Në ditën e dytë të ar’mëpushimit, ush’tria iz’raelite bo’mbardon qytezat në Libanin jugor

Ushtria izraelite bombardoi disa qyteza në Libanin jugor sot herët, ndërsa armëpushimi mes dy palëve hyri në ditën e dytë, transmeton Anadolu.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi bombardime artilerie në qytezat Ayta al-Shaab dhe Bent Jbeil në Libanin jugor.

Një sulm ajror kishte gjithashtu në shënjestër një makinë në Markaba, duke lënë dy persona të plagosur, tha agjencia shtetërore.

I njëjti burim tha se tanket izraelite qëlluan me predha në qytezën Wazzani dhe në periferi të Kfarshoubas në Libanin jugor.

Avionët zbulues izraelitë fluturuan po ashtu mbi rrethet Tir dhe Bent Jbeil sot në mëngjes.

Ushtria izraelite paralajmëroi civilët libanezë herët sot që të qëndrojnë larg dhjetë fshatrave në Libanin jugor deri në njoftimin e mëtejshëm, duke paralajmëruar se kushdo që “kapërcen vijën e vë veten në rrezik”.

Marrëveshja e armëpushimit hyri në fuqi të mërkurën herët për t’i dhënë fund luftimeve mbi 14-mujore midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.

Sipas kushteve të armëpushimit, Izraeli do të tërheqë forcat e tij në jug të “Vijës së Kaltër” në një mënyrë me faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendosë forcat e saj në jug të Libanit brenda një periudhe që nuk i kalon 60 ditë.

Zbatimi i marrëveshjes do të mbikëqyret nga SHBA-ja dhe Franca. Megjithatë, detajet mbi mekanizmat e zbatimit mbeten të paqarta.

Mbi 3.800 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.