Edhe më i rrezikshëm është bërë mutacioni i “Nismës së Berlinit”, projekti “Open Ballkan”, ku kryeministri i Shqipërisë Rama është bërë protagonist më i zellshëm se presidenti i Serbisë për të gjunjëzuar Kosovën e kryeministrin e saj të ri, Albin Kurti, që ta ulin kokën e zëvendësojnë kërkesën e njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës nga Serbia me premtimin që paska dhënë Vuçiqi se “po të hyjë Kosova në “Open Balkan”, Serbia do t’i lejojë shqiptarët e Kosovës të hyjnë e të dalin si ua do qejfi në Shqipëri”.
Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë
Jemi në kohën e mërzisë së përgjithshme, të trysnive e të tensioneve globale, të mungesës së motiveve dhe emocioneve frymëzuese, madje edhe të zhveshur nga prirjet për shpresa iluzore mobilizuese, siç ka pas ndodhur herë pas here në kohëra të mëparshme. Përparimet e mëdha në zhvillimet teknologjike të 30 viteve të fundit nuk e kanë bërë botën më të mirë ose njerëzimin më të lumtur. Shtetet, si njerëzit, janë gjithnjë në kërkim të shkaseve për sherr, të gjurmëve të një armiku, që të nxisin frikën e nevojën për mobilizimin në rresht për luftë. Thirrjet kundër totalitarizmit, fashizmit, komunizmit kanë dalë jashtë modës. Edhe terrorizmi duket si armik i vjetruar, sidomos pas përfundimit pa ndonjë rezultat konkret e dobiprurës të asaj lufte të tmerrshme që u bënë Siri dhe pas tërheqjes si patëkeq të trupave amerikane nga Afganistani, që askush nuk e kupton dot më përse duhej të shkonin atje. Tani si armik botëror e justifikim ndërhyrjesh duket kanë mbetur të quhen vetëm “PANDEMIA”, “ANTIVAKSINIMI” dhe “KORRUPSIONI”. Po a do të binden njerëzit për këtë dhe të mësohen që gjithçka tjetër ta lënë në duart e oligarkive të reja e të harrojnë oligarkitë tradicionale të financave, naftës, armatimit etj.?
Edhe nga pyetjet e shumta që ka renditur redaksia e “Shenja”, kur ka përvijuar kornizën e temës së këtij numri të revistës, ka dalë qartë se jetojmë në një periudhë të zymtë e të rrezikshme tensionesh të skajshme në marrëdhëniet ndërkombëtare rreth nesh e larg nesh. Në Ballkan dhe në Europë është kohë dyshimesh të shumta, pasigurie në rritje, rreziqesh të njohura e të panjohura. Më dukshëm këto shfaqje na i kujton propaganda e përditshme, trullosëse, luftënxitëse nga Serbia, paralajmërimet abstrakte nga BE-ja e diplomacitë perëndimore për rritjen e rrezikut ruso-kinez në Ballkan, si dhe shtrëngimi gjithnjë më sfidues e arrogant i muskujve ushtarakë nga Rusia. Nga ana tjetër, nuk ka munguar dhe trysnia e përbashkët bajate demagogjike (presidenciale nga Serbia e kryeministrore nga Shqipëria) për t’u përfshirë në një kompleks të ri shumështetëror “Open Balkans” si streha e parafundit deri sa t’i mbushet mendja Europës së Bashkuar të na ulë në një qoshe të saj. Me kaq rreshta mund ta kisha përfunduar këtë shkrim, duke thënë se e bëra “detyrën e shtëpisë” para redaksisë (siç mburret orë e çast kryeministri i Shqipërisë se i ka bërë mirë e bukur gjithë detyrat që i ka vënë deri tani Europa shpërfillëse Shqipërisë). Por, gjithsesi këto rreshta m’u dukën pak për të respektuar si duhet lexuesin që do të marrë numrin e fundit të revistës për këtë vit. Prandaj po bëj një shëtitje nëpër librat e shkrimet e të tjerëve që të ul disi edhe zymtësisë e përjetimeve personale.
“Kontradikta pandemike” tipar i globalizmit pas-modernist
Të gjitha ato që u përmendën më lart vijnë rrëmujshëm e rrufeshëm brenda periudhash shumë më të shkurtra kohore se në të kaluarën, kur duhej të rridhnin shekuj që të kalohej nga luftërat fetare në luftëra për krijim perandorish e ndarjen koloniale të botës, për shkatërrim perandorish shekullore; për rrënjosje ideologjirash e nacionalizmash, për përplasje qytetërimesh etj. Këtij perceptimi të dukurive të kohës që jetojmë i është shtuar tashmë një “vrojtim pandemik” që prek sferën e politikës, sociologjisë e psikologjisë së turmës. Studiuesja Anne Applebaum ka shkruar: “Gjatë gjithë historisë pandemitë kanë çuar në zgjerimin e pushetit të shtetit: në kohën kur njerëzit i kap frika nga vdekja, ata pajtohen me masat që merren dhe që besojnë, me të drejtë ose gabimisht, se këto do t’i shpëtojnë edhe nëse një gjë e tillë do t’u kushtojë atyre humbjen e lirisë. Në Britani, Itali, Gjermani, Francë, SHBA dhe shumë vende të tjera u arrit një konsensus se njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi, karantina duhet të jetë e detyrueshme, policia duhet të luajë rol të jashtëzakonshëm. Por, në pak vende frika nga sëmundjet u bë krahas aspekteve të tjera të parregulluara të modernizmit një frymëzim për një brez tëri nacionalistësh autoritarë”. (“Twilight of Democracy…”, 2020, f.184). “Frika nga vdekja” kurrë nuk duhet të ketë kapur mbarë njerëzimin me shpejtësi e tmerr si sot, në kushtet e informimit teknologjik të rrufeshëm (mbetem kureshtar të mësoj a e ka trajtuar një aspekt të tillë të problemit në librin e tij të sapobotuar ikona e politikës dhe diplomacisë amerikane, Henri Kisinxher).
Kurrë ndonjëherë “frika nga vdekja” nuk ka shërbyer që kontrolli mbi jetën, ndjesitë, mendjet e nevojat e përditshme të njerëzve të jetë kaq i plotë sa këto dy vitet e fundit.
Applebaume ka bërë “vrojtimin e saj pandemik” mbi politikën në vitin 2020, kur trajtonte temën “Historia që nuk merr fund”, si një antitezë me tezën e bujshme të Fukujamës për “fundin e historisë”, nga e cila prej kohësh amerikanët ishin bindur se demokracia liberale, po të arrihej njëherë, ishte e pamundur të përmbysej” (f.142). Tani, në prag të vitit 2022, mbase e vlen të shtojmë se pandemia COVID-19 me variantet e saj po ndikon aq shumë në psikologjinë e mendësitë e njerëzve, sa prodhon deri “një ndeshje të re interesash e qëndrimesh klasore”, midis kampit të njerëzve që pranojnë vaksinimin e detyruar dhe kampit të atyre që e refuzojnë atë. Kështu që u shfaq dhe një kontradiktë e re shoqërore në shkallë globale, “kontradikta pandemike”.
Tetë vite para Applebaumit, politologu i mirënjohur amerikan, Riçard Haas, në pjesën e parë të librit të tij programor për politikën e SHBA “Foreign Policy Begins at Home” (2013), e prekte gjithashtu temën “Rikthimi i historisë”. Në të vërtetë historia as kishte ikur, as është duke u rikthyer. Historia thjesht vazhdon rrugëtimin e vet normal sipas ligjësive që janë studiuar prej kohësh. Ky libër kishte si lajtmotiv kryesor shpalljen e argumentimin e tezës se “Kërcënimi më i madh ndaj sigurisë e begatisë së Amerikës vjen nga brenda vendit dhe jo nga jashtë”. Kur president i SHBA-ve u bë Donald Trampi, kjo tezë zuri vendin e platformës politike dhe diplomatike zyrtare amerikane nëpërmjet formulave “SHBA vjen e para (mbi të gjitha)”, “Ta bëjmë sërish Amerikën të madhe”. Kurse më 20 janar 2021 libri i Applebaumit shërbeu si provë e dështimit të kësaj politike të Trumpit dhe të metodave të tij për mbajtjen e pushtetit me dhunë. Pra, brenda një kohe të shkurtër në SHBA mendjet e analistëve e veprimet e politikanëve shënuan kapërcime që dëshmojnë se zhvillimet në botë gjithnjë e më shumë po marrin rrugën e të papriturave, sipas taktikave afatshkurtra, jo më sipas strategjive afatgjata gjeopolitike. Prandaj shtetet, kombet, qeveritë, qytetarët në përgjithësi jetojnë e notojnë më shumë në pasiguri, janë në alarm të vazhdueshëm dhe nuk e gjejnë dot se cila është më e mira për ta.
A mund të luajë dikush, (shtet ose individ) “rol mesianik” në kohë të tillë?
Të gjitha këto duken më të vërteta kur vështron më me kujdes se çfarë ka ndodhur më herët e po ndodhë tani më diplomacitë e shteteve, blloqet, mekanizmat ndërkombëtarë për përballimin e ngatërresave që krijohen në shkallë botërore, në rajone më të ngushtë ose brenda vendesh të veçantë. Riçard Haas në librin e tij (f. 148) ka sjellë fjalët (aspak ngushëlluese) të analistit Gerson, që ka qenë fjalimshkruesi kryesor i presidentit amerikan Xhorxh W. Bush, “Një epokë e re dhe më e mirë nuk do të nisë deri sa të vijë për herë të dytë Krishti, që është i vetmi i aftë ta pastrojë këtë bërllok. Asnjë përpjekje njerëzore nuk mund ta shpejtojë këtë ditë ose ta shpëtojë botën përfundimisht”. Haasi nuk pajtohet me nihilizmin e kësaj shkalle, prandaj në librin e tij ka këmbëngulur që Amerika të bëjë gjithçka për të rregulluar gjendjen e saj brenda vendit, që të ketë sukses edhe jashtë, sidomos në frenimin e rrezikut në rritje që përbën Kina për SHBA-në. Në SHBA e në vende të tjera botohen mjaft libra e bëhen shumë diskutime në këtë frymë.
Por, dhe në anën tjetër të botës, të ndarë sërish në dy kampe të mëdha si para rënies së komunizmit, bluhen e mbruhen të njëjtat shqetësime. Më 18 nëntor 2021 në mbrëmje ndoqa në ekranin e “Kanalit 1” të televizionit rus emisionin “Bolshaja igra” (Loja e madhe). Po ata pjesëmarrës, po ato çështje për diskutim, po ai stil i ngurtësuar propagande e retorike amerikane e ruse, sa në emisionet e mëparshme. E veçantë kësaj here m’u duk që të gjithë e thanë hapur që tashmë në botë është rikthyer atmosfera e “Luftës së Ftohtë”. Doli hapur se është rikthyer gara e armatimeve dhe e përsosjes së teknologjisë së armëve të shkatërrimit në masë si dikur. Në “Bolshaja igra” doli se bota përsëri është nën kërcënimin e “lojërave të vogla” me kërcënimet për shpërthime të luftërave të reja më të tmerrshme lokale ose të luftës së përgjithshme, se shtetet po ndjekin “politikën në prag të luftës”. Doli hapur se fuqitë bërthamore kryesore po bëjnë garë të shfrenuar për të përsosur edhe sistemin e instalimet e tyre tokësore, detare, ajrore e kozmike për luftë bërthamore në kozmos. Pra, as frika nga pandemia nuk e ka fashitur etjen për armët, nuk i largon protagonistët e luftës nga frika që përhapnin edhe më parë.
Kjo diplomaci fare mirë mund të etiketohet “terrorizëm diplomatik”, që duket edhe më cinik në kohën e “terrorit pandemik”. Por, një ish-zëvendësministër i Mbrojtjes i Rusisë, tani vetëm deputet civil, u mundua të lëshonte edhe sinjale qetësuese për të frikësuarit, duke thënë se lufta bëhet kur dëshiron ta bësh, jo edhe kur nuk do, pavarësisht se armët moderne i mban gati. Ai shpalli hapur se Amerika e Rusia e bënin luftën e ashpër në Siri nga llogore kundërshtare, por kanalet e tyre të fshehta të komunikimit midis dy palëve nuk e ndërprenë punën asnjëherë, siç po veprojnë edhe tani. Pjesëmarrësit në diskutim e vunë në dukje, me njëfarë lehtësimi, faktin që pikërisht tani këshilltarët më të ngushtë të shërbimeve sekrete të presidentit amerikan, Bajden, dhe atij rus, Putin, po takohen dhe mund të ketë ardhur koha për një takim tjetër Bajden-Putin. Pra, gjithçka bëhet siç ka qenë bërë. Natyrisht është më mirë kështu se të ndodhë ndonjë katastrofë e madhe aksidentalisht. Por, gjithsesi kjo nuk do të thotë se u ka ardhur fundi mundësive e mendësive ose rreziqeve potenciale e reale për luftëra lokale në Europë. Kjo mund të ndodhë në Ukrainë, në kufirin Poloni-Bjellorusi, në vendet baltike ose edhe larg Europës, si rreth Tajvanit etj. Nuk janë për t’u shpërfillur zërat se edhe Ballkani, ku jashtë NATO-s e BE-së ka mbetur vetëm një njollë e vogël ishullore që quhet Ballkan Perëndimor, mund të bëhet sërish vatër e nxehtë tensionesh dhe luftërash me armë në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, ku problemet, që para tri dekadash çuan në shpërbërjen e ish-Federatës së Jugosllavisë, nuk janë zgjidhur drejt e përfundimisht. Megjithatë, kërcënimet e udhëheqësit serbo-boshnjak, Dodik, dhe të presidentit të Serbisë, Vuçiq, e ministrit të tij të brendshëm serb, Vulin, që ta shkëpusin Republikën Serbska nga BH-ja dhe të nisin marshimin ushtarak, të tipit millosheviqian kundër Kosovës nuk duhet të frikësojnë shqiptarët deri në atë masë sa kanë dëshirë ata në Beograd. Hëpërhë, këto kërcënime janë më shumë taktikë e njohur shantazhuese millosheviqiane, si para marrëveshjeve të Dejtonit. Është ajo që quhet “politikë e diplomaci e mbështetur me kërcënimin e luftës me armë”, sesa një vendim tashmë i marrë për të nisur sulmin e madh të “luftës me armë për ta zgjidhur shpejt e përfundimisht ambicien serbe të bashkimit me luftë të të gjithë serbëve” në Serbinë e Madhe.
Serbia e Republika Serbska nuk e kanë qëllimin më të afërt praktik të nisin luftërat e reja menjëherë, por e kanë që të ushtrojnë shantazh diplomatik mbi diplomacitë euro-atlantike se do të shembin tërë ngrehinën e marrëveshjeve të Dejtonit, nëse nuk u imponohen shqiptarëve të Kosovës revizionime të reja të “Planit Ahtisari” dhe të gjithë projekteve që këta kanë pranuar më parë e më pas në dëm të tyre në Rambuje, Vjenë, Bruksel e deri në Uashington më 4 shtator 2020. Synimi parësor i Serbisë mbetet zhvleftësimi i dy mrekullive amerikane në Ballkan, ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës dhe vendimit për shpalljen e saj si shtet i njohur ndërkombëtarisht në shkurt të vitit 2008. Pra, zhvillimet në BH janë ende brenda kornizës së Dejtonit, zhvillimet rreth Kosovës janë ende brenda kornizës së “Planit Ahtisari” dhe në Maqedoni të Veriut janë brenda “Marrëveshjes së Ohrit” (“shqiptaro-maqedone”). Por, nuk ka siguri se këto ndryshime nuk do të marrin kahe shumë të rrezikshme në rast shpërthimesh të forta në kuadër europian e botëror. Prandaj Serbia dhe aleatët e vet tregojnë gjithnjë e më shumë prirjen kryeneçe për t’i nxjerrë zhvillimet nga ky kuadër me kërcënime për luftëra të reja në Bosnje e Kosovë. Prandaj kërleshet pushtetari serbo-boshnjak Dodik e zhurmojnë skifterët e luftës në Beograd.
BH-ja praktikisht është e ndarë qysh me marrëveshjet e Dejtonit, me perspektivën e qartë që herët a vonë Republika Serbska të bashkohet edhe formalisht me Serbinë dhe federata kroato-myslimane të humbasë kuptimin. Por nuk është ky përfitimi imediat që kërkojnë serbët tani. Beogradi po synon që së pari të sigurohet se diplomacitë perëndimore do ta ndihmojnë sërish të rikthejë Kosovën nën njëfarë forme të sovranitetit të tij. Për fat të keq, procesi i bisedimeve shumëvjeçare serbo-shqiptare në Bruksel hyri në këtë hulli qysh në fillim. Vuçiqi dhe tabori i tij politik e diplomatik e kanë kuptuar tashmë se procesi i bisedimeve në Bruksel është i vdekur dhe prandaj po vringëllijnë armët për luftë psikologjike në kufijtë e Kosovës dhe shtyjnë Dodikun të ndezë vatra zjarri në Bosnjë. Për fat të keq, kësaj politike e diplomacie të mbrapshtë prej disa vitesh i ka shërbyer edhe “Nisma e Berlinit” për Ballkanin Perëndimor, që me sa po duket më mirë tani ka qenë marrë në frymën e idesë së shprehur nga kancelarja Merkel “Duhet të plotësohen dëshirat e shqiptarëve në Kosovë, por pa dëmtuar demokracinë në Serbi” (e demokracia në Serbi as ekzistonte, as ekziston).
Edhe më i rrezikshëm është bërë mutacioni i “Nismës së Berlinit”, projekti “Open Ballkan”, ku kryeministri i Shqipërisë Rama është bërë protagonist më i zellshëm se presidenti i Serbisë për të gjunjëzuar Kosovën e kryeministrin e saj të ri, Albin Kurti, që ta ulin kokën e zëvendësojnë kërkesën e njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës nga Serbia me premtimin që paska dhënë Vuçiqi se “po të hyjë Kosova në “Open Balkan”, Serbia do t’i lejojë shqiptarët e Kosovës të hyjnë e të dalin si ua do qejfi në Shqipëri”. Ja më në fund, nëpërmjet Ramës, Beogradi ua dha një “ofertë” shqiptarëve të Kosovës: “hajdeni në Serbinë e Madhe që dhe ne të kemi sy e faqe të themi se nuk e humbëm Kosovën”. Ky na qenka “kompromisi” që serbët e kanë kërkuar vazhdimisht dhe këtë kompromis, me mendjelehtësinë më të madhe, Kurtit e Kosovës po përpiqet t’ua ngecë në derë kryeministri i Shqipërisë.
Në analizën mbi bisedimet serbo-kroato-sllovene për krijimin e mbretërisë treshe të sllavëve të Jugut nga mbarimi i Luftës së Parë Botërore autorja e “Peacemakers”, Margaret Macmillan, ka vënë një fjali të thjeshtë, por me shumë domethënie pikërisht për sot “Serbët nuk ishin aspak të interesuar për një federatë, por vetëm për të bërë Serbinë e Madhe”. Këtë qëndrim e kanë pasur serbët në çdo kohë, edhe në Jugosllavinë e Titos. Këtë qëllim duan të arrijnë serbët edhe sot, nëpërmjet projektit “Open Balkan”. Nëse kryeministrit të Shqipërisë Rama i duket e rëndë fjala “tradhti” kur ia përmendin, duhet të mendojë mirë që kjo fjalë të mos i ngjitet duke plotësuar këtë dëshirë të mikut serb Vuçiq. “Open Ballkan” nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një Serbie të Madhe që do të dominojë mbi të tjerët në sajë të potencialeve më të fuqishme politike, propagandistike, ekonomike e ushtarake që disponon dhe të mbështetjes ndërkombëtare që do të sigurojë. Vuçiqi e Rama nuk mund të bëhen një ikonë mesianike e shpëtimit të Ballkanit as tani që disa gazeta të Tiranës kanë botuar një fotografi të tyre dyshe pa pasur më në mes Zaevin e Maqedonisë së Veriut, që ngjarjet politike e flakën jashtë skene.
Pra, luftë në Ballkan nuk mund të ketë (tani për tani), jo ngaqë atë nuk ua ka fort qejfi serbëve, që plasën duke u mburrur se kanë bërë një ushtri shumë më të fuqishme se e kishin para disfatës nga NATO. Por këto lojëra, që mund të përsëriten sa herë të duash vetëm në legenin me ujë të pisët ballkanik, nuk shkaktojnë dot cunami, sepse dhe rrjedhat e forcave e stuhive do të përcaktohen në një hapësirë më të gjerë nga faktorë shumë më të fuqishëm klimatikë-diplomatikë. Kjo gjendje e ngatërruar ballkanike mund të shërbejë si herë të tjera vetëm si detonator në rast se atmosfera politike europiane do të ngarkohet në maksimum. E sigurisht kjo nuk mund të ndodhë para se të shfrytëzohen deri në shterim të gjitha mundësitë që protagonistët e mëdhenj të luftërave në Europë të arrijnë në përfundimin se u duhet të kalojnë nga “diplomacia e mbështetur me kërcënimin për luftë”, në “veprime luftarake që të hapin procese diplomatike të reja” në Ballkan. Vuçiqi e Rama nuk kanë takat shtetëror ose individual për të ndikuar shumë në këtë evolucion. Por…
Si po trajtohen shqiptarët në këtë “Botën pas-europiane”
Për shkak të pozicionit si vend e komb europian e ballkanik Shqipërisë e shqiptarëve u duhet të mbajnë mirë parasysh trajtimin teorik nga Haasi dhe zbatimin praktik gjatë qeverisjes nga Trampi për “Botën pas-europiane” (f. 38-42). Haasi ka shkruar: “Ne po jetojmë në një botë post-europiane. Në të vërtetë, ne jemi në fazat e para të asaj që mund të emërtohet periudha post-europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky, është pjesërisht një rezultat ironik i suksesit të Europës. Kontinenti, që ishte zona e kaq shumë trazirave, duke përfshirë dhe dy luftëra botërore dhe Luftën e Ftohtë gjatë shekullit të kaluar, është gjerësisht i njësuar, i lirë dhe i qetë. Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, tri nga protagonistet kryesore të historisë së shekullit XX, janë pajtuar përgjithmonë. Europa është rajoni më i integruar në vështrim të largët”. Pas 8 vitesh tabloja nuk paraqitet më kaq e bukur dhe ndoshta koha e ka bërë më të besueshme tezën e prerë të Riçard Haasit se: “Pozita e Europës si një fuqi e madhe në shekullin XX duket se ka marrë fund” (f.42). Tashmë Britania e Madhe është jashtë BE-së. Franca dhe Anglia gërricen. Bashkëpunimi franko-gjerman ka humbur dinamizmin dhe entuziazmin e vet. Vendet e tjera të BE-së nuk gjejnë dot një gjuhë të përbashkët për një numër çështjesh, sidomos lidhur me zgjerimin me vendet nga Ballkani ose për liberalizimin e vizave për Kosovën, që të zhduket getoja e fundit e turpit në Europë. Ironitë e Europës së sotme nuk janë aq shumë sukseset e saj, sa politikat joparimore që bën. Politikanët e pushtetarët shqiptarë nuk e kanë çuar mendjen tek vlerësime si këto, që ka bërë specialisti amerikan, i cili ka pasur edhe pozita të larta qeverisëse në SHBA. Shqiptarët, në përgjithësi, nuk kanë dhënë shenja se dinë ta kuptojnë vlerësimin e bërë nga Hassi se “…nocioni i një Europe me të vërtetë të bashkuar është bërë më shumë një kauzë e elitës, por që nuk pushton më imagjinatën e banorëve të kontinentit… që në realitet nuk kanë qenë aq të angazhuar ndaj ‘Shteteve të Bashkuara të Europës’ sesa ndaj ‘Europës së Bashkuar të Shteteve’”. Me këto vlerësime mund të shpjegohet fare qartë përse Bashkimi Europian e ka trajtuar gjatë viteve të fundit me përtaci e shpërfillje zgjerimin e tij me anëtarë të rinj në Ballkan dhe përse tani ky bashkim ka interes që ta flakë nga rendi i tij i ditës integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Europianët janë mësuar keq që sa herë u ngec sharra në gozhdë për trajtimin e zgjidhjen e problemeve të Europës ta vërtisin punën në atë mënyrë që të mërzitet SHBA-ja nga pritja e rezultateve dhe të ndërhyjë e të vendosë rregull. Më shpesh kjo ka ndodhur për problemet e mprehta të krijuara në Ballkan. Por, edhe në këto raste menjëherë pas suksesit amerikan fuqitë europerëndimore janë bërë xheloze dhe kanë futur shkopinj në rrota, sidomos lidhur me problemet që prekin Kosovën. Presidenti Tramp u përpoq t’u kërkonte, madje në njëfarë mënyre t’u impononte, sjellje tjetër euro-perëndimorëve, por nuk pati sukses dhe përsëri pikërisht në çështjen më delikate të Kosovës nëpërmjet “diplomacisë Grenell” SHBA-ja krijoi më shumë të çara se mbylli vrima në murin e bisedimeve shqiptaro-serbe të Brukselit.
Diplomati amerikan Xhorxh Fred Uilliams, ministër i SHBA-së në Athinë dhe vëzhgues pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri, në librin e tij “Shqiptarët” (1915), e qortonte në atë kohë diplomacinë europiane ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, madje e quante atë “Diplomacia e shastisur europiane”. Ai theksonte: “Ndërkaq Shqipëria, viktima kryesore e kësaj diplomacie, mbetet e lodhur, e kërrusur dhe e zhytur në gjak, sepse edhe mbas lirimit të shteteve të Ballkanit nga zgjedha, kjo akoma u la nën Turqi. Bashkë me të mbeti nën zgjedhë dhe Maqedonia… diplomacia e shastisur vendosi të zbatojë forcën e tiraninë për të sunduar këtë popull… Ata prenë copa me rëndësi Tokash shqiptare dhe ua dhanë fqinjëve. Copën që mbeti e quajtën shtet i pavarur i Shqipërisë”. Ka kaluar më shumë se një shekull nga koha kur janë shkruar këto fjalë dhe gjendja për shqiptarët është më poshtëruese se atëherë. Sa do të vazhdojnë këto shastisjet diplomatike europaine?! Dhe…
A do të rikthehet SHBA në Ballkan më vrullshëm në mbështetje të shqiptarëve?
Uilliamsi bënte mjaft qortim edhe për politikën e vendit që përfaqësonte, SHBA. Madje ai theksonte: “Në qoftë se Shqipëria është e zonja të dalë para Konferencës së Paqes me prova të sakta se ka zotësi të vetëqeveriset, lutjet e saj për liri dhe për të mbledhur gjithë tokat që i përkasin në bazë të së drejtës do të jenë të pranueshme dhe pa vonesë… Sigurisht Amerika nuk mund të gjejë rast më të nderuar bamirësie sesa t’i ndihmojë dhe udhëheqë shqiptarët për të siguruar një rregull të brendshëm. Një rasti tillë nuk ka shembull në historinë moderne”. Këto fjalë marrin sot vlerë e rëndësi edhe më të madhe për Shqipërinë, për Kosovën e gjithë shqiptarët.
Më 7 korrik 1983 senatori amerikan, republikani konservator, Jesse Helms, për disa vite kryetar i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme deklaronte në Senatin e SHBA-së: “Është fatkeqësi, por e vërtetë, që rajoni i Ballkanit prej dekadash është kuptuar gabim dhe pak vëmendje u është kushtuar rrjedhojave që mund të vinë për stabilitetin e atjeshëm. …Në vend që të lejojë shpërthimin në rajonin e Ballkanit, për shkak të manipulimeve sovjetike, është më e udhës që Perëndimi të kërkojë një evolucion në këtë zonë… Një shembull i këtij evolucioni do të ishte të sigurohej bashkimi i shqiptarëve të Kosovës me shtetin e tyre amë, Shqipërinë, por kjo mund të bëhet vetëm në një shtet demokratik, me një Shqipëri jo më komuniste dhe pro-perëndimore. Gjendja e tanishme është e padrejtë, sepse u mohohet e drejta për vetëvendosje kombëtare”. Pasi i citova këto fjalë në seminarin për Kosovën që mbahej në Teheran, më 6-7 shtator 1999, shtova komentin: “Për fat të keq, diplomacia perëndimore nuk ia vuri veshin në kohë një mençurie të tillë, madje dhe tani pas ndërhyrjes ushtarake në Kosovë ngurron ta bëjë një gjë të tillë deri në fund. Por, të paktën me 16 vjet vonesë disa hapa në këtë drejtim janë ndërmarrë. Ne kemi më shumë shpresë për të ardhmen. Ka vetëm një rrugë për të arritur në një zgjidhje të qëndrueshme e të drejtë të problemit të Kosovës tani: të zbatohet plotësisht parimi i vetëvendosjes. Nëse Kosovës i mohohet pavarësia dhe kombit shqiptar i mohohet përgjithmonë e drejta e tij e natyrshme dhe e paparashkrueshme për ribashkim nuk do të ketë paqe, siguri dhe stabilitet në Ballkan. Ka shumë shenja që e forcojnë bindjen tonë se diplomacia uillsoniane do të ketë përparësi në politikën e SHBA-së lidhur me Kosovën. Kjo është një arsye më shumë që sytë e shqiptarëve të drejtohen edhe më tej nga SHBA-ja, të thellohet dëshira shqiptare e shprehur që kur u krijua shteti shqiptar për të pasur marrëdhëniet më të ngushta me këtë fuqi të madhe”.
Midis Uilliamsit e Helmsit diplomacia amerikane ka pasur një tjetër pikë kulmore në trajtimin e çështjes shqiptare: përkujdesjet e Presidentit Uillson në Konferencën e Paqes në Paris (1919) për të mos lejuar copëtimet e mëtejshme të shtetit të cunguar shqiptar. Në veprën e saj shkencore “Peacemakers” (Paqebërësit) mbi këtë konferencë, autorja Margaret Macmillan shkruan: “Rrethi i ngushtë i këshilltarëve të Uillsonit ishte zhytur në problemet e Traktatit me Gjermaninë dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Italinë. Me dëshpërim Nikolsoni, përfaqësuesi i Britanisë, doli me një skemë absurde: Shqipëria të copëtohej, veriu të lidhej me Serbinë, në qendër të krijohej një shtet mysliman nën mandatin italian, jugu të vihej nën sundimin grek dhe Korça të bëhej vend i një universiteti shqiptar nën mbrojtje amerikane. Shqiptarët u përpoqën të takoheshin me njeriun e madh (Uillsonin – shënim im A.B.). Ata ishin të tmerruar nga ideja e mandatit italian, raporton Uillsoni, i cili kishte marrë një numër peticionesh. Ndoshta ata duhej të kishin pavarësi. Llojd Xhorxhi u përgjigj se ai ‘Vërtet nuk e dinte se çfarë do të bënin me këtë (pavarësinë – shënimi im, A.B.), përveçse t’i fusnin thonjtë në fyt njëri-tjetrit. Shqipëria do të jetë tamam si malësitë skoceze në shekullin XV’. ‘Mos fol keq për malësitë e Skocisë’, tha Uillsoni, ‘sepse ajo është vendi i origjinës i familjes sime’. Dhe, më këtë çështja u mbyll” (f.375).
Kur Uillsoni merrte peticione nga shqiptarët, ka pritur në audiencë si përfaqësues të tyre Esat Pashë Toptanin, me të cilin i ka biseduar këto punë dhe ka marrë prej tij edhe një promemorie të redaktuar në frëngjisht. Këto episode janë shtjelluar në librin e shkuar nga përkthyesi i Uillsonit, Stefen Bonsal, “Siutors and Suppliants…”, (1946, 2001). Kjo ka qenë arritje e madhe diplomatike për shqiptarët dhe një gjest politik shumë i lartë e bujar nga një president i SHBA-së. Pastaj, kësaj politike amerikane në çështjen shqiptare iu shtuan dy mrekullitë nga presidenti Klinton më 1999, kur udhëhoqi NATO-n në luftë kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe presidenti Xhorxh W. Bush, kur më 2007 premtoi dhe më 2008 bëri realitet shtetin e pavarur e sovran të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht. Një qëndrim shumë domethënës mbajti Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillari Klinton me fjalimin e saj tejet të rëndësishëm në parlamentin e Shqipërisë në nëntor 2012, që praktikisht konfirmoi se të gjithëpikat kulmore të diplomacisë amerikane në çështjen shqiptare do të jenë jetëgjata.
SHBA-ja nuk ishte e pranishme në skenën e vendimmarrjes diplomatike në Europë më 1912-‘13 dhe nuk mban asnjë përgjegjësi si fuqitë e mëdha europiane për padrejtësitë që iu bënë kombit shqiptar. Por, SHBA-ja ka bërë për të drejtat e shqiptarëve më shumë seç ka bërë çdo fuqi e madhe e kohës së sotme, duke u dhënë guxim shqiptarëve për qëndresë edhe pse ende sot vazhdojnë të jenë të vërteta fjalët që ka shkruar Margaret Macmillan, kur përshkruante gjendjen e tyre në Konferencën e Paqes në Paris (1919): “E gjora Shqipëri e vogël me të tillë armiq të fuqishëm dhe fare pak miq”. Këtë tablo e ndryshoi mjaft edhe Anglia në ndrejtimin e kryeministrit Toni Bler në kohën e fushatës së NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe më pas kur “Britania e madhe ishte, pas SHBA-së, avokatja më e fuqishme dhe për pavarësinë e Kosovës”.
Ka pasur dhe çaste kur tek shqiptarët ka ngjallur frikë ndonjë nuancë në qëndrimet e SHBA-së ndaj të drejtave të tyre dhe mbarëvajtjes diplomatike rreth çështjes së tyre. Më i fundit nga këto çaste për t’u mbajtur mend është “diplomacia e stilit Grenell”, që krijoi jo pak tensione në Kosovë gjatë tri viteve të fundit. Prandaj është e kuptueshme që shqiptarët kishin arsye ta prisnin si një zhvillim me dobi për ta ndryshimin në pushtetin amerikan, më 20 janar 2021, si një shenjë shprese për një kujdes më të madh amerikan mbi problemet e Ballkanit, që të mos rëndojnë më skemat e pozicionet e zgjidhjeve në kurriz të shqiptarëve. Prandaj jemi në njëfarë ankthi për të kuptuar më qartë nëse diplomacia amerikane do të rikthehet më vrullshëm në Ballkan dhe nëse edhe tani e tutje përkujdesja amerikane për pozitën e shqiptarëve do të jetë në traditën më të mirë 100-vjeçare të kësaj diplomacie ndaj shqiptarëve.
Po ne shqiptarët vetë çfarë duhet të bëjmë?!
Kemi shkruar disa herë se duhet të mbledhim mendjen se cilët i kemi miqtë e mirë dhe armiqtë më të rrezikshëm. Të mos biem në ato pozita që përshkruante kryeministri britanik para presidentit të SHBA-së më 1919 në Paris se shqiptarëve nuk ka ç’u duhet pavarësia, sepse do ta përdorin vetëm përt’i ngulur thonjtë në fyt njëri-tjetrit, siç po ndodh fatkeqësisht shpesh në ditët tona.
Pushtetarët e politikanët shqiptarë duhet të heqin dorë nga megalomanitë lideriste për të rregulluar deri punët e huaja e harruar tonat, siç po ndodh shpesh tani.
Të kthejmë gjithnjë sytë nga historia jonë para se të marrim vendime për të ardhmen tonë.
Të fetishizohen vlerat e shtetit, e jo përfitimet nga pushteti.
Mbi të gjitha, të bëhet ajo që këshillonte Xhorxh Fred Uillimasi para 100 vitesh, që shqiptarët t’i provojnë botës se dinë e janë të vendosur t’i bëjnë vetë e mirë punët e tyre. /shenja
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *