Ndotje alarmante e ajrit në Kosovë

Organizata PEN dhe Lëvizja Shkenca për Ndryshim, me mbështetjen e Komisionit Evropian, kanë organizuar të premten një fushatë në sheshet kryesore të Prishtinës, kundër ndotjes së ajrit.

Përmes aksioneve simbolike, këto organizata kanë bërë vendosjen kukullave me maska kundër ndotjes së ajrit, të cilat mbajnë mbishkrime sensibilizuese. Në kuadër të aktivitetit po bëhen matje të drejtpërdrejta të cilësisë së ajrit, nga anëtarët e projektit. Gjithashtu, në këndet informuese për qytetarët, janë ofruar broshura dhe maska kundër ndotjes.

Gjithashtu, në kuadër të këtij aktiviteti, këto organizata zhvilluan aksionin “Mbroni fëmijët tuaj nga vrasësi i padukshëm”, në hyrje të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor. Aksioni i organizuar para Ministrisë, sipas organizatorëve, tenton që ta thyejë heshtjen e këtij institucioni ndaj problemit të ndotjes së ajrit në Prishtinë, si dhe të kërkojë më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga ky institucion.

Ky aktivitetet po realizohet në kuadër të projektit “Making Sense”, të Komisionit Evropian dhe zhvillohet paralelisht në Belgjikë, Spanjë, Skoci, Holandë dhe Kosovë.

Qëllimi i projektit është aftësimi i qytetarëve që të masin vetë gjendjen e mjedisit të tyre, të krijojnë fushata nga rezultatet e dhëna, dhe së bashku me akterë kryesorë të synojnë ndryshime pozitive në fushën e mjedisit në Kosovë.

Banorët e Kosovës kërcënohen nga mjedisi i ndotur jetësor i cili po ndikon në rritjen e numrit të sëmurëve nga mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore, e madje edhe shkakton vdekjen e njerëzve. Kështu thonë ekspertë të çështjeve të ruajtjes së ambientit.

Qendra për matjen e cilësisë së ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, tregonte se ajri në kryeqytet është “shumë i pashëndetshëm”.

Në Prishtinë, në fillim të kësaj jave, cilësia e ajrit ka arritur në shkallën më të lartë “Very Unhealthy” ose “Shumë i pashëndetshëm” (242 ppm).

Kjo qendër tregon se cilësia e ajrit në Prishtinë është aktualisht në nivelin e 168 ppm (grimcave në milion).

Ndotja e mjedisit në Kosovë, përveç që shkaktohet nga kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë, vjen edhe nga numri i madh i veturave. Në Kosovë llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite.