Sipas të dhënave në raportin e Perspektivës Ekonomike Botërore të prillit 2024 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), 9 nga 10 vendet më të varfra në botë janë në kontinentin afrikan ndërsa tre të parat janë Burundi, Sudani i Jugut dhe Malavi, shkruan Anadolu.
Mbledhja e një grupi të madh në kryeqytetin e Francës, Paris, më 17 tetor 1987, duke pretenduar se varfëria ishte një “shkelje e të drejtave të njeriut” dhe duke bërë thirrje për veprim kundër varfërisë, shkaktoi jehonë në mbarë botën.
Nisur nga kjo, OKB-ja vendosi në vitin 1992 të përkujtojë 17 tetorin si “Ditën Botërore për Zhdukjen e Varfërisë” dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të marrin rol aktiv në zbutjen e varfërisë.
Çdo vit në këtë datë organizohen aktivitete në kuadër të OKB-së për të rritur ndërgjegjësimin kundër varfërisë. Tema e OKB-së e këtij viti për Ditën Botërore për Zhdukjen e Varfërisë është “Përfundimi i abuzimit social dhe institucional”.
Sipas të dhënave në faqen e internetit të Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të OKB-së, njerëzit e varfër tjetërsohen për shkak të situatës dhe pamjes së tyre.
Në vend që të parandalojnë diskursin negativ për të varfrit, institucionet dhe organizatat marrin pjesë dhe e përforcojnë këtë diskurs. Institucionet teksa duhet t’i mbështesin ata ndërkohë që përpiqen të shpëtojnë nga situata ku ndodhen, ato nuk veprojnë për këtë çështje dhe përkundrazi ‘udhëheqin’ që njerëzit të injorohen.
Këta njerëz të cilët nuk mund të marrin pjesë në mekanizmat e vendimmarrjes, ndihen të pafuqishëm fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht.
OKB-ja rendit hapat që duhen ndërmarrë në luftën kundër varfërisë si më poshtë:
“Krijimi i kushteve për njerëzit që kanë përjetuar varfëri të ndajnë njohuritë e tyre dhe që këto informacione të vihen re; veprime mbështetëse që do t’u mundësojnë njerëzve që jetojnë në varfëri të rifitojnë besimin e tyre dhe të njohin njohuritë e tyre të bazuara në përvojë për politikat dhe praktikat e lidhura me varfërinë”.
Në mesazhin me shkrim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për Ditën Botërore Kundër Varfërisë 2024 është përfshirë deklarata e mëposhtme:
“Varfëria është një epidemi globale që prek qindra miliona njerëz në mbarë botën, por varfëria nuk është e pashmangshme. Kjo është rezultat i drejtpërdrejtë i zgjedhjeve që shoqëritë dhe qeveritë bëjnë ose nuk arrijnë të bëjnë. Tema e këtij viti na kujton se njerëzit e zhytur në varfëri luftojnë me diskriminimin social dhe barrierat sistematike që e vështirësojnë qasjen në shërbime dhe mbështetje jetike. Përfundimi i varfërisë globale dhe arritja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm kërkon që qeveritë të formësojnë institucionet dhe sistemet që u japin përparësi njerëzve”.
– Kontinenti afrikan renditet në nivelet e larta në varfëri
Sipas të dhënave të FMN-së në raportin e Perspektivës Ekonomike Botërore të prillit 2024, duke marrë parasysh Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë të vendeve, shihet se 9 nga 10 vendet më të varfra në botë ndodhen në kontinentin afrikan.
Burundi që ndodhet në Afrikën Lindore, është vendi më i varfër në botë me një GDP prej rreth 230 dollarësh për frymë.
Sudani i Jugut dhe Malavi në të njëjtin rajon janë gjithashtu vendet e dyta dhe të treta më të varfra në botë, me një GDP prej afërsisht 421 dhe 480 dollarë për frymë.
Këto vende pasohen nga Jemeni me afërsisht 486 dollarë, Sierra Leone me 526 dollarë, Republika e Afrikës Qendrore me 537 dollarë, Madagaskari me 538 dollarë, Sudani me 546 dollarë, Mozambiku me 659 dollarë dhe Nigeri me 670 dollarë.