Ballina Artikuj NE “DUAM” TË JAPIM TERRITOR, POR VALLË A DUAN ATA TË NA...

NE “DUAM” TË JAPIM TERRITOR, POR VALLË A DUAN ATA TË NA JAPIN DIÇKA?!?

Prof.Dr. Ismail Bardhi

Ismail Bardhi

Në një shkrim timin të shkruar së fundmi të titulluar “Demarkacioni…” , fjalia e fundit ishte: mos u habitni se këta që flasin në emër të kombit, përpos tradhtisë dhe mashtrimit nuk na kanë lënë asgjë tjetër; dhe se nuk është mençuri që në këtë kohë të mbrohet ose të luftohet për tokë. Kjo është tamam siç thotë aforizmi serb: “Nëse është fati në fatkeqësi, atëherë ne serbët (unë do të thosha shqiptarët) jemi populli më fatlum”.

Sinjalet e tradhtisë gjithnjë e më shumë shtohen e përsosen; harrohen premtimet; harrohet e vërteta; harrohet kuptimi i shtetësisë; dashuria për tokën/vendin dhe shtetin, dhe nuk ka njeri që nuk e ka thënë dhe nuk i thotë këto fjalë: edhe ata që mashtrojnë edhe ata që mashtrohen. Shumë mendimtarë, njerëz të urtë janë akuzuar vetëm pse kanë thënë se ne duhet të sillemi mirë me serbët; të sillemi si njerëz të edukuar, të qytetëruar, sipas hakut të komshillëkut. Janë akuzuar aty për aty me tradhti nga “patriotët” dhe “komandantët”. E ç’të themi ne që dëgjuam dhe lexuam fjalitë se “është mirë dhe e mundshme që të bëhet shkëmbimi i “x” territoreve”. Kjo nuk do të thotë gjë tjetër, pos se ne jemi të gatshëm të japim gjithçka: nderin, kuptimin e shtetësisë, territorin vetëm që të mos e humbasim trimërinë e “odave” dhe “zyrave”.

Nëse në hapësirën e Ballkanit, e të mos flas për Evropën, kërkohet një popull i cili ka dhënë tokë sa është kërkuar, dhe jo vetëm aq, besoj se nuk ka të tillë pos popullit shqiptar. Kjo ka nisur që nga fillimi i shekullit XX e këndej. Dhe siç shihet nuk i duket fundi… E në anën tjetër, besoj se nuk ka popullsi që është mashtruar më shumë se ne nga fjalori “patriotik”. Ja pra, ç’të bëjmë ne sërish? Vazhdon problemi i demarkacionit me Malin e Zi; me vijën përgjatë Malit Sharr, e sa për veriun e Kosovës, kjo mesele i ngjan këngëve me sharki “çka i ka thanë Dema Kadrisë…”

Këto që u thanë më sipër nuk mund të mbështeten as mbi urtësi, as mbi mençuri, as mbi histori, përveçse mbi atë fushë që ne e duam më së shumti e që është “ilegaliteti”, organizimi në fshehtësi. Ky ilegalitet në shekullin XX ka qenë naivitet, por për ne “trimëri”; ne si duket jemi përpjekur ta mashtrojmë edhe fshehtësinë. Kjo mendësi ka krijuar zbrazëti të madhe në historiografinë tonë, për arsye se është mbështetur mbi mashtrim dhe gënjeshtër. Nëse do të dëshironim ta bënim një krahasim me mitin serb: “Kosova është burimi i ekzistimit të serbizimit – pa Kosovë nuk ka Serbi”, që është bërë disi edhe pjesë dogmës së Kishës; te ne

antiteza e kësaj është mendësia e ilegalitetit. Kjo ngaqë miti i Kosovës është një ndër mitet më paradoksale që Serbinë e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë shumë! Mbi këtë mit ata janë duke e ndërtuar historinë, kulturën, që i bën shumë qesharakë në historiografinë e Ballkanit, e të mos flas për më gjerë. Disi mund ta “pranoj” këtë, por nuk mund ta pranoj një gjë që ndryshe titullohet, e përmbajtjen e ka të njëjtë: Serbët mbështeten mbi mitin e shpalljes së disfatës si fitore, ndërsa shqiptarët janë duke e krijuar mashtrimin mbi mitin e fitores. Po, kjo është e vërtetë, ne me vite jemi duke e fshehur fitoren tonë dhe të gjithë mbi këtë fitore jemi duke zhvilluar një mendësi, një “mençuri” humbëse. Nuk mund ta kuptoj këtë ndryshe përveçse kësisoj.

Shikoni vetëm të kaluarën tonë, si u krijua shteti, çfarë sundimesh patëm këto 100 e diçka vitet e fundit, duke filluar që nga Noli, princin Vid të dhuruar nga Austria, mbretin e vetëshpallur Zogu, e si qershi mbi tortën kishim xhaxhin Enver: ateist që e turpëroi mendjen shqiptare. As skenaristët më të shkathët dhe me imagjinatë të zhvilluar nuk mund ta shfaqin në skenë një mendësi të tillë. Thua se e gjithë kjo e kaluar është betuar se do t’ia qajë nënën këtij populli. Mos mendoni se Kosovën e barazova me Shqipërinë; ajo ka qenë gjithmonë diku “në mes”, si mall për pazar. E tani në këtë kohën e re, me demokraci të “dhuruar”, ne nuk dimë ç’të bëjmë. Me twitter dhe facebook rregullohet politika, komunikohet me “popullin”, drejtohet shteti, sillen vendime për të cilat nuk di as parlamenti… katrahurë e vërtetë. Dëshmi për këtë është dalja e “akademikëve” apo gazetarëve që diskutojnë se nuk ka asgjë të keq që të mendohet për shkëmbim trojesh ku jetojnë, dihet, shqiptarët, në stilin: ne ua japim veriun, ata le të na e japin lindjen/jugun, thua se janë të bindur se “ata” janë të gatshëm të dhurojnë diçka. (Kur them “lindjen” nuk mendoj Lindjen, sepse në atë rast, këta janë të gatshëm të heqin dorë nga ajo, vetëm pse lidhet me Lindjen.) Sa për keqardhje.

Është mirë t’i lëmë disi anash mitet, të atyre që krijojnë historinë mbi mashtrimin, dhe të tjerët që krijojnë fitore mbi disfatë. Ku “fati” të mbeteshin kufijtë gjeografikë të caktuar me “marrëveshjet” e ndryshme ndërkombëtare, sesa t’i nxjerrim tokat tona në ankand. E di se është një fjalë e rëndë, por do ta thosha këtë në mënyrë hipotetike: do të ishte shumë më mirë që të mbeteshin Kosova, dhe Shqipëria, me hartat që kanë pasur, pavarësisht pavarësive të tyre, sesa t’i shkëputen pjesë të territorit; kjo do të thotë se do të ishte më lehtë që Kosova të mos jetë temë debatesh për ndarje, pavarësisht se nën cilën “qeverisje” do të ishte. Mos mendoni vallë se serbëve të Serbisë u qan zemra e do ta pranonin ta kishin Kosovën me shqiptarë pjesë të Serbisë në këto kohëra “demokracie”?!? Ata rrëqethen nga mendimi se Kosova mund t’i bashkëngjitet rishtas Serbisë. Është tmerruese kjo që e them, por e bëj vetëm si vërejtje se atë Kosovë që “ata” e kanë bërë të jetë kështu, ne nuk jemi në gjendje ta mbrojmë. Do të dal pak nga konteksti mbase, por problemi është i njëjtë: ja si na nënçmuan” neve në Shkup ku u sajua një shesh që humb të gjitha kuptimet dhe sa për të na mashtruar ata të “ilegalitetit” që kanë “luftuar” për çlirimin e Kosovës dhe Maqedonisë (u ka ngelur vetëm Shqipëria) na “sollën” b(p)ustin e Skënderbeut në vend të gabuar, e jo në qendër të qytetit, pa harruar edhe se na e “sollën” edhe gjuhën shqipe, edhe pse po bëhen 15 vjet që

akoma nuk na e kanë “sjellë” në ndonjë shesh si bust. Por, si “trima” që janë nuk arritën dot ta “çlirojnë” një vend në sheshin kryesor të qytetit për ta vendosur bustin.

Është për të ardhur keq se këta mashtrues që nuk ju dihet fundi, e nëpërkëmbën trimërinë, urtësinë, besnikërinë, nderin e shqiptarëve dhe atë për hir të “çështjes kombëtare”. Besoj se është me vend të thuhet edhe kjo: edhe ne besimtarët jemi fajtorë për një gjë të tillë. Paramendoni bashkësitë fetare islame në të gjitha trojet shqiptare, me një fjalë besimtarët, pavarësisht kushteve, rrethanave të vështira ekzistuese, të gjithë e hapën zemrën dhe u dhanë pas organizimeve dhe pjesëmarrjes në ato “lëvizje” që “u organizuan” në “ilegalitet”, me të vetmin qëllim: mbrojtjen e trojeve apo të vatanit, pa marrë parasysh origjinën e tyre (lëvizjeve ilegale). Madje një vit e anuluan edhe shkuarjen në haxh. Sa shumë figura fetare kanë sakrifikuar edhe ndërgjegjen e tyre prej besimtari dhe mësimet e fesë vetëm për hir të çështjes së vatanit. Ne e dimë se feja mbështetet mbi vlera, e vlerat janë universale dhe ne nuk kemi të drejtë t’i shkelim vlerat për hir të asnjë “çështjeje”, e mos dhëntë Zoti për “çështjen” e banditëve ilegalë. Këta të fundit në mënyrë perfide përpiqen të krijojnë armiqësi, duke favorizuar një besim fetar ndaj të tjerëve. Habia më e madhe është se edhe ai besim që mashtrohet nga mashtrimet e këtyre, nuk krijon asgjë tjetër, veçse mashtrim, ose fe pa Zot.

Jo vetëm që këta “prijës” nuk u falënderohen besimtarëve myslimane shqiptarë, por madje edhe i akuzojnë me akuza të rënda të pabazuara. Nuk flas për kriminalitetin, ai është i tillë dhe si i tillë duhet dënuar, por krimet që i bën paria politika shqiptare i kapërcen dimensionet e kuptimësisë. Për shembull, ndalohen lëvizjet legale, dhe përndiqen themeluesit apo krerët e shoqatave kulturore fetare, me pretekst se “lëvizjet” e tilla na çojnë nga Lindja; e në fakt këta që bëjnë ndalimin e tillë na çojnë përjetësisht nga perëndimi i kulturës. (Para disa ditësh kisha një shok, dijetar i ri që më tregoi se kishin pasur një tubim mbi filozofinë e Lindjes me disa kumtesa, me ç’rast një nga të pranishmit, me titull “estetik”, ka marrë fjalën dhe ka thënë se temat e këtilla neve na çojnë nga Lindja. Sa për hir të “estetikës” së tij nuk do të them “O Zot!”, por “O tempora o mores”.)

Besoj se i ka ardhur fundit mendësisë së politikës së ilegalitetit dhe patriotizmit mashtrues, këta nuk kanë mundësi të jenë më tabani mbi të cilin ne do të duhej ta mbështesim kulturën tonë, sepse as patriotizmi e as mendësia e politikës shqiptare të ilegalitetit nuk sjellin asgjë, veçse sundim të llojit “Enverian” dhe urrejtjes ndër-fqinjësore. Neve si shqiptarë nuk na pengon gjuha, as origjina jonë, sepse këto janë gjëra që i kapërcejnë përmasat e racionales; ato janë çështje metafizike; Zoti i ka krijuar kombet, gjuhët dhe fiset që njerëzit të njihen me njëri-tjetrin dhe të jetojnë bashkërisht si njerëz; dhuratën e urrejtjes e kemi nga mendësia e ilegalitetit dhe nacionalizmit primitiv, pa marrë parasysh të cilit komb. Ata që gënjejnë, vjedhin, mashtrojnë, nuk kanë vend askund, veçse, për fat të keq, në udhëheqjen tonë; ata shfrytëzojnë fuqinë tonë për të na vrarë, për të na armiqësuar, për të na fyer…

Besimtarët kanë librat e shenjtë, pa marrë parasysh ndarjet e tyre fetare, dhe janë të thirrur t’u besojnë atyre pa i ndryshuar dhe pa u mashtruar; aty qëndron shpëtimi dhe lumturia;

bashkëjetesa duhet bërë mu ashtu siç i takon njeriut të plotësuar me vlerat universale njerëzore që ndalojnë mashtrimin dhe “dhurimin” e trojeve.

Për fund po e citoj një thënie të të Dërguarit Muhammed a.s.: “Pasha Atë, në dorën e të Cilit është jeta ime: ose ju do te urdhëroni për mirë, do ta pengoni të keqen, do ta merrni për dore keqbërësin dhe ta përfitoni atë për të Vërtetën, ose në të kundërtën Allahu në zemrat tuaja do ta fusë urrejtjen, ose do t’ju mallkojë edhe juve, ashtu siç i ka mallkuar ata”.

28 janar 2017

Exit mobile version