Avioni i tretë që transportonte ushqime dhe ilaçe nga Katari u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, kryeqyteti i Afganistanit.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Katarit “QNA”, njoftoi se një avion që transportonte 25 tonë ushqime, ndihma humanitare dhe furnizime mjekësore nga Katari u ul në Aeroportin Ndërkombëtar “Hamid Karzai”.
Në lajm u vu në dukje se ndihmat humanitare që janë dërguar në Afganistan nga Katari deri më sot kanë arritur 68 tonë.
Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai” u mor nën kontrollin e talibanëve pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës tërhoqën trupat e tyre të fundit nga vendi më 31 gusht.
Më 1 shtator, një avion i “Qatar Airways” dërgoi ekipin teknik në Kabul për të bërë një hetim për të rivënë në aktivitet aeroportin.
Më vonë, më 4 dhe 6 shtator, dy avionë që transportonin ndihma humanitare dhe furnizime mjekësore nga Katari u ulën në Kabul.
Talibanët, të cilët duan që Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, i cili lidh Afganistanin me botën, të jetë përsëri funksional, po diskutojnë këtë çështje me Turqinë dhe Katarin.
Komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA, vendet evropiane dhe Kombet e Bashkuara, duan që aeroporti i Kabulit të aktivizohet sa më shpejt të jetë e mundur. /trt