Edhe këtë nuk na e kishte marrë mendja, por peshkaqenët në Brazil kanë rezultuar pozitivë me kokainë. Biologët testuan 13 peshkaqenë të mprehtë brazilianë që i morën nga brigjet pranë Rio de Janeiros dhe zbuluan se ata kishin nivele të larta kokaine në muskujt dhe mëlçinë e tyre.
Përqendrimet e lëndës narkotike ishin 100 herë më të larta se sa ishte raportuar më parë për krijesat e tjera ujore. Hulumtimi është kryer nga Fondacioni Oswaldo Cruz i cili është i pari që zbulon praninë e kokainës në peshkaqenë.
Por si ka përfunduar kokaina në organizmin e tyre?
Ekspertët besojnë se kokaina po hyn në ujërat e kripur nëpërmjet laboratorëve të paligjshëm ku prodhohet droga ose përmes jashtëqitjeve të përdoruesve të drogës. Edhe pakot e kokainës që hidhen nga trafikantët në det mund të jenë një arsye.
Sara Novais, një eko-toksikologe detare në Qendrën e Shkencave Detare dhe Mjedisore të Universitetit Politeknik të Leiria, tha për revistën “Science” se ky zbulim është tejet shqetësues. Kjo pasi ndikon në fertilitetin e këtyre specieve dhe po ashtu sjelljen e tyre.
Megjithatë, hulumtimet e mëparshme kanë treguar se kokaina nuk ka të njëjtin efekt tek kafshët.