Nëpunësit doganorë në vendkalimin kufitar Bllacë kanë parandaluar tentativë për kontrabandim të 29 kilogramë marihuanë nga ana e një shtetasi shqiptar, i cili me automobil ka udhëtuar drejt Gjermanisë.
Siç kumtoi Drejtoria Doganore, mbrëmë rreth orës 22:30, në vendkalimin kufitar për hyrje në Republikën e Maqedonisë është paraqitur B.G. (26), duke drejtuar veturën me targa shqiptare, ku kanë qenë edhe tre bashkudhëtarë të gjithë nga Shqipëria, Inspektorët doganorë nga Sektori për punë operative – ekipe mobile e kanë selektuar automjetin për kontroll të detajuar pasi që kanë dyshuar në deklaratën e udhëtarëve se nuk kanë asgjë për të paraqitur për kontroll doganor dhe se udhëtojnë për në Gjermani.
Gjatë kontrollit të automjetit, në të cilin është përdorur edhe një qen doganor është zbuluar një bunker nën dyshemenë e veturës i mbushur me 29 pako drogë narkotike marihuanë me peshë të përgjithshme prej rreth 29 kilogramë, e cila është dashur të dërgohet në Gjermani, ndërsa çmimi i saj në perëndim – tregu evropian do të arrinte vlerë prej rreth 120.000 euro”, thuhet në kumtesën e Doganës.
Muajin e kaluar, doganierët në katër raste të ndara kanë konfiskuar 65 kilogramë marihuanë.