Në Gjermani hiqet izolimi, rriten rastet

Një javë pasi Gjermania hoqi disa masa kundër koronavirusit, autoritetet raportuan një rritje të lehtë të nivelit të riprodhimit të virusit.

Instituti Robert Koch tha se niveli i riprodhimit është rritur nga 0.9 sa ka qenë tani vonë, në 1.0. Çdo shifër nën 1 nënkupton se virusi është duke rënë, ndërsa gjithçka mbi 1 do të thotë se po rritet. Në fillim të marsit, niveli i riprodhimit ishte 3.0, ndërsa më 8 prill ka qenë 1.3, sipas REL .Instituti Robert Koch për sëmundje infektive njoftoi se ka regjistruar edhe 1,144 raste të reja me koronavirus, që e rrisin në 156,337 numrin e përgjithshëm të të infektuarve në Gjermani.

Sipas të njëjtit burim, numri i viktimave u rrit me 163, në 5,913. Kur bëri të ditur lehtësimin e masave të izolimit, kancelarja Angela Merkel, shtoi se edhe ndryshimi më i vogël në nivelin e riprodhimit të virusit mund ta ndikojë në përgjigjen e qeverisë. Gjermania ka një një bilanc më të vogël viktimash krahasuar me vendet tjera europiane: Italinë, Spanjën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar – secila me mbi 20,000 të vdekur. Suksesi relativ i Gjermanisë në trajtimin e koronavirusit u është atribuar kryesisht testimeve masive./tch