Ne dhe/apo “Balena blu”

Ndërsa e gjithë shoqëria vazhdon të jetë ende e mbërthyer mes një palë votimesh me rezultat të shpallur dhe një palë zgjedhjesh me rezultat të paralajmëruar, krejtësisht larg vëmendjes dhe interesit shoqëror, një kosë e re pasionesh të vjetra ka zënë të na presë aty ku na dhemb më shumë – te fëmijët, edukimin e të cilëve, pasi ua hoqëm gjyshërve “demode”, ia besuam jo fort përgjegjshëm një dadoje moderne, po me sa duket, të pabesë: teknologjisë. Dhe ajo sapo ka zënë të na e “shpërblejë” naivitetin dhe papërgjegjësinë tonë, me krim, shpërdorim dhe së fundi dhe me vrasje…

“Kosa” vdekjeprurëse quhet këtë herë “Balena Blu” – një lojë e përhapur përmes rrjeteve sociale, e cila synon të tërheqë vëmendjen e adoleshentëve të vetmuar apo depresivë, për t’i shtyrë drejt vetëvrasjes. Spekulohet, se si model ka shërbyer historia e adoleshentes amerikanes, M. Carter, e cila u akuzua të kishte shtyrë të dashurin e vet në vetëvrasje. Në vitin 2012, kur u njohën, të dy të rinjtë ishin depresivë: ai ishte përpjekur të vetëvritej, ndërsa ajo vetëgjymtohej. Shiheshin vërtet rrallë, por komunikonin intensivisht në celular dhe Facebook. Për dy javë, mesazhet e vajzës sykaltër e bindën djalin, se vetëvrasja ishte i vetmi shpëtim për të, duke e motivuar të vetëvritej në një fugon me monoksid karboni, ndërkohë që ajo ndiqte gjithçka në telefon. Edhe “Balena Blu” nisi në vitin 2013 në Rusi si një shaka adoleshentësh, po nga mesi i vitit 2016 tërhoqi vëmendje për shkak të numrit alarmant të viktimave. Loja u zbulua fillimisht nga mediat ruse, që nisën të sensibilizojnë prindërit për rreziqet. Arrestimi i autorit dhe administratorit të lojës së fundi në Moskë u shoqërua me uljen e dukshme të vetëvrasjeve, ndonëse hetuesit i druhen rifillimit të një vale të re. Duke qenë se është virale dhe nuk lë prova fizike për ekzistencën e vet, me gjithë paralajmërimet e shumta për rrezikun, loja vazhdon të përhapet. Numri më i lartë i viktimave (140) është shënuar deri tani në Rusi, ndonëse është e pranishme edhe në Amerikë, Britaninë e Madhe, Greqi, Argjentinë, Brazil, Kili, Kinë, Kolumbi, Itali, Kenia, Paraguai, Gjeorgji, Spanjë, Serbi, Venezuelë, Uruguai dhe së fundmi edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

Preja më e lehtë mbeten fëmijët, të papërgatitur ta ndeshin rrezikun në lojë apo adoleshentët në kërkim të personalitetit, si pasojë e ndryshimeve hormonale në organizëm. Të dyja këto grupmosha, gjithsesi problematike për shkak të labilitetit psikik dhe konfliktit me botën përreth, rezultojnë aktualisht akoma më të ekspozuara ndaj rreziqeve të këtij lloji: së pari, nga prania e kursyer e prindërve si pasojë e mbipërpjekjes së tyre për të siguruar jetesën dhe kohës së pakët në shërbim të familjes; së dyti, nga shumëfishimi i shpejtë i mundësive virtuale që gjithnjë e më shumë mbushin dhe zhvleftësojnë mungesat shoqërore reale dhe së treti, nga mospërputhja midis zhvillimit dhe depërtimit global të mjeteve të informimit dhe ritmeve lokale gjeografikisht të ndryshme të zhvillimit ekonomik, që e “ngop” varfërinë me komunikim dhe e “mbush” prapambetjen me ëndrra fiktive. Për rrjedhojë fëmijëve dhe adoleshentëve të botës së tretë, vendeve të pazhvilluara apo të zonave të varfra telefoni celular dhe interneti u hap siparin e një botë virtuale, që tejkalon shumë herë në zhvillim, kontakte dhe mundësi jetën dhe botën e tyre reale, duke e bërë këtë ofertë krejtësisht të pakontrollueshme nga mjedisi ku ata jetojnë. Po edhe në shoqëritë më të zhvilluara, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë ka prodhuar ndërkohë një rutinë sjelljeje, sipas të cilës fëmijët dhe të rinjtë nuk e përdorin internetin dhe celularin për të mësuar, po për të komunikuar dhe shuar mungesat reale në mënyrë virtuale.

Pikërisht kjo është hapësira, që “Balena blu” gjen dhe hyn. Ndaj kontakti i parë shoqërohet me pyetjet: A ndihesh i/e vetmuar? Je ndarë gjë me të dashurin/të dashurën? Ke probleme në shkollë? A kuptohesh me prindërit? Procesi i selektimit të targetit të dëshiruar shoqërohet nga një ofertë integrimi në “komunitetin” e “Balenës”, përmes linkut përkatës, çka u transmeton viktimave idenë fiktive, se kuptohen pasi janë pjesë e një bashkësie personalitetesh të ngjashme, se përvojat e tyre nuk janë të vetmet, pasi në to kanë kaluar edhe të tjerë dhe se për këtë arsye ky komunitet mund të ofrojë ndihmë dhe mbështetje. Si në një shoqëri të sapokrijuar, me të cilën mezi pret të takohesh për ta shijuar, aplikacioni mban lidhur çdo aplikant të ri, duke ofruar vizatime, muzikë dhe video deprimuese, që transmetojnë idenë e kotësisë së jetës dhe joshin drejt fundit të saj si shpëtim. Në mesazhin e parë nuk jepen shumë detaje. Sfidat e para gjithashtu nuk paraqiten të rrezikshme, çka është pjesë e strategjisë për të tërhequr viktimat. Po kur një person pranon të luajë, për të s’ka më kthim mbrapa. Më pas vendoset kontakti me një administrator, i cili për 50 ditë rresht jep detyra, që i riu duhet t’i plotësojë për të kaluar në nivelin tjetër, p.sh. të vizatojë një vajzë, që është hedhur në shinat e trenit, të vizatojë me brisk një balenë në llërë etj. Duke përdorur metoda manipulative, për të mos i lënë fëmijët dhe të rinjtë të heqin dorë nga loja, sfidat sa vijnë edhe bëhen më të tmerrshme. Autorët e lojës janë mjeshtra të psikologjisë, njohës të hollë të mendjes njerëzore, të cilët e kanë planifikuar qartë çdo lëvizje dhe jetët e dhunimit psikik për çdo rast eventual. Të gjithë ata, që në një mënyrë a në një tjetër kanë tentuar ta ndërpresin lojën apo të mos e kryejnë detyrën, që u është ngarkuar, rrëfejnë për presione psikologjike nga më të ndryshmet – duke filluar nga kërcënimi, për përndjekje të përjetshme deri te kërcënimi i jetës së bashkëfamiljarëve. Kështu të gjitha sfidat me të cilat fëmijët apo adoleshentët përballen dhe detyrat, që ata kryejnë, i çojnë drejt një kaosi psikologjik, i cili shndërrohet në depresion, ku mendja bëhet shumë më e manipulueshme dhe shumë lehtë e orientueshme drejt vetëvrasjes, e cila është edhe sfida finale e kësaj loje, pasi dita e fundit është dita ku individi bëhet hero i lojës së tij duke vrarë veten.

Në Shqipëri “Balena Blu” rezulton të jetë aplikacioni më i shkarkuar për celularët inteligjentë dhe të shfaqet si një formë e bullizimit. Nëse në vendet e tjera rekrutuesit e fëmijëve janë të rritur, në Shqipëri bashkëmoshatarët rekrutojnë bashkëmoshatarët me qëllim dhunimin e tyre. ALO 116 ka regjistruar brenda një jave shtatë raportime rastesh të tilla, ku fëmijët pyesin, si ta ndalin presionin e shokëve për të nisur lojën, kujt t’i kërkojnë ndihmë për të ndërprerë lojën apo thjesht duan të sigurohen, nëse vërtet do të kenë pasoja të rënda nëse e ndërpresin lojën, siç kërcënohen nga shokët. Po ajo që dimë, është me siguri vetëm një pjesë e vogël e asaj që ndodh në të vërtetë. Se nëse fëmijët kanë zënë të rekrutojnë fëmijët, d.m.th. se “loja” po perfeksionon mjetet e saj kriminale, duke përdorur “ende të gjallët” dhe sfidat e tyre të ndërmjetme si rekrutues për pasardhësit jo thjesht për të ulur moshën e “bashkëpunëtorëve”, por për t’i zhdukur ata në radhët e të vetëvrarëve të së nesërmes, duke tentuar, që së bashku me gjurmët fizike të lojës të zhdukë dhe të gjithë ata, që dinë diçka për të. Shkurt, sa më shumë shtohen njohuritë tona për lojën, aq më perfide dhe e rrezikshme bëhet ajo, aq më të rrezikuar fëmijët tanë… Ndaj pas arrestimeve në Rusi, nuk mund të qetësohemi! Përkundrazi!

Fëmijët duhen mbrojtur nga vetmia, autoriteti, mungesa e vëmendjes dhe e komunikimit. Prindi duhet të dijë, ç’konsumon fëmija në kompjuter, telefon inteligjent, tablet, laptop; ç’faqe viziton, me kë komunikon, ç’aplikacione përdor dhe ç’ka instaluar; duhet të kontrollojë dhe rregullojë privatësinë e fëmijës, ta mësojë të vërë kufizime në profilin e vet, të raportojë dhe të bllokojë personat e panjohur, që duan të komunikojnë me të dhe të mos japë informata, që mund ta identifikojnë. Prindi duhet të komunikojë me fëmijën për rreziqet ‘online’, të monitorojë humorin e tij/saj dhe të tematizojë çdo problem që ai/ajo mund të ketë; po nëse vë re, se fëmija paraqet: mungesë humori dhe apati, zgjim herët në mëngjes, mungesë oreksi, mbyllje të gjata në dhomë, qëndrim të gjatë në kompjuter apo telefon dhe mungesë interesi për aktivitet jetësor, të konsultohet me psikologun dhe të njoftojë organet përkatëse.

Po prindët sigurisht, që nuk duhen lënë vetëm – në epokën e teknologjisë së informacionit, mbrojtja e fëmijës prej saj përbën një sfidë tejet të vështirë – ajo kërkon angazhim dhe kompetencë, ndaj sfida nuk është vetëm e tyre, po e gjithë shoqërisë. Ndaj organet mbrojtjes nga krimi kibernetik, shkolla dhe jo së fundi mediat duhet të tërheqin vëmendjen dhe të ofrojnë mbështetje konkrete për të gjitha kategoritë e prindërve për rrezikun që kjo lojë degjeneruese dhe shkatërruese paraqet për fëmijët tanë.

Përparimi nuk mund të vijë si krim, as si shfarosje – ndaj sfida është e të gjithëve ne!

Nëse s’e ndalim teknologjinë të na vrasë sot fëmijët, ajo nesër do të na shuajë qytetërimin!Nga Mirela Oktrova /Mesazhi/