Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Gëzim Kelmendi, duke theksuar se ndryshimet kushtetuese në Turqi do të sjellin pozitivitet jo vetëm në skenën politike të Turqisë, por edhe në përmasa ndërkombëtare, tha se “Një Turqi e fortë dhe stabile nënkupton një stabilitet edhe në nivelin rajonal edhe në atë ndërkombëtar dhe botëror”.
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kreu i partisë “Fjala”, Gëzim Kelmendi në një intervistë për Anadolu Agency (AA) vlerësoi tubimet në disa shtete evropiane për mbështetje të presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan janë ndaluar padrejtësisht dhe se në këtë formë është shkelur liria e tubimit dhe e organizimit, e cila është një drejtë e garantuar me të drejtat ndërkombëtare.
Sipas tij, arsyet e këtyre përpjekjeve për ndalimin e promovimit të aktivitetit të presidentit Erdoğan si dhe të ngjarjeve tjera ku si objektiv merret Turqia dhe presidenti i saj, janë të shumta, por që në radhë të parë vjen xhelozia.
“Mendoj që në radhë të parë ka të bëjë me një xhelozi ndoshta politike për faktin se Presidenti Erdoğan është ndër liderët ndërkombëtarë më të suksesshëm të këtij shekulli, i cili ka arritur që Republikën e Turqisë ta nxjerrë nga një fundosje ekonomike dhe ta shndërrojë në një superfuqi ekonomike, në një superfuqi botërore dhe padyshim suksesi i tij, puna e tij, ashtu siç thotë populli ëshë therrë në sy për vendet tjera”, tha Kelmendi.
Duke rikujtuar 15 korrikun e vitit të kaluar, tentativën e dështuar për grusht shteti në Turqi deputeti Kelmendi tha se gjithmonë ka njerëz të cilët nuk ia duan të mirën Turqisë.
“Është për çudi se si një pjesë e mirë ndërkombëtare nuk e ka dënuar apo konkretisht nuk janë pozicionuar në krah të Republikës së Turqisë, apo autoriteteve turke që t’i luftojnë këto organizata terroriste dhe aktivitete të cilat janë në dëm të këtij shteti por edhe të vet Bashkimit Evropian”, tha Kelmendi.
Ai gjithashtu foli për referendumin në Turqi, duke theksuar se ndryshimet kushtetuese të inicuara do të sjellin pozitivitet jo vetëm në skenën politike të Turqisë, por edhe në përmasa ndërkombëtare. Sipas tij, një Turqi e fortë dhe stabile nënkupton një stabilitet edhe në nivelin rajonal edhe në atë ndërkombëtar dhe botëror.
Kelmendi po ashtu theksoi se vetëm Turqia dhe udhëheqësia aktuale e saj, në krye me Presidentin Erdoğan ka arritur t’i luftojë dhe të parandalojë shumë sulme dhe organizata terroriste, si dhe ta menaxhojë konfliktin në Siri.
“Prandaj një sukses i tillë i Presidentit Erdoğan nuk është një sukses vetëm në Turqi por në përmasa ndërkombëtare dhe unë uroj që qytetarët e Republikës së Turqisë dhe të gjithë shtetasit e Turqisë kudo në botë t’i përkrahin fuqishëm këto ndryshime kushtetuese dhe t’i japin mbështetje edhe më të fortë kushtetuese presidentit Erdoğan ngase ai e ka dëshmuar që e do popullin, e do shtetin dhe se ka kontribuar si për popull dhe shtet, ashtu edhe për paqen ndërkombëtare”, tha së fundi Kelmendi.
– Çerkezi u bën thirrje shqiptarëve në Turqi me të drejtë vote, t’i thonë “PO” referendumit
Njëri prej themeluesve të Partisë për Drejtësi, Sylejman Çerkezi në një intervistë për AA theksoi rëndësinë e shtetit të Turqisë si një urë lidhësve jo vetëm ndërmjet popullit shqiptar dhe atij turk, por edhe ndërmjet Evropës dhe Perëndimit, ku sipas tij bëhen gërshetimet edhe të kulturave dhe të qytetërimeve të ndryshme.
Çerkezi duke rikujtuar rolin e Turqisë dhe rrymimet ose ballafaqimet e ndryshme që janë bërë më parë mes Evropës dhe Lindjes, përkatësisht gjatë periudhës Osmane, theksoi se kjo është arsyeja e marrjes si shënjestër apo objektiv të presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan nga Evropa dhe institucionet ndërkombëtare.
“Tashmë për neve është e qartë, historia i ka dëshmuar ato gjëra dhe mendoj se historia përsëritet dhe kjo është arsyeja”, tha Çerkezi.
Sipas tij, Turqia e cila po përcjell një model më ndryshe nga ajo që ka qenë deri më tani, edhe në vlerën kulturore është ajo që po i prin botës islame. Duke theksuar se çdo ndryshim në Turqi padiskutim që do të reflektojë edhe në Ballkan, në prag të referendumit në Turqi, Çerkezi përcolli mesazhin se me këtë do të ketë spastrime të tradhtarëve, pra të FETO-s.
“Mendoj që reflektimi i tij (FETO-s) në Ballkan ose mbjellja e tij në Ballkan është me kosto dhe besoj se këto ndryshime pas referendumit do të vijnë në dukje, ku do të kemi edhe pastrime të tradhtarëve, të cilët tradhtuan vendin e tyre pse mos të tradhtojnë pastaj edhe Ballkanin”, tha Çerkezi.
Duke theksuar se Presidenti Erdoğan me punën e tij ka ngritur zhvillimin ekonomik, kulturor, politik dhe në atë diplomatik në Turqi, Çerkezi, tha se ai ka dëshmuar që është një lider i vërtetë dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Turqi, të cilët kanë të drejtë vote, t’i thonë “PO” referendumit për ndryshimn e sistemit qeverisës presidencial në Turqi.