Në ishujt Kanarie të Spanjës në javën e parë të 2025 arritën mbi 1000 migrantë të parregullt

Numri i migrantëve të parregullt që mbërritën në Ishujt Kanarie në Spanjën jugperëndimore në javën e parë të 2025 ka shkuar në mbi 1000, transmeton Anadolu.

Fluksi i migrantëve ka vijuar edhe në 7 ditët e para të vitit të ri drejt Ishujve Kanarie, i cili është destinacioni më i përdorur për migrimin e parregullt nga deti nga Afrika e Veriut drejt Spanjës.

Në deklaratat e bëra për media nga pushteti vendor i Ishujve Kanarie dhe Roja Bregdetare thuhet se vetëm në 24 orët e fundit në rajon kanë ardhur 359 migrantë të parregullt me 4 varka, ndërsa numri i tyre në javën e parë të vitit ka tejkaluar shifrën 1000.

Autoritetet thanë se nga 359 migrantë të parregullt, të cilët ishin grupi i fundit që mbërritën në ishujt Lanzarote dhe El Hierro, 53 ishin gra dhe 24 fëmijë.

Raportohet se katër varkat në fjalë u larguan nga brigjet e Mauritanisë dhe se migrantët e parregullt janë shtetas të Malit, Senegalit, Mauritanisë, Gambisë, Burkina Fasos dhe Guinesë.

Ndërkohë u bë e ditur se një emigrante në njërën prej varkave lindi gjatë udhëtimit, ndërsa nëna dhe foshnja, të cilët u transportuan në spital me helikopter, ishin në gjendje të mirë shëndetësore.

Dy nga migrantët e parregullt që erdhën në Ishujt Kanarie në dy ditët e para të vitit vdiqën gjatë udhëtimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme spanjolle , 46.843 migrantë të parregullt, që përbëjnë 73,2 për qind të numrit total të migrantëve të parregullt që kanë hyrë në vend në vitin 2024, kanë ardhur nga Ishujt Kanarie.