Në dhjetor pritet një valë e gripit në Kosovë

Tash kur jemi në prag të stinës së dimrit, edhe gripi sezonal është më i pranishëm. Mirëpo, deri tani gjendja është mirë, por që në dhjetor pritët ‘vala’ e gripit sezonal.

Drejtori i Klinikës Infektive, Hami Ramadani për Indeksonline ka thënë se nuk ka raste të paraqitura në klinikë.

“Aktualisht situata e sëmundjes me grip është e mirë, dmth se nuk ka raste të paraqitura në klinikë dhe për trajtim.. Janë disa raste ambulantore 2 ose 3 që ngjajnë në grip, por që nuk janë vërtetuar me analiza përkatëse deri tani. Edhe pse tash nga muji dhjetor pritet një valë i gripit”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se simptomatologjia e gripit është shumë e përgjithshme, si temperaturë e lartë deri në 39 e mbi.

“Dhembje të nyejve të kokës dhe plogështi dhe më vonë ndërlidhen shenja respiratorike, kollë, dhembje fyti, koke, probleme hundësh, etj”, ka përmendur si simptoma të gripit drejtori i kësaj klinike.

Ndërsa, si mosha më e atakuar e gripit është ajo shkollore dhe parashkollore, por dhe moshat e shtyera.

Kujtojmë që, bazuar në planin e vaksinimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar sivjet 85 mijë vaksina kundër gripit sezonal dhe 150 vaksina për fëmijë.

Nëpërmjet Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka filluar shpërndarja e këtyre vaksinave, në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare – njësitë e vaksinimit, në të gjitha komunat e Kosovës, ku qytetarët mund të vaksinohen.

Gripi sezonal është një infeksion akut viral. Transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri përmes stërpiklave gjatë kollitjes ose teshtitjes dhe ne menyre indirekt me prekjen e objekteve të kontaminuara me virusin e gripit sezonal.