Me fillimin e një viti të ri administrativ, shumë prej nesh përjetojnë ndjenja (ripërtëritëse) shprese, optimizmi dhe ambicie për të përmirësuar jetën tonë në rrafshe të ndryshme personale dhe shoqërore. Pritja e vitit të ri është një mundësi e shkëlqyer për të rishikuar atë që ka kaluar dhe për të shfrytëzuar energjinë e fillimeve për të sjellë ndryshime pozitive të prekshme në nivel personal, profesional dhe atë të marrëdhënieve shoqërore.
Përpara se të nisim një faqe të re, është e nevojshme të ndalemi pak për të shqyrtuar arritjet dhe gabimet tona duke bërë një listë të gjërave që kemi arritur gjatë vitit të kaluar, dhe gjërave që nuk i kemi arritur, si dhe shkaqet që kanë çuar në këtë. Ky vlerësim do të ndihmojë në kuptimin e pikave të forta dhe të dobëta si dhe në përcaktimin e synimeve reale, duke vendosur objektiva dhe ambicie të reja. Është e rëndësishme që të sigurohemi që synimet që do të vendosim të jenë reale dhe të matshme. Ndryshimi për të cilin pr flasim është në disa rrafshe:
Ndryshimi për më të mirën në rrafshin personal, duke u kujdesur për shëndetin fizik dhe mendor, pasi shëndeti është baza e suksesit në çdo fushë të jetës. Sigurohu që të kesh një plan që përfshin përmirësimin e zakonit të ushqimit, praktikimin rigoroz të ushtrimeve fizike dhe kujdesin për shëndetin tënd mendor duke rezervuar një kohë të mjaftueshme për t’u relaksuar dhe medituar.
Shfrytëzo kohën për të mësuar diçka të re, ç’ka të mundëson shtimin e njohurive. Shfrytëoje kohën për të mësuar një gjuhë të re, një aftësi teknike, ose qoftë edhe një zanat, sepse mësimi i një gjëje të re jep vetbesim dhe forcë për të arritur sukses.
Shpesh, menaxhimi i kohës është çelësi për të arritur synimet. Vendos një program ditor ose javor që të ndihmon për të realizuar sa më mirë detyrat e tua dhe të ndihmon të arrish një balancë mes punës dhe jetës personale.
Ndryshimi për më të mirën në rrafshin profesional, duke krijuar një plan të qartë për atë që dëshiron të arrish në fushën profesionale gjatë vitit të ri. A dëshiron të ngrihesh në karrierë? Apo të fitosh një aftësi të re? Apo ndoshta të ndryshosh plotësisht profesion? Përcakto këto ambicie dhe fillo të ndërmarrësh hapa praktik për t’i arritur ato.
Dediko një kohë (të caktuar) për të zhvilluar aftësitë e tua profesionale përmes kurseve të trajnimit, leximit, ose bashkëveprimit me kolegë që kanë eksperiencë. Studimi i vazhdueshëm të siguron që të jesh në dijeni të informacioneve më të fundit të profesionit tënd, dhe gjithashtu të ndërtosh marrëdhënie profesionale të forta që të hapin dyer të reja. Puno për të marrë pjesë në konferenca, workshope dhe aktivitete që tëw mundësojnë të kesh kontakt me njerëz që ndajnë interesa të përbashkëta profesionale.
Ndryshimi për më të mirën në rrafshin e marrëdhënieve shoqërore, të cilat konsiderohen si burimet më të rëndësishme të lumturisë dhe mbështetjes. Mund të dedikosh një kohë për të kaluar me familjen dhe miqtë, të flasësh me ta me sinqeritet dhe transparencë, dhe të përpiqesh të forcosh lidhjet shoqërore duke ofruar mbështetje dhe ndihmë për ata që kanë nevojë.
Ndryshimi pozitiv nuk kufizohet vetëm në jetën tuaj personale, por shtrihet edhe në komunitetin tuaj. Prandaj, mendoni se si mund të ndihmoni të tjerët, qoftë përmes vullnetarizmit në shoqata bamirësie, ose duke ofruar eksperiencën tuaj për të mbështetur iniciativa që i shërbejnë komunitetit. Përmirësimi i aftësive tuaja të komunikimit është gjithashtu mjaft i rëndësishëm. Që të kesh një komunikim sa më të mirë duhe të dëgjosh me vëmendje, të shprehesh qartë dhe të shmangësh konfliktet sa më shumë të jetë e mundur.
Ndryshimi për më të mirën në rrafshin shpirtëror dhe moral. Le të jetë viti i ri një mundësi për të forcuar besimin tuaj dhe për të përmirësuar marrëdhënien tuaj me Zotin përmes lutjeve, meditimit dhe reflektimit mbi mirësitë që Ai ju ka dhënë. Raporti dhe lidhja juaj e fortë me Zotin i jep jetës tuaj paqe dhe qetësi.
Përpiqu gjithashtu që ky vit i ri të jetë një mundësi për të përmirësuar moralin tuaj, duke u përpjekur për të qenë sa më i durueshëm, i sinqertë dhe tolerant. Vlerat pozitive janë jo vetëm një burim i kënaqësisë personale, por gjithashtu ato ju bëjnë juve shembull dhe model për mirë për ata që ju rrethojnë.
Dediko kohë çdo ditë për të menduar për gjërat për të cilat jeni mirënjohës. Ky ushtrim i thjeshtë ju kujton për të mirat që keni në jetën tuaj.
Pritja e vitit të ri është një mundësi e çmuar për të riorganizuar prioritetet tona dhe për të punuar për të përmirësuar jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Përmes një planifikimi të mirë, angazhimit për ndryshim dhe mbajtjes së një shpirti pozitiv, mund të kthejmë ëndrrat tona në realitet. Mos harroni se udhëtimi i ndryshimit fillon me një hap të vogël, por ky hap mund të bëjë një ndryshim të madh. Bëjeni vitin e ri një faqe të ndritur plot me sfida dhe arritje, dhe filloni ditën e parë me shpresë dhe optimizëm, për ta bërë këtë vit, një vit të mbushur me sukses dhe shkëlqim. Uroj që të jeni gjithmonë mirë.
Autor: Kemal Aslan
Përktheu: Elton Harxhi