Ballina Lajmet Kosovë Ndryshon procedura për marrjen e policës kufitare për bashkatdhetarët, Murati tregon hapat

Ndryshon procedura për marrjen e policës kufitare për bashkatdhetarët, Murati tregon hapat

Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se edhe këtë vit, Qeveria e Kosovës do të mbulojë koston e policës kufitare për bashkatdhetarët.

Mirëpo, ka thënë se për dallim nga dy vitet paraprake, kur polica e subvencionuar merrej në pikën kufitare, këtë vit ka ndryshuar procedura.

“Procedura vazhdon të jetë e thjeshtë dhe nuk ju merr kohë, e madje mund të evitoni edhe pritjet në kufi kur e bleni online para se të niseni”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të pagesës në formularin online të Ministrisë së Financave”.

Ai tutje ka treguar edhe hapat që duhet ndërmarrë.

“Hapi 1: Para se të niseni për në Kosovë, policën kufitare mund ta blini online përmes linkut më poshtë:

https://api.bks-ks.org/PolicaOnline/sq-AL”.

“Hapi 2: Pasi ta keni blerë policën, ju mund të aplikoni për rimbursim të kostos duke plotësuar këtë formular: https://masa4-5.rks-gov.net”.

Murati ka bërë të ditur se “polica mund të blihet edhe fizikisht në pikat kufitare hyrëse, mirëpo, që të mos keni nevojë të prisni në kufi, e të mos shkaktohen kolona, rekomandohet që polica të blihet online para se të niseni për Kosovë”.

“Mbështetja vlen për autoveturat për pasagjerë dhe motoçikletat, dhe rimbursimi bëhet për qëndrime deri në 3 muaj brenda vitit kalendarik. Rimbursimi mund të kërkohet për të gjitha policat që keni blerë nga data 1 janar 2022 e këtej, me kusht që periudha e tërësishme e mbulueshmërisë për një automjet të mos kalojë 3 muaj brenda vitit”.

Exit mobile version