgan për dakordimin në fjalën e tij hapëse i shprehu falënderime talebanëve që i kanë kushtuar vëmendje zërit të popullit dhe qeverisë afgane që ka marrë pjesë në bisedime.

Ai tha se afganët duan të forcojnë qeverinë në bazë të kushtetutës për shkak se kanë jetuar “një jetë të dhimbshme” pa qeveri.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu në fjalimin e tij të hapjes nëpërmjet video-konferencës tha se tani “ka një shans të vërtetë për paqe” pas konflikteve që kanë vazhduar për vite në Afganistan. Ai tha se sot është “një ditë historike” për Afganistanin i cili theksoi se përgëzojnë kontributet e Katarit që ka treguar përpjekje të mëdha për realizimin e kësaj dhe që është vendi pritës i bisedimeve.

“Shpresojmë se kjo mundësi historike nuk do të humbasë dhe se procesi i bisedimeve do të hapë rrugë për një marrëveshje të përhershme të paqes”, tha Çavuşoğlu.

Anëtari i Zyrës së talebanëve në Katar, Molla Muhammed Davud përpara hapjes tha se mirëpresin fillimin e drejtpërdrejt të bisedimeve si dhe uroi që kjo të sigurojë përfundimin e luftës e cila ka copëtuar vendin për vite.

Ecuria e bisedimeve të paqes

Për herë të parë nën qeverisjen e ish-presidentit amerikan Barack Obama, SHBA bëri përpejkje për zhvillimin e bisedimeve mes talebanëve dhe qeverisë afgane me qëllim arritjen e paqes në Afganistan. Por, përpjekjet në vitin 2011, 2012 dhe 2013 mbetën pa rezultat.

Pas zgjedhjes së Donald Trumpit si president i SHBA-së në vitin 2017, bisedimet sërish erdhën në rend dite. Përfaqësuesit e SHBA-së dhe talebanëve u takuan për herë të parë më 25 shkurt 2019 në kryeqytetin Doha të Katarit për bisedime të paqes.

Përfaqësuesi special i presidentit amerikan Trump për Afgansitanin, Zalmay Halilzad në shtator 2019 njoftoi arritjen e marrëveshjes mes palëve dhe se marrëveshja pret miratimin e presidentit Trump.

Por, Trump shtyu marrëveshjen, pasi një ushtar amerikan humbi jetën në një sulm terrorist në Kabul ato ditë. Bisedimet të cilat rifilluan në dhjetor 2019 mes SHBA-së dhe talebanëve rezultuan me vendimin e armëpushimit ‘de facto’ të emërtuar si “Ulja e dhunës”. Ndërsa më 29 shkurt në fund të periudhës 7 ditore që filloi më 22 shkurt 2020 u nënshkrua marrëveshja e paqes.