Negociatat mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë për çështjen e vendosjes së reciprocitetit për targat do të vazhdojë edhe sot në Bruksel.
Për takimin e së mërkurës në Bruksel, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tregoi se janë dakorduar për targat, por që marrëveshja finale ende nuk është pranuar nga pala serbe.
Bislimi ka thënë se Kosova preferon që të mos ketë barriera ndërmjet dy shteteve, teksa ka thënë se për këtë çështje do të themelohet një grup punues që do të nisë punën nga 21 tetor.
“Kemi tentuar që të detyrojmë Serbia që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë. Mendoj që ky ka qenë rezultati i sotëm. Natyrisht se ne do të preferonim më tepër që të mos jetë asnjë barrierë, rrjedhimisht të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera. Por ky të jetë edhe objektivi i grupit punues të cilin do ta themelojmë e që do të fillojë të takohet nga data 21 tetor. Ne kemi dakordim për të gjitha pikat”, tha ai.
Bislimi ka thënë se pala serbe nuk është pajtuar me pikën ku ka të bëjë me veturat KM.
“E vetmja pikë ku pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë se nuk do duhej të aplikohen stikersat dhe kjo është absurde sepse ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të pranojmë këtë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegalë të tabelave”, tha ai.
Bislimi tha se kjo marrëveshje parasheh tri elemente:
Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi yne dhe ai i Serbise kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e një zgjidhjeje përmes së cilës do të qetësohej situata në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës të garantojë trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dy vendeve në sferën e lëvizjes së lirë. Natyrsht se synimi primar i Republikës së Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovimi i lëvizjes së lirë, andaj edhe vendimi i fundit për përdorimin e tabelave të përkohshme ka qenë i imponuar nga padrejtësia dhjetëvjeqare e autoriteteve në Serbi kundrejt qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar drejt apo nëpër territorin e Serbisë.
Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përfarimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:
1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.
2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.
3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.
Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kami një marrëveshje valide.