Arkeologu i Muzeut Damjanich Janos në Hungari, Dr. Robert Kertesz, tha se në qytetin Szolnok, ku Perandoria Osmane sundoi për 133 vjet, këtë vit do të përfundojnë punimet në zonën ku gjenden mbetjet e një xhamie dhe konaku që i përkasin periudhës osmane.
Arkeologu i cili udhëhoqi ekipin që zhvilloi punën në qytetin e Szolnok, Dr. Kertesz, bëri një deklaratë për Anadolu Agency (AA) në lidhje me gërmimet në fjalë.
Kertesz tha se mbetje shumë të rëndësishme u zbuluan gjatë gërmimeve të kryera brenda fushës së punëve të rinovimit në kështjellën e Szolnokut.
– Szolnoku ishte qendër e rëndësishme ushtarake dhe administrative gjatë periudhës osmane
Kertesz shpjegoi se Szolnoku u mor nga Pashai i Budës, Hadım Ali Pasha dhe Kara Ahmet Pasha më 4 shtator 1552, dhe ishte territori më verior i Perandorisë Osmane për shumë vite dhe osmanët sunduan pa ndërprerje për 133 vjet deri në vitin 1685.
Duke treguar se Szolnoku ishte një qendër e rëndësishme ushtarake dhe administrative gjatë periudhës osmane, Kertesz tha: “Sanxhaku kishte një kështjellë të fortë dhe qyteti mbrohej me hendek dhe me mure. Fluksi i pandërprerë i furnizimeve ushtarake të qytetit dhe mallrave komerciale sigurohej nga flota e vendosur në portin e lumit Tisza”.
Kertesz deklaroi se si rezultat i gërmimeve të kryera në vitin 1973, u identifikuan mbetjet e një xhamie që i përkisnin periudhës osmane dhe se xhamia, emri i së cilës është Hünkar sipas burimeve historike, u ndërtua nga familja Yahyapaşazade në vitin 1550, dhe u rinovua nga Mürteza Paşa i Budinit në vitet 1620.
– Në Hungari për herë të parë u gjetën mbetjet e një pallati të epokës osmane
Kertesz tha se gjatë gërmimeve të kryera në vitin 2018 në veri të rrënojave të xhamisë të zbuluara kanë rastisur në mbetjet e një ndërtese 15 metra të gjatë dhe njëkatëshe.
“Ne përcaktuam që ndërtesa e madhe drejtkëndëshe ishte një pallat (konak) osman nga shekujt 16-17. Muret e katit përdhes, të përbërë nga dhjetë dhoma, ishin bërë me tulla balte të papërpunuara. Gjetëm se të dy pallatet, të cilat mbartin gjurmët tipike të ndërtimit osman dhe materialet e përdorura në ndërtimin e saj, janë plotësisht unike në Hungari. Mund të them se pallati në fjalë mund të jetë shtëpia e Beut të Sanxhakut të periudhës”.
Kertesz tha se në një nga dhomat e rezidencës, ata gjetën një figurë të dragoit prej bakri të shekullit të 16-të që mendohet të jetë nga Azia Qendrore.
– Gërmimet në Kështjellën e Szolnokut do të përfundojnë deri në fund të verës
Kertesz theksoi se kanë kryer hetime në një zonë prej 1.492 metrash katrorë të kalasë së Szolnokut, e cila ka një sipërfaqe prej 60 mijë metra katrorë, dhe se sipas planeve, gërmimet do të përfundojnë deri në fund të kësaj vere.
Duke potencuar se administrata e qytetit të Szolnokut gjithashtu u dha gjithë mbështetjen e nevojshme gërmimeve dhe se disa nga banorët e qytetit morën pjesë vullnetarisht në punime, Kertesz shtoi se gërmimet do të vazhdojnë në pjesën lindore të pallatit dhe do të fillojnë përsëri në ditët në vijim.